(Francis Scott Fitzgerald)
…”Ishte një rastësi marroke por Donaldi ishte në humor, i shëndetshëm e i mërzitur, me mendjen se kish mbyllur një punë të lodhshme. Tani do e shpërblente veten. Ndofta.
Kur avioni zbriti, ai doli në një natë verore miduesterne dhe mori për nga aeroporti i veçuar e i thjeshtë, i ujdisur si një “terminal” i vjetër e i kuq. Ai nuk e dinte nëse ajo ishte gjallë, apo nëse jetonte në këtë qytezë, apo si quhej tani. Me një ngazëllim qësa vinte e i shtohej kërkoi në numëratorin telefonik për babanë e saj, i cili edhe ai mund të kishte vdekur, diku gjatë këtyre njëzetë viteve.
Jo. Avokat Harmon Holms – Hillsajd 3194.
Zëri i këndellur i një gruaje iu gjegj kërkesës së tij për Zonjushë Nensi Holms.
Nensi tani është Zonja UolltërGiford. Kush e kërkon?
Mirëpo Donaldi e mbylli pa u përgjigjur. Ai kish zbuluar atë që donte dhe kishte vetëm tri orë. Nuk mbante mend ndonjëUolltërGiford dhe u ndal për një hop teksa këqyrte numëratorin. Ajo duhet të ishte martuar jashtë qytetit.
Jo. Uolltër Giford – Hillsajd 1191. Gjaku filloi t’i vërshonte sërish në majat e gishtave.
Alo?
Alo? A ndodhet Zonja Giford aty – jam një mik i vjetër i saj.
Unë jam, Zonja Giford.
Atij iu kujtua, ose mendoi se iu kujtua, vesku gazmor i zërit të saj.
Jam DonaldPlant. Nuk të kam takuar qysh prej moshës dymbëdhjetë vjeçare.
Oh-h-h! – britma ishte tejet e befasuar, shumë e sjellshme, por ai nuk mundi të dallonte as gëzim dhe as ndonjë shenjë njohjeje në të.
Donald! – vazhdoi zëri. Këtë herë kishte diçka më shumë në të sesa orvatjet në kujtesën e saj.
…kur je kthyer në qytet? – pastaj me përzemërsi, – Ku ndodhesh?
Jam jashtë në aeroport – vetëm për pak orë.
Epo, eja të më takosh.
Je e sigurt që nuk do të flesh?
Zot i madh, jo! – thirri ajo. – Isha ulur – dhe po pija uiski vetëm. Thjesht thuaji taksistit…
Gjatë rrugës Donaldi analizoi bisedën. Fjalët e tij “në aeroport” tregonin se ai e kish ruajtur pozitën e tij në borgjezinë e lartë. Vetmia e Nensit mund të tregonte se ajo kish përfunduar në një grua jo-tërheqëse dhe pa miq. Bashkëshorti i saj mund të ndodhej ose larg, ose në gjumë. Dhe – duke qenë se nëëndrrat e tij ajo ishte gjithmonë dhjetë vjeç – uiski e tronditi. Por ai e mblodhi veten me një buzëqeshje – ajo ishte thuajse tridhjetë vjeç.
Në fund të një rruge gjarpërushe ai pa një bukuroshe të vogël flokë-zezë përkundrejt një dere të ndriçuar, me një gotë në dorë. I shtangur nga trajta e saj përfundimtare, Donaldi doli nga taksia, duke thënë:
Zonja Gilford?
Ajo ndezi dritën e verandës dhe e vështroi, e befasuar e ngurruese. Një buzëqeshje ia behu në shprehjen e pështjelluar.
Donald – qenke ti –epo, të gjithë ndryshojmë. Oh, është e mahnitshme!
