Ashtë një studim i zgjeruar i Dom Gaspër Gurakuqit, një nga autorët bazë të mesit të shekullit XX, bashkëpunëtor i hershëm i revistave Hylli i Dritës dhe Leka.
Hulumtues shkencor i gjenaologjive, organizimit fisnor, dhe dioqezan të veriut të Shqipërisë. Ai ishte studiuesi kryesor qe shfrytezoi burimet arkivore të ipeshkvive, të regjistrave të famullive, mjaft prej tyre tashmë të zhdukur nga revolucioni antifetar i viteve ‘60.
Mbledhës i mikrotoponimeve dhe studiues i thelluar i autorëve të shekujve 17-18