Midis qytetit të Deauville, një qytet mjat i bukur ku janë dyndur të pasurit dhe Honfleur, një qyteze me nje « port de Plaisance », pra për anije të vogla, ndodhet qyteti i Trouville i cili ka diçka më të veçantë : ndoshta ngrohtësinë njerëzore. Një plazh popullor, ndërtesa të vjetra të ngritura që para një shekulli e gjysmë, sheshet, rrugët e ngushta që i ngjiten kodrinës dhe ndërtesat mbartin histori njerëzish të shquar, veçanërisht piktorë dhe shrimtarë. Madje stolat buzë detit ku njerëzit ulen të lexojnê një libër apo ndjejnë flladin e të shijojnë bukurinë e detit, kanë emrat e tyre, mes të cilëve Marcel Proust, Claude Monet, Marguerite Duras, Camille Corot, Eugène Baudin e shumë të tjerë, të cilët në jetën e tyre e kanë dashur shumë këtë qytet. Ja pse në historinë e artit francez ka një shkollë arti që quhet « Shkolla normande » ku piktorët ishin të dehur pas natyrës, pllajave dhe kodrinave të gjelbërta, qiejve plot re dhe gjithnjë në lëvizje, perëndimeve të mrekullueshme. Por dhe shkrimtarët gjithashtu ranë në dashuri me këtë qytet duke filluar me Flobert, Beaudelaire, Marcel Proust, Marguerite Duras… Në shëtitoren buzë detit është « Hotel Flobert », hoteli ku dikur vinte të qëndronte shkrimtari i shquar. Po kështu fotografitë e Proust i sheh në krye të portës së « Les Roches Noirs », një hotel i dikurshëm ku ai vinte dhe prehej buzë detit dhe ku në në njëjtën ndërtesë, në vitin 1963, Marguerite Duras bleu apartamentin që e mbajti deri atë ditë kur vdiq, me dritaret buzë detit. Detin dhe brigjet e Trouville i gjej në shumë prej romaneve të saj. Një tjetër foto e Proust është dhe në ballë të një ndërtese normande që quhet « Villa persanne » të cilën ai e përshkruan në romanet e tij. E shoh këtë vilë, përballë dritares ku kam ardhur dhe në cep, ana saj, pak më poshtë shfaqet një ndërtesë e çuditshme në formën e një kështjelle në miniaturë : quhet Kulla Malakoff, një kullë e ndërtuar buzë detit nga piktori Mazin. Jam kureshtar të di përse ai e ndërtoi këtë kullë dhe në kujtim të kujt, vallë të ndonjë gjyshi që kishte luftuar në mesin e shekullit XIX kundër rusëve, ku francezë dhe turq kësaj rradhe ishin aleatë ?… Vështroj vilën persane dhe nuk di pse në buzëmbrëmje, me rënien e muzgut, më shfaqet hija e Proust që endet diku aty rrotull, me dashurinë e tij për këto brigje, ashtu si dhe në Cabourg, për tu shëruar nga azma me flladin detar. Atëherë zbres shkallaren e quajtur « Marguerite Duras » dhe mendoj për dehjen e saj buzë dritareve në perëndimet e mrekullueshme të Trouville, detin e tërhequr shumë larg në zbaticë, reflekset e rërës së largët dhe së fundi s’di pse më shfaqet imazhi i meshës funebre për të në kishën e Saint-Germain-dès-Près në Paris, kur artistët e kinemasë dhe shkrimtarët i linin përshëndetjen e fundit.