Teksa u futën brenda, zërat e tyre zhurmuan “gjithë këto vite,” dhe Donaldi ndjeu një gropë në stomak. Kjo i vinte pjesërisht nga një vegull i takimit të tyre të fundit – kur ajo kish kaluar pranë me një biçikletë, duke mos ia hedhur as sytë – dhe pjesërisht nga frika se ata nuk kishin asgjë për të thënë. Ishte si një ribashkim kolegji – por atje dështimi për të gjetur të shkuarën fshihej nga rasti i ngutshëm e i shfrenuar. I lebetitur, ai e kuptoi që kjo mund të ishte një orë e gjatë dhe e zbrazët. Shpresëhumbur, ai u hodh në veprim.
Ti ke qenë gjithmonë e këndshme. Por u habita kur pashë sa e bukur je bërë.
Funksionoi. Njohja e menjëhershme e ndryshimeve të tyre, komplimenti i guximshëm, i bëri dy të huaj interesantë dhe jo më miq humbamenë fëmijërie.
Dëshiron një gotë uiski? – pyeti ajo. – Jo? Të lutem mos mendo se jam bërëpijanece e fshehtë, por kjo ishte njënatëe trishtuar. Prisja burrin por ai më telefonoi që do të qëndronte edhe dy ditë. Është shumë i mirë, Donald, shumë tërheqës. Pak a shumë tipi dhe çehrja jote. – Ajo ngurroi. – Dhe mendoj se mendoj se është i interesuar për dikë në Nju Jork – por nuk e di.
Duket e pamundur tani që të pashë, – e siguroi ai. – Unë kam qenë i martuar për gjashtë vjet, dhe ka qenë një kohë kur e kam torturuar veten në atë mënyrë. Pastaj një ditë prej ditësh e përzura xhelozinë nga jeta ime përgjithmonë. Pasi gruaja ime vdiq isha shumë i lumtur për atë gjë. Më la kujtime mjaft të çmuara – pa asnjë cen apo të metë, apo diçka për të cilën ish vështirë të mendoje.
Tek ai fliste, ajo e vështroi me vëmendje, e mandej me përdëllesë.
Mëvjen shumë keq, – i tha ajo. – Dhe pas një çasti me vend, – Ti ke ndryshuar shumë. Ktheje kokën. Mbaj mend babanë që thoshte, “Ka tru ai djalë.”
Ti ndoshta nuk ishe dakord.
Unë habitesha. Deri atëherë kujtoja se të gjithë kishin tru. Prandaj mëështë ngulitur në mendje.
Çfarë tëështë ngulitur tjetër? – e pyeti ai duke buzëqeshur.
Papritmas Nensi u ngrit dhe me shpejt u largua pak.
Ah tani, – tha ajo me qortim. – Nuk është e drejtë! Ma do mendja isha një vajzë budallaqe.
Jo, nuk ke qenë budallaqe, – i tha ai me vendosmëri. – Dhe tani e dua një gotë.
Teksa ajo hidhte pijen, me fytyrën të pakthyer nga ai, ai vazhdoi:
Mendon se ishe e vetmja vogëlushe që ishte puthur?
Të pëlqen kjo temë? – pyeti ajo. Shumë shpejt pezmatimi i çastit u nemit dhe tha. Dreq – o – punë! Ç’qejf kemi bërë. Si te kënga.
Mbi slitë.
Po – dhe pikniku i dikujt – nga TrudiXhejms. Dhe nëFrontenakun që – ato vera.
Ai kujtonte më shumëslitën dhe kur kish puthur faqet e saj të ftohta në kashtë në një cep teksa ajo qeshte me yjet e bardhemë e të ftohtë. Çifti pranë tyre i kish kthyer shpinën dhe ai i kish puthur qafën e vogël dhe veshët dhe kurrë buzët.
Dhe festa e Maskave ku luajtën postash dhe unë nuk shkova dot sepse më kishin zënë shytat, – tha ai.
Nuk më kujtohet kjo.
Oh, aty ishe. Dhe ishe puthur edhe unë u tërbova nga xhelozia si kurrë ndonjëherë.
Çudi që nuk më kujtohet. Ndoshta kam dashur ta harroj.
