ABAZ DOJAKA
(Gjysma e dytë e shek. XIX deri në prag të Çlirimit).
Martesa është një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së njeriut. Ajo është baza e krijimit të familjes.
Martesa dhe familja, si dukuri shoqërore, kanë karakter historik. Në procesin e zhvillimit të shoqërisë ato pësojnë ndryshime. Ndryshimet e bazës ekonomike, të strukturës social-klasore, të rendit politik, të jetës shpirtërore etj. kanë sjellë ndryshime në martesë e në familje, në format e tyre, në përmbajtjen dhe funksionet e tyre shoqërore. Por, siç dihet, ndryshimet e jetës shoqërore nuk pasqyrohen menjëherë në familje dhe në martesë, prandaj, shpeshherë, në zakonet e jetës familjare e të martesës, ndeshën mbeturina, që u takojnë formacioneve ekonomiko-shoqërore të kaluara, madje edhe shoqërisë së lashtë.
Në këtë punim do të përqëndrohemi më tepër në martesën që i përgjigjet familjes fshatare, e cila, para Çlirimit, përbënte shumicën dërrmuese të familjes shqiptare dhe karakterizohej nga mbeturina patriarkale. Në të njëjtën kohë do të prekim edhe martesat në klasat dhe shtresat e tjera të shoqërisë.
Në popullin tonë, në gjysmën e dytë të shekullit XIX deri në vitin 1929 (me vendosjen e Kodit Civil të mbretërisë shqiptare) martesat lidheshin sipas normave të së drejtës zakonore shqiptare. Por normat e kësaj së drejte në krahinat dhe zonat e viseve të ndryshme shqiptare nuk zbatoheshin njësoj. Në zonat malore ato ishin më të forta, ndërsa në zonat e ulëta dhe në qytete ishin dobësuar mjaft, duke u zëvendësuar me norma të reja, që i përgjigjeshin zhvillimit më të madh ekonomik e shoqëror të këtyre zonave.
Edhe në lidhjet martesore brenda zonave fshatare, vihen re ndryshime, që janë si pasojë e ndikimit të normave të së drejtës kanonike dhe të së drejtës së sheriatit mbi të drejtën zakonore.
Por, pavarësisht nga larmia e zakoneve të martesës që vihet re në popullin tonë, në të vërtetë në to duket qartë njësia e tyre, të cilën jemi përpjekur ta nxjerrim në pah.
Deri në prag të Çlirimit në vendin tonë martesa ruajti, në përgjithësi, karakterin e lidhjeve të vjetra të saj: një marrëveshje e bërë midis dy familjesh ose midis prindërish, pa pyetur ata që do të martoheshin. Kjo ishte një dukuri e përgjithshme për shqiptarët. Por, më e theksuar ka qenë në klasat e pasura që nusen e djalit të kërkonin ta gjenin doemos nga klasa e tyre. Për këto familje martesa ishte më shumë një marrëveshje për forcimin e pozitës së tyre, fuqisë dhe pasurisë së shtëpisë. Rolin vendimtar këtu duhej ta luanin interesat e shtëpisë dhe jo dëshirat e të rinjve. «Nga interesi ekonomik, — shkruan shoku Enver Hoxha, — lind «epërsia» e mashkullit mbi femrën, lind autoriteti patriarkal mbi fëmijët, lindin m artës at pa dashuri, por të pleksura të autorizuara nga prindërit dhe të palejueshme pa pëlqimin e tyre». 1
Në zonat malore, marrëdhëniet familjare martesore trajtoheshin kryesisht sipas normave të së drejtës zakonore.
Sipas saj, djali dhe vajza nuk kanë të drejtë të memdojnë për martesën e vet. «Djali sa të ketë prind, — thuhet në Kanunin e Lekë Dukagjinit, — s’ka tagër me mendue për martesë të vet». 2 Kjo ishte më e theksuar për vajzën, e cila, edhe nëse nuk i kishte prindërit nuk kishte të drejtë «me mendue për martesë të vet, tagri asht në dorë të vëllazënve e të kushërinjve, ajo do të shkojë për atë për të cilën ta fejojnë». 3 Të njëjtat norma përfshihen edhe në Kanunin e Skënderbeut, në Shartet e Idriz Sulit etj.
Materiali i mbledhur prej nesh dhe të dhënat e shumta që ndodhen në arkivin etnografik tregojnë se, në përgjithësi, të rinjtë nuk pyeteshin për këtë ngjarje kaq të rëndësishme të jetës së tyre.
Në krahinat me fshatarë pronarë të vegjël dhe në zonat çifligare, megjithëse e drejta zakonore ishte dobësuar mjaft, normat e saj të martesës, të gërshetuara me normat e së drejtës kanonike dhe të sheriatit, qëndruan më gjatë dhe ishin ato që rregullonin lidhjet martesore. Megjithatë, të rinjtë (sidomos djemtë) pyeteshin, por mendimi i tyre në përgjithësi nuk mund të prishte dëshirën e prindërve.
Kështu ka ndodhur edhe në shtresat zejtarë dhe tregtare të qytetit, ku familje të ndryshme të së njëjtës klasë ose shtresë lidheshin me krushqi ndërmjet tyre. Krushqia më e përshtatshme edhe në këtë pjesë të popullsisë së qyteteve, varej jo nga dëshira e të rinjve, por nga interesi i familjes, pavarësisht se merrej miratimi formal i të rinjve.
