Me rastin e Festave të NëntoritMBRËMJE SHQIPTARE NË MILANO
Për ty, Atdhe,
më të bukurën këngë
me fuqinë e kësaj zemre do t’këndoj…
Sa e sa herë e kemi dëgjuar këtë këngë, që është si një himn i dytë kombëtar për ne shqiptarët, që kur e këndonte i pavdekshmi Mentor Xhemali. E gjithmonë na emociononte e na mbushte me krenari edhe thjesht për faktin e të qenit shqiptar. Imagjinoni emocionin që ngjall ajo, ta dëgjosh në një sallë luksoze e elegante si Galeria Meravigli, e ndërtuar në vitin 1928, në një qytet të madh metropolitan si Milano.
Është zëri i këngëtarit Bahri Rustja, që i përhap tingujt e kësaj kënge, të cilët duket sikur kërkojnë të çajnë tavanin e xhamtë të sallës e të fluturojnë larg, larg, drejt vendit të shqipeve, si për t’i thënë: Për ty Atdhe, me mall këndojmë ne.
Jemi në mbrëmjen festive të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano, me rastin e Festave të Nëntorit, Ditës së Pavarësisë Kombëtare dhe asaj të çlirimit të vendit nga pushtuesit. Kjo sallë, që administrohet nga shqiptarë, kthehet për disa çaste si një pjesë e tokës sonë, ku jehojnë kënga, vallja, melodia e poezia shqipe
E “zonja e shtëpisë”, konsullja e përgjithshme, Anila Pojani, në fjalën e saj përshëndetëse, përmend rëndësinë historike të këtyre dy festave, iu uron mirëseardhjen bashkëatdhetarëve që vijnë nga shumë rajone e qytete të Italisë dhe i hap udhë mbrëmjes artistike. Në sallë artistët, poetë, shkrimtarë, këngëtarë, instrumentistë, valltarë janë shkrirë sëbashku me sipërmarrës e punonjës të sektorëve të ndryshëm,emigrantë që janë integruar natyrshëm me punën e aktivitetet e tyre në realitetin italian.
Pas fjalës përshëndetëse, drejtuesja e programit, Eriona Lekgjonaj, e cila përveç rolit që mbulon në konsullatë, është edhe një talent në fushën e prezantimeve, fton instrumentistin e talentuar Arjan Muka, i cili, me instrumente frymore luan një kolazh me melodi, titulluar “Aromë shqiptare”. Është kjo aromë, që do të përbënte fillin lidhës të tërë programit. E në fakt e ndiejmë atë edhe në repertorin e instrumentistes elegante, Monika Bekolli, gishtërinjtë magjikë të së cilës luajnë aq bukur në flaut. Kjo vajzë pogradecare, që jeton në Modena, luan me flatin e saj dy melodi të bukura shkodrane: “Po t’jemi bashkë ne të dy” dhe “Me lule të bukura”. Aroma shqiptare ndihet edhe në poezitë e poetes Lumturi Plaku, sidomos në atë me titull “Nënokes”, ku malli për nënën është pika e dhimbshme e çdo emigranti.
Pastaj salla mbushet jo vetëm me aromë, por edhe me ngjyra shqiptare. Janë fëmijë, të rinj e të reja që kanë ardhur nga Qendra kulturore “Margarita Xhepa” e Astit në Piemonte. Që në krijimin e saj, kjo qendër kulturore, e drejtuar me aftësi nga Hasan Bulçari, është bërë e njohur për aktivitetet e saj, për kurset e shumta krahas shkollës shqipe, për organizimin e paradave të mëdha folklorike etj. Grupi, i veshur me kostume të vërteta e të bukura popullore nga të gjitha krahinat e vendit, luan me mjeshtëri artistike, sipas një koreografie të ndërtuar bukur, vallet “Kërcimtarja”, “Vallet e vendit tim” dhe “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Këtë të fundit jemi mësuar ta shikojmë dikur të ekzekutuar nga legjendat e valles shqiptare Besim Zekthi, Lili Cingi e trupa e Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë. Por këta të rinj, nuk stepen përpara emrit të legjendave të valles, përkundrazi, me kurajo, kanë marrë përsipër për ta luajtur këtë valle me jetëgjatësi më shumë se gjysmë shekulli, për ta çuar përpara, si një nga shprehjet më të bukura e më domethënëse të artit koreografik shqiptar.
Pas mbarimit të programit, valltarët shkrihen me pjesëmarrësit në festë, të cilët e mbushin sallën duke vallëzuar të gjithë sëbashku. Atmosfera bëhet akoma edhe më e bukur. Në cateringun e shtruar për pjesëmarrësit, me nga një gotë verë në dorë, punonjësit e dy konsullatave, të Shqipërisë e të Kosovës, takohen e bisedojnë me të ardhurit në festë. Me sipërmarrësin shqiptar dhe anëtarin e këshillit komunal të Roveretos Fation Mulliçi, me Ajselën e Mozën, kemi ardhur që nga Trentino. Takohemi e bisedojmë me sipërmarrës të tjerë, si Astrit Poti, që është edhe president i shoqatës “Korabi” në Bolonja, me poetët Irma Kurti e Skënder Lazaj, me intelektualin dhe veprimtarin e palodhur Ndue Shabaku, me veprimtaren Anila Berberi, me fotografin italian Biagio Fortini, me drejtuesin e qendrës kulturore “Margarita Xhepa”, Hasan Bulçari, me instrumentisten Monika Bekolli me bashkëshortin e saj, fotografin e palodhur Alfred Zerro e me vajzën e tyre të talentuar Rebeka e plot të tjerë. Komisarja e Diasporës, e palodhura Luljeta Çobanaj ndalet sa në një grup në tjetrin, duke folur për shkollat shqipe. E nuk janë thjeshtë takime përshëndetje e kortezie, por në biseda lindin edhe projekte për aktivitetet e ardhshme. Për shembull me Skënder Lazajn e Hasan Bulçarin flasim për një promovim në qendrën kulturore të Astit. Monika Bekolli dëshiron të realizojë një event poetiko-muzikor bashkë me mua e Irma Kurtin për festën e 8 Marsit në Modena, ide që përqafohet përnjëherësh nga drejtuesit e konsullatës, që na ftojnë ta realizojmë aktivitetin në ambientet e konsullatës.
Mbrëmja vazhdon e bukur deri në orët e mbrëmjes. Ndërsa dalim jashtë sallës, me Fationin, Ajselën e Mozën nëpër rrugët e Milanos, na duket sikur jemi ende të mbështjellë me tingujt e këngës “Për ty Atdhe” dhe të valles “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.
Është kohë festash kudo në Diasporë.
Ndue Lazri

























Burimi/Facebook


Leave a Reply