Por përse? – e pyeti ai plot qejf. – Ne ishim dy fëmijë krejt të pafajshëm. Nensi, sa herë i flisja gruas sime për të shkuarën, i thosha se ti ishe vajza që kisha dashuruar thuajse aq sa dashuroja edhe atë. Por mendoj që vërtetë të doja po aq shumë. Kur u larguam nga qyteza unë të mora me vete si një gjyle brenda shpirtit.
Kaq shumë…më dëshiroje?
Oh Zot, po! Unë – Papritmas ai e kuptoi që të dy ishin vetëm gjysmëmetri larg njëri-tjetrit, që ai po fliste sikur e donte në të tashmen, që ajo po e vështronte me buzët gjysmë të hapura dhe më një vështrim të mjegulluar në sytë e saj.
Vazhdo, – i tha ajo, – më vjen turp të them se – më pëlqen. Nuk e dija që atëherë ishe kaq i mërzitur. Unë kujtoja se isha unë e mërzitur.
Ti! – thirri ai. – Nuk të kujtohet si më dhe duart tek farmacia. – Ai qeshi. – Më nxore gjuhën.
Nuk më kujtohet aspak. Mua më dukej sikur ti më dhe duart. – Dora e saj ra lehtë, thuajse ngushëllimtare mbi krahun e tij. – Kam një album me fotografi sipër që nuk e kam parë prej vitesh. Po e nxjerr.
Donaldi qëndroi ulur për pesë minuta me dy mendime – i pari, pamundësia e pashpresë për të ribashkuar atë çka njerëzit e ndryshëm kujtonin për të njëjtën ngjarje – dhe i dyti, që në një farë mënyrë Nensi e trazonte si grua po aq sa e kish trazuar edhe si fëmijë. Për gjysmë ore atë e kish pushtuar një emocion që ai nuk e kishte ndjerë qysh prej vdekjes së gruas – që ai nuk kishte shpresuar kurrë se mund ta ndiente sërish.
Ulur krahë për krahë në një divan, ata e hapën albumin mes tyre. Nensi e vështroi e buzëqeshur dhe e gëzuar.
Oh, sa qejf, – tha ajo. – Sa qejf që ti je kaq i mirë, që më kujton kaq – bukur. Ja ku po ta them – sa do të doja ta kisha ditur atëherë! Pasi ti ike unë të urreva.
Sa keq, – tha ai ëmbëlthi.
Por jo tani, – e siguroi ajo, dhe pastaj aty për aty, – Pajtohemi.
…kjo nuk tregon se jam grua e mirë, – tha ajo pas një minute. – Nuk mendoj se kam puthur dy burra që kur jam martuar.
Ai ishte i ngazëllyer – por mbi të gjitha i pështjelluar. E kishte puthur vallë Nensin? Apo vallë ishte një kujtim? Apo kjo e huaj bukuroshe, e ethshme, e cila shumë shpejt e largoi vështrimin nga ai dhe ktheu një faqe nga albumi?
Prit! – tha ai. – Nuk mendoj se mund ta shikoja dot një fotografi për pak sekonda.
Nuk do ta bëjmë sërish. As unë nuk ndihem e qetë.
Donaldi tha një nga ato gjërat e parëndësishme që mbulojnë shumë.
A nuk do të ishte e tmerrshme sikur të binim sërish në dashuri?
Mjaft! – Ajo qeshi, por duke iu marrë fryma. – Ka marrë fund. Ishte një çast. Një çast. Një çast që unë duhet ta harroj.
Mos i trego burrit.
Përse jo? Zakonisht unë i tregoj gjithçka.
Do ta lëndosh. Mos i trego kurrë një burri gjëra të tilla.
Në rregull nuk do t’i tregoj.
Më puth edhe njëherë, – i tha ai i çoroditur, por Nensi e kishte kthyer faqen dhe po tregonte me gisht e me padurim fotografinë.
Ja ku je, – thirri ajo. – Mu këtu!
Ai e vështroi. Ishte një djalosh i vogël me pantallona të shkurtra mbi një mol me një barkë në sfond.
