Luka Misetic, avokat i Hashim Thaçit, i cili në Hagë akuzohet për krime lufte, foli me fjalë shumë të qarta në fund të nxjerrjes së dëshmitarëve nga Prokuroria Speciale. Misetic u shpreh i zhgënjyer që ish-krerët e UÇK-së po mbahen kaq gjatë në paraburgim, meqë Prokuroia u ka marrë atyre rreth katër vite e gjysmë jetë të cilat s’mund t’ua kthesh më kurrë mbrapa.
“Klientët tanë janë mbajtur në paraburgim për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, 4 vjet e gjysmë në paraburgim, 4 vjet e gjysmë të cilat nuk mund t’i kthejnë kurrë mbrapa. Jam i zhgënjyer që u deshën 2 vjet e gjysmë që çështja e Prokurorisë të përfundonte, besoj se kjo çështje mund të përfundonte shumë më shpejt por jemi ku jemi tani”, ka thënë Misetic.
Avokati me originë kroate tha se provat e Prokurorisë ndaj Hashim Thaçit janë shumë të dobëta. Misetic shprehet optimist për epilogun që do të ketë procesi kundër Hashim Thaçit.
“Në përgjithësi mendoj se ky rast dhe provat kundër Z. Thaçi kanë qenë shumë të dobëta. Nuk mund të flas për provat tani por mendoj se në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet që nisën me raportin e Martyt nuk kanë thuajse asnjë lidhje me provat e paraqitura kundër Z. Thaçit në këtë gjykim për mbi 2 vjet. Në këtë kuptim jam shumë optimist për rezultatin që del nga ky rast, për Z. Thaçi, mendoj se provat kanë qenë shumë të dobëta dhe patjetër se do t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues në kohën e duhur”, ka thënë Misetic.
Ai ka thënë se e vetmja gjë që ka mbetur tani është që të shkohet drejt procedurave të tjera të mbetura dhe të merret aktgjykimi sa më shpejt të jetë e mundur.
Burimi/Facebook


Leave a Reply