-prozë poetike-
Sonte, Hëna – vetull e bukur, e ndritur! Edhe pse fytyrën e ka pudrosur lehtas me rè të mëndafshta puplore; vetulla i lëviz me delikatesë e me shije nazike. Sonte, aq e ëmbël ishte Hëna! Sonte…
Shëtiste e nuk fshihte asgjë. Shpërndante miqësisht buzëqeshje hyjnore; edhe pse shumë kënd në këtë orë e në këtë botë i ka zënë gjumi, edhe pse shumë janë të pagjumë, edhe pse shumë syzgjuar e presin në dritare për të biseduar fjalë drite…
Sonte Hëna i fal dritën e saj e ngrohtësi tokës së largët, edhe pse ajo shpesh në trupin e saj ka humbur copëza gjelbrimi e copëza braktisjeje. U fal dritë gjyshërve dhe gjysheve, ndonëse, nga bijtë shpesh janë të harruar… U falë dritë bebeve, ndonëse të sapo ardhura në jetë ato mbështesin kokat e pafajshme në gjoksin e nënave: – bëlbëzojnë e ëndërrojnë. I fal dritë një gjysheje që loti nuk i hiqet nga faqja, sepse ushqehet me një pension të vogël. I fal dritë një ëndrre të trembur e të humbur, një trishtimi dhe ankthi dashurie, një stol ku lulëzon ëmbël si një lule puthja e parë… Fal dritë, fal dritë, fal dritë Hëna e nuk lodhet… Netët e saj janë ditë jete!
Sonte Hëna me vetullën e pashme shëtit… Dikush e ndjek me sy, dikush e fotografon në celular, dikush qesh e ofshan, dikush ndien dhimbje, dikush e ndjek me vetull… E dikush…
Sonte Hëna shëtit… Më shumë se askush qielli i gëzohet këtij çasti fatlum!
Shkodër, më 26.05.2024 ( Xhahid BUSHATI )
Burimi/Facebook


Leave a Reply