Këto ditë jam me një mikun tim francez, produktor filmash. Ai po kërkonte të gjente një ndërtesë ku fëmijë vinte atje me familjen e tij dhe diku në lartësi më tregon një shtëpi tjetër që lidhet me një nga figurat e kinematografisë franceze, aktorin Gerard Depardieu. I kujtohej ajo ditë kur me aktorin e shquar ishte në Trouville dhe ai i kerkoi të shkonin të shikonin shtëpinë e tij të dikurshme që kishte blerë dikur për familjen e tij. Para shumë dekadash ajo shtëpi me oborr dhe disi idilike kishte qenë një “shtëpi gëzimi”, apo ndryshe “maison close” ose më saktë një bordello. Por ai e pëlqeu se pamja përballë saj ishte magjepëse. Aty kalonte muajt e verës me gruan dhe dy fëmijët e vegjël e tij. Por pas thuaj një dekade, Depardieu ishte ndarë me gruan dhe shtëpinë ia kishte lënë asaj dhe fëmijëve. Ishte vjeshtë dhe Depardieu i kishte kërkuar mikut tim të ngiteshin dhe ta shihnin atë vilë plot kujtime. Por i gjendur ballë saj, Depardieu donte të hynte brenda edhe pse tashmë nuk ishte shtëpia e tij dhe nuk kishte çelësa. Por kureshtja e shtyu atë të thyente barrierën dhe të hynte. Miku im e ndoqi pas por shpejt e kuptoi se Depardieu, duke vështruar sallonin, fotografitë, shtratin e tyre të dikurshëm, verandën ku shpesh pinin verë, objektet që kishhin blerë sëbashku, e kuptoi se aktori po përjetonte diçka tronditëse brenda qenies së tij. Ai i kërkoi të ktheheshin, por aktori i “Noveçento”-s së Bertoluci-it nuk pranonte të shkëputej nga ato mjedise ku dikur kishte qenë aq i lumtur. Tashmë malli i mungesës e kishte transformuar atë, i kishte njomur sytë, e kishte bërë të murmuriste emrin e saj, ta thërriste që të ishte me të, sërish bashkë. Dukej se një forcë magjike e kishte tërhequr nga Parisi drejt asaj vile ku dikur kishte jetuar lumturinë familjare, magjinë e familjes. Ishin çaste kur ndjesia e turpit për ta kërkuar sërish, e fyrerjes së egos së burrit atë çast nuk nuk ekzistonin më për të.
C’kishte ndodhur atë pasdite me aktorin e famshëm për të cilin shumë femra të botës dëshironin ti jepeshin atij? C’vlerë kishte një natë shtrati kur ai kishte humbur atë prehje familjare që e mbushte me një lumturi të pakufishme dhe dehëse. Si vallë kishte ndodhur kjo? Përse?… Ndoshta tani mallkonte veten por vitet kishin kaluar, dhe tek kthehej me mikun e tij drejt qytetit, e kuptonte se çfarë kishte humbur nga kjo jetë. Padyshim duhet të ketë qenë një skenë e vërtetë filmi, e gjithë kjo, të cilën nisa ta përfytyroja ndërkohë që miku im ma tregonte pothuaj në trisht. Duke zbritur ai më tha se me Gerard Depardieu ai kishte realizuar 15 filma si produktor, një prej të cilëve « Të Mjerët » që ishte një kryevepër. Madje tek kalonim pranë shkallareve me emrin e Duras, ai më tha se kishte qenë pikërisht Duras, e cila në atë kohë realizonte filma mbështetur në romanet e saj, që i kishte treguar sekretet e frazës letrare, vlerësimit të tekstit, kishte bashkëpunuar me të se si duhej të vlerësohej një tekst në kuadrin e fjalës aktoriale, kinemtografisë, ndërkohë që po bashkë ishin amatorë të mëdhenj të verës, alkoleve të forta, uiskit dhe sigurisht të dashurisë… Ajo ishte mjeshtrja e shkrimit, ndërsa ai, mjeshtri i interpretimit, dhuntia e krijimit të personazhit para kameras. Dhe kështu Depardieu kishte mësuar jo pak nga ajo shkrimtare, e cila na dhuroi romane të mrekullueshme neve si lexues, duke filluar me « Dashnori », një nga romanet më të mira të saj.
Cdokush që vjen në Trouville ndjen një ndjesi ekzaltimi, çka sot më ndodh dhe mua…


















Burimi/Facebook


Leave a Reply