Pa dyshim, pushteti absolut i prindit i detyrohej dhe pozitës që zinin fëmijët në ekonominë e shtëpisë. Në shumë zona djali nuk kishte pasuri të vetën. Pasuria ishte e përqëndruar në dorën e zotit të shtëpisë. Kështu që fëmija, së bashku me të tjerët, ishte e detyruar të punonte në pronën e përbashkët të familjes. Duke mos pasur asnjë lloj të ardhure, i riu nuk ishte në gjendje të përballonte shpenzimet për martesën e vet, (përgatitjet e pajës, harxhimet për dasmën etj.).
Në një pozitë akoma mo të nënshtruar ka qenë vajza, e cila nuk pyetej për këtë çështje. Zënia i bëhej e ditur nga e ëma ose ndonjë grua tjetër e shtëpisë. Në kushtet e ekzistencës së moralit feudo-patriarkal, vajzës as që i shkonte ndërmend ndonjëherë se mund të plotësoheshin ëndrrat e rinisë së saj, prandaj ajo shkonte për atë me të cilin e fejonin. «Në Shqipëri, — shkruante Pashko Vasa, — kurrë nuk pyeten zemrat e vashave, kur është fjala për martesë, prindërit bëjnë si duen vetë me to. Të ankohej ose të reagonte kundër vullnetit atëror, kjo gjë do të ishte një krim që vajza e ndershme nuk do të guxonte kurrë ta bënte». 4
Për zgjedhjen e nuses kujdesej i zoti i shtëpisë, i cili këshillohej jo vetëm me burrat e familjes, por, shpeshherë, edhe me burrat e vëllazërisë dhe të farefisit të vet.
Në krahinat ku vepronte e drejta zakonore, veçanërisht në zonat malore me zhvillim ekonomik e shoqëror më të ulët, autoriteti i të zotit të shtëpisë shfaqej më i fuqishëm dhe fjala e tij vështirë se mund të shkelej. Ndërsa në fshatrat me çifligje me fshatarë të zhveshur nga pronësia mbi tokën, autoriteti i tij ishte më i vogël dhe prandaj ndodhte ndonjëherë që të rinjtë të martoheshin pa pëlqimin e prindërve. Por në këto zona ushtronin një ndikim të madh beu dhe agai, të cilët shpeshherë i detyronin të rinjtë të merrnin si bashkëshorte të zgjedhurit e tyre.
Në zonat pranë qyteteve, në vetë qytetet dhe veçanërisht në disa krahina të Shqipërisë Jugore dhe Juglindore vihet re një farë largimi nga këto parime patriarkale-feudale. Në klasat e pasura, sidomos të qytetit, po edhe të fshatit, autoriteti i prindit po merrte tiparet e pushtetit patriarkal-borgjez, i cili më shumë e më hapët se kushdo i shihte të gjitha marrëdhëniet nën prizmin e parasë e të fitimit.5
Në përgjithësi, me anë të martesës, i zoti i shtëpisë përpiqej të forconte pozitën ekonomike dhe shoqërore, duke lidhur krushqi me shtëpi të së njëjtës shtresë.
Në zgjedhjen e nuses ai kujdesej që vajza të qe në rangun e tij, nga shtëpi e mirë, me kamje, punëtore. Nga ana e tij, edhe babai i vajzës kishte të njëjtat kërkesa për djalin. Sigurisht, duhet bërë dallimi i lidhjeve martesore në mes klasave dhe shtresave të ndryshme të popullsisë. Nuk ndodhte që të lidheshin martesa mes familjesh të pasura dhe të varfëra. Martesa bëhej brenda klasës apo shtresës së popullsisë, kjo ishte e përgjithshmja. Megjithatë, ka patur raste që djem nga klasat e pasura (nganjëherë edhe me të meta fizike e mendore) ose burra të kaluar në moshë, të merrnin vajza nga shtresa të varfëra.
Në popullin tonë ndërmjetësimin për martesën e dy të rinjve mund ta merrte kushdo që njihte të dy familjet dhe që e shikonte të përshtatshme lidhjen e tyre me krushqi. Por, kudo në Shqipëri, një rol të madh në këtë drejtim kanë luajtur bijat e martuara, të cilat bëheshin ndërmjetëse për martesën e motrës, kushërirës, vëllait apo kushuririt të tyre. Dhe, pavarësisht se kush do ta bënte rekomandimin, si rregull, iniciativën për kërkesë e merrte pala e djalit. Ka patur edhe raste që ana e vajzës të bënte kërkesë. Sigurisht, kjo e fundit nuk ka të bëjë dhe nuk është mbeturinë e formës së vjetër të ndërmjetësimit, që i përket periudhës së matriarkatit, kur nëna interesohej dhe ndërhynte për martesën e fëmijëve. Kjo është një dukuri e vonë, që, sipas mendimit tonë, përkon me zhvillimin e marrëdhënieve kapitaliste në Shqipëri. Ky lloj ndërmjetësimi praktikohej më shumë në shtresat e pasura të popullsisë dhe zbatohej më tepër në qytete.
(1)
Enver Hoxha, Mbi problemin e gruas, Tiranë, 1973, f. 254.
(2)
Kanuni i Lekë Dukagjinit (KLD), Shkodër, 1933, § 40.
(3)
Po aty, § 31.
(4)
Pashko Vasa, Bardha e Temalit, Prishtinë 1969, f. 25-26.
(Fotoja ilustruese eshte vene nga ana jone -Alba – Dansk)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply