Pas sigles që shoqëronte mbylljen e edicionit të darkës Ana u ngrit nga paneli ku jepte lajmet, mori çantën dhe duke i uruar natën e mirë çunave në studio fluturoi nëpër shkallë. Poshtë e priste Aldo i fejuari i saj prej pak kohësh, i dashuri i saj prej një jete. Ndihej e lumtur, sikur vallëzonte ndërsa zbriste shkallët dy e nga dy, ndihej çuditërisht e lumtur aq sa kjo lumturi e trëmbte. U ndal te porta prej xhami ku i dha një të krehur me gishta flokëve te zinj, pá buzëqeshjen e saj reflektuar në xham e ju duk sikur zëri i ëmbël i Aldos i pëshpëriti lehtë pas veshit: “Cilit engjëll ja ke vjedhë buzëqeshjen?”
Ishin fjalët që ai ia kish thënë vite më parë, pikërisht në çastin kur kishin shkëmbyer puthjen e parë.
Në rrugë e priste Aldo. Ai po mundohej të vinte në vend njërën prej fshirëseve të xhamit të makinës e cila nga gomina e konsumuar kishte lënë një shenjë gërvishtjeje të lehtë në xhamin parësor.
– Mjaft u kujdese për “Ferrarin” tënd, – i tha Ana me të qeshur.
– Për mua kjo makinë vlen më shumë se Ferrari, – ia ktheu Aldo me një të puthur të shpejtë. – Pastaj ça ka Ferrari më tepër se Pezhoja ime? Ferrari ka kalin, Pezhoja ka gomarin si logo fisnikërie. Qeshën të dy ndërsa zunë vënd brenda makinës së tyre modeste. Ana u kujtua ndërkaq të ndizte celularin ku vërshuan sinjalet lajmërues të thirrjeve e mesazheve.
Mesazhi i parë ishte nga e motra – “Ciao bella! A ta vesh sonte fustanin tënd të kuq? Dmth e kam veshur 🙂”
Ana buzëqeshi, rituali i ndërrimit të rrobave me motrën i kujtonte fëmijërinë.
Mesazhi i dytë vinte nga një numër i panjohur. “Më telefono. Kam një ofertë interesante për ty. Ti nuk je femër për të ngrysur jetën në televizione lokale, ti je për Tirane. A.K”
Ana shtangu, për njl moment ai mesazh iu duk ogurzi. Nuk e kuptonte përse ato dy rreshta shkruar nga një numër i panjohur e bënin të ndihej aq keq.
Befas sytë iu ngulën në shenjën që kishte lënë gërvishtja e fshirëses në xhamin e parë.
– Çfarë ke shpirt?
Zëri i Aldos e zgjoi nga ajo përhumbje. Ajo sajoi një buzëqeshje por e ndiente se fytyra e tradhëtonte. Aldon nuk e kishte gënjyer kurrë.
– Dalim sonte? Është hapur një lokal i ri në piacë.
– Jo shpirt. Më ço në shtëpi, të lutem! Sonte nuk mundem, jam…
* * *
Nuk e kuptoi si i ngjiti shkallët e pallatit, madje nuk i kujtohej nëse i tha Aldos natën e mirë. Hyri me të shpejtë në dhomën e saj u ul në cep të krevatit dhe nuk ia ndante sytë ekranit të celularit. Ai mesazh iu duk i çuditshëm ndërsa e rilexonte për të disatën herë.
Për një çast mendoi mos ishte ndonjë rreng i sajuar prej miqve të saj dhe direkt i telefonoi numrit dërgues.
– Alo, – iu përgjigj një i panjohur me zë të trashë.
– Alo! Më falni. Kam marrë një mesazh nga ky numër, a mund ta di kush jeni? – Pyeti Ana me zërin e saj melodik.
– Aaa, po. Ti je ajo gazetarja e? – Iu përgjigj zëri harbut. Në fakt, ky është celulari i shefit tim, ai e lë në makinë kur është me familjen.
– Më falni, po kush është shefi juaj? – Pyeti e çoroditur Ana.
– E ç’rëndësi ka kjo? – Qeshi ai. – Pa merak se do i them unë që more. Nesër në mëngjes të telefonon ai.
– Unë nuk po kuptoj asgjë, – tha Ana, ndërkaq personi nga krahu tjetër e kishte mbyllur telefonin.
* * *
Atë natë Ana nuk vuri gjumë në sy, përpëlitej në krevat ndërsa në kokë i përziheshin qindra mendime absurde.
Të nesërmen në mëngjes teksa priste në kafenenë poshtë studios miken e saj Klaren, u dëgjua zilja e celularit.
Ishte numri me 40 i kish dërguar mesazh.
– Alo Ana. Mirmëngjes. Jam Agroni, deputeti që kishe të ftuar dje në studio. Ma hoqe trurin o goce. Më le pa fjalë, desh lashë nam në intervistë.
Ana dëgjonte pa folur. Një ngërç, si një dorë e padukshme i kish zënë fytin, ndërsa tjetri fliste shkujdesur
– Ti nuk je për të punuar në atë kotec pulash, je yll femër. Pa merak. Do bisedoj me një mikun tim që tl fillosh punë te Topi.
Rrogën do e kesh të mirë. Shtëpinë ta gjej unë, do sistemohesh shpejt, do bësh karrierë e do më jesh mirënjohëse përjetë.
– Më falni! – Ndërhyri e hutuar ajo. – Unë nuk kam kërkuar ndonjëherë ndihmë nga ju. Nuk ju njoh fare, as nuk më intereson të ju njoh. Kësaj here dukej që ngërçi kish zënë deputetin i cili po dëgjonte i shushatur.
– Unë jam vajzë e fejuar dhe jam e kënaqur në punën time, këtu në qytetin tim. Nuk më duhetj ndihma e askujt për të bërë karrierë, jo në atë mënyrë që mendoni ju të paktën.
– Çfarë thua moj? E di me kë po flet? – Mezi i doli zëri atij.
– Duket se nuk dini ju me kë po flisni, – iu hakërrye Ana e mbushur me mllef. – Unë nuk jam prej atyre femra që kanë nevojën tuaj. A keni familje, a keni grua a vajzë vetë? Si ju shkon mendja se me një ofertë të tillë mund të bëhem dashnorja juaj? Çfarë kujtoni se jam unë? Ndonjëra prej bushtrave të ekranit që shkarraviten zyrash e motelesh me pleq maniakë si puna juaj? Turp t’ju vijë. Unë nuk jam femer rrugash?
– Ashtuuu? – Hungëriu zëri nga ana tjetër e celularit. Deputeti ish mbytur nga djersë të ftohta prej atij reagimi të beftë.
– Ti qënke një femër debile, asgjë më shumë. Pyyyt të dhjefsha rracën. Kur keni pordhë edhe ju malokët e dreqit. Mos ki merak se edhe nga aty ku je do të heq nga puna, femër ordinere.
Ana dëgjonte e shushatur.
– Mos harro se pronari yt është zagari ynë. Mua nuk më ka refuzuar asnjë femër deri më sot, i kam marrë mbarë të gjitha yjet e ekranit, por do ta shohim…
Ana kishte shtangur me telefon në vesh ndërsa nga ana tjetër telefonuesi ishte larguar tashmë.
Filloi të qante me dënesë. I merreshin mendt. Ndihej e fyer në shpirt, e krahasuar aq paturpësisht me një femër të pisët me të cilën mund të bësh pazar. Qante me ngashërima. Ndihej bosh në shpirt, ndihej e pavlerë e pajetë. Për të parën herë në jetën e saj urrente faktin që ish lindur femër.
Një vajzë e thjeshtë që bënte punën e saj me dinjitet e përkushtim, përse duhej të gjykohej si lodër seksi e një psikopati politikan i cili mendonte se kishte pushtet aq sa të çnderonte e shkatërronte jetln e dikujt.
Mori fryme thellë, fshiu lotët dhe i telefonoi të fejuarit të saj.
– Çfarë ke shpirt? – Pyeti Aldo i hutuar.
– Çfarë të ka ndodhur?
Ana i rrëfeu bisedën e pisët që kish bërë me deputetin-plehrë, i tregoi mesazhin dhe u shkreh në lot.
Aldo, me qetësinë dhe sigurinë e njeriut të dashuruar e përqafoi fort.
– Mos u mërzit shpirti im. Jetojmë në këtë vend të degjeneruar ku njerëzit më të poshtër kanë pushtetin. Ky vend ka mbetur peng i politikanë të qelbur që vijnë prej familje kurvash, plehra që edhe gratë e vajzat ua dërgojnë shefave të tyre në krevat për të arritur pushtet e pará.
Mos u mërzit shpirt, do ikim nga ky vend, sa më parë…
Askush nuk e blen dot me pará, një femër që vlen sa e gjithë bota.
Fund.
David Boseta
Burimi/Facebook


Leave a Reply