….Kur dëgjoi fjalën “frikë”, Tefiku u drodh.–Ke të drejtë, Gjergj, ke shumë të drejtë: ne nuk jemi çliruar ende nga frika. Do të tregoj diçka që më ka ndodhur disa vjet pasi isha liruar nga burgu, –tha Tefiku dhe fytyra iu vesh me një tis të kuq.
Gjergji e vuri re mirë këtë detaj dhe në sytë e tij lexoi frikë të përzier me një lloj pendimi, ose të paktën kështu iu duk.
Tefiku ngriti vështrimin dhe nisi rrëfimin:
–Një ditë ndodhesha në Durrës. Kisha shkuar te një i afërmi im për ngushëllim. I kishte vdekur babai. Zbrita nga furgoni te stacioni i trenit dhe u nisa më këmbë për te shtëpia e tij. Ai banonte diku te “Lagjja e re”, siç i thoni ju durrsakët.
Ishte ora dhjetë e mëngjesit. Po kaloja përpara pallatit të sportit dhe papritur u gjenda përballë një morie të madhe njerëzish. Për një çast u befasova, po kur pashë mallrat e ekspozuara në tokë dhe mbi tezga të sajuara, u kthjellova. Ishte tregu i shitjes.
Kureshtja më tërhoqi dhe mendova t’i hidhja një sy. Kohë kisha. Nisa të shikoja mallrat që njerëzit kishin nxjerrë në shitje. Ç’është e vërteta, kurrë nuk kisha parë aq shumë mallra më parë. Në kohën e Enverit mallrat e të gjitha llojeve ishin me pikatore.
Nejse. Pasi i rashë rreth e përqark parkut sportiv ku shtrihej tregu, e pasi bleva diçka, u nisa tek i afërmi im. Po hasja vështirësi për të çarë, pasi, siç të thashë, njerëzit ishin të shumtë dhe mezi kaloje.
Duke hedhur vështrimin përpara, sytë më ndeshën dikë. Po vinte drejt meje. M’u duk i njohur, por nuk po kthjellohesha. Kishte vënë në kokë një kapelë nga ato që mbajnë burrat e shkuar në moshë dhe kishte lënë mustaqe, që më bënë të dyshoja në sigurinë time nëse ishte apo nuk ishte ai.
Nuk po ia ndaja sytë. Po ashtu edhe ai. Iu afruam aq shumë njëri-tjetrit, sa krahët tanë u prekën gjatë shkëmbimit. Ai më vështronte me ngulm, pa m’i ndarë sytë. Të njëjtën gjë dhe unë, por e vështroja nga poshtë, pasi ai ishte më i gjatë se unë. “Ku e kam parë këtë fytyrë?” –pyeta veten, por nuk po i bija në të.
Kureshtja nuk po më linte dhe ktheva kokën pas ta shihja. Edhe ai ktheu kokën e po më vështronte në ecje e sipër. Kur sytë tanë u ndeshën përsëri, ai ua dha këmbëve me të shpejtë, duke çarë me duar e bërryla midis njerëzve të shumtë.
Në çast u kujtova se cili ishte. Sytë e tij si të gjarprit dhe ecja prej malësori nuk mund të më gënjenin më. Ishte kapteri nga Kukësi, ai mo, ai kafsha trupmadh. Të kujtohet si quhej? Ah, po, Rizai.
Një injorant pa shkollë, që edhe shqip nuk dinte mirë. Kishte qenë partizan dhe e kishin veshur polic. U ktheva menjëherë dhe iu vura pas, por ai ia dha vrapit sapo kuptoi që po e ndiqja. Më hipi gjaku në kokë. Isha betuar në kamp se, po ta shihja ndonjëherë jashtë tij, do ta vrisja, do të përdorja çdo mjet për t’ia marrë jetën.
U bë një rrëmujë e madhe. Ndërsa vraponte, ai hodhi në tokë disa mallra të shitësve: rroba, nja dy ventilatorë të mëdhenj, pajisje elektrike etj. Po edhe unë po rrëzoja në tokë gjithçka që gjeja përpara.
Tërhoqëm vëmendjen e njerëzve, që po na shihnin të çuditur dhe njëkohësisht të frikësuar. Ata nuk po e kuptonin ç’po ndodhte. Nuk e mora vesh, se si mundi të kalonte aq shpejt në anën tjetër të rrugës dhe ia dha prapë vrapit. Munda t’i shihja vetëm kurrizin.
Makina të shumta vinin nga të dy krahët, ndaj bëra kujdes që të mos më shtypte ndonjëra dhe kalova në trotuarin tjetër, kur dy policë mbinë para meje e po më shihnin me ngulm. I mbajta këmbët dhe u mundova të ecja normal.
-Çfarë ke që vrapon? Kush është ai që po të ndjek? –më pyeti njëri prej tyre. Desha t’i thosha se cili ishte, se çfarë më kishte bërë, se si më kishte torturuar, por zëri nuk më doli nga gryka e tharë. Munda t’i thosha me gjysmë zëri se po vrapoja për t’iu shmangur makinave.
-Kij kujdes! –më tha polici tjetër dhe vazhduan rrugën. Nuk e ndoqa më. Ai më ishte zhdukur nga sytë, kishte humbur në morinë e njerëzve. Gjaku po më vërshonte edhe më shumë dhe sytë m’u errën fare.
Bulëza djerse më kishin mbuluar ballin. I fshiva me kurrizin e dorës. Kisha mbetur si i ngurosur aty. Po haja veten me dhëmbë. -Si më shpëtoi kështu, qeni i mutit!– thashë me vete dhe menjëherë m’u kujtuan vitet e burgut, torturat që kisha pësuar, vuajtjet e shumta që kisha hequr aty.
Këmbët nuk po më shtynin më tej. M’u ngjeth trupi kur mendova se, nëse do ta kisha kapur e ta godisja apo ta vrisja me ç’kisha në dorë, do të shkoja përsëri në burg. Ky mendim më frenoi. M’i lidhi këmbët dhe nuk e ndoqa më tej.
Frika se policët do të dyshonin e do të më viheshin në ndjekje më bëri të tutesha. M’u duk më e shtrenjtë liria jashtë hekurave sesa hakmarrja ndaj tij. Më vjen turp që ta them, por kështu më ndodhi. Më pas pata frikë. Hija e tyre, hija e xhelatëve tanë, na ndjek edhe në ëndrra. Nuk kemi mundur të çlirohemi prej tyre……
Burimi/Facebook


Leave a Reply