E mbaj mend shumë mirë – qeshi ajo e ngadhënjyer – ditën kur është shkrepur. E shkrepi Kiti dhe unë ia vodha.
Për një hop Donaldi nuk e njohu veten në fotografi – pastaj, duke u përkulur më afër, nuk e njohu fare.
Ky nuk jam unë, – tha ai.
Oh, po. Ka qenë në Frontenak – verën kur ne – shkonim te shpella.
Çfarë shpelle? Unë kam qenë vetëm tri ditë në Frontenak. – Ai i sforcoi sërish sytë mbi fotografinë paksa të zverdhur. – Dhe ai nuk jam unë. Është Donald Bouers. Ngjanim goxha.
Tani ajo ia kish ngulur sytë fort – duke u sprapsur, sikur duke u larguar prej tij.
Por ti Donald Bouers je! – thirri ajo. Zëri i saj u ngrit pak. – Jo, nuk je ai. Ti je Donald Plant.
Unë të tregova të telefon.
Ajo u ngrit në këmbë – fytyra e saj u lebetit disi.
Plant! Bouers! Duhet te kem luajtur mendsh. Apo e kam prej asaj pijes? U hutova pak kur të pashë në fillim. Shiko këtu! Çfarë të kam thënë?
Ai u rrek të mbante një qetësi prej kallogjeri teksa kthente faqen e albumit.
Asgjë, – tha ai. – Fotografitë ku ai nuk ishte pjesë merrnin trajtë sërish e sërish në sytë e tij. – Frontenak – një shpellë – Donald Bouers – Ti më dhe duart!
Nensi i foli që prej anës tjetër të dhomës.
Nuk ke për ta treguar kurrë këtë histori, – tha ajo. – Historitë e gjejnë mënyrën dhe përhapen.
Nuk ka asnjë histori, – ngurroi ai. Por mendoi: Pra ajo ishte një vajzë e vogël e keqe.
Dhe tani, papritmas, ai u mbush me një xhelozi të tërbuar për Donald Bouersin e vogël – ai, që e kish dëbuar xhelozinë përgjithmonë nga jeta e tij. Në pesë hapat që hodhi nëpër dhomë ai i kërdisi njëzetë vitet si edhe ekzistencën e Uolltër Gifordit bashkë me hapin e tij.
Puthmë sërish, Nensi, – tha ai, duke ulur njërin gju pranë karriges së saj, duke ia vënë njërën dorë mbi shpatull. Por Nensi u spraps.
The se ke një avion për të kapur.
Nuk është asgjë. Mund ta humbas. Nuk ka rëndësi.
Të lutem ik, – tha ajo me një zë të ftohtë. – Dhe të lutëm përpiqu ta mendosh se si ndihem.
Por ti po sillesh sikur nuk më njeh, – thirri ai – sikur nuk e mban mend Donald Plantin!
E mbaj mend. Edhe ty të mbaj mend…Por ka kaluar kaq shumë kohë. – Zëri i saj u bë sërish i vrazhdë. – Numri i taksisë është Krestud 8484.
Rrugës për në aeroport Donali shkundi kokën. Tani ishte krejt vetvetja por nuk po e përtypte dot përvojën. Vetëm kur avioni uturiu sipër në qiellin e zi dhe pasagjerët e tij u bënë një tjetër ekzistencë nga bota poshtë e përbashkët, ai bëri një paralele të faktit të fluturimit të tij. Për pesë minuta të verbra ai kish jetuar si një i marrë brenda dy botëve në të njëjtën kohë. Kish qenë një djalosh dymbëdhjetë-vjeçar dhe një burrë tridhjetë e dy- vjeçar, i trazuar në mënyrë të pazgjidhshme e të pashpresë.
Donaldi kishte humbur mjaft, gjithashtu, në ato orë mes fluturimeve – por duke qenë se gjysma tjetër e jetës së tij është një proces i gjatë për t’i hequr qafe gjërat, ajo përvojë ndoshta nuk kishte rëndësi.
(Përktheu Griselda Zaimi)
Burimi/Facebook


Leave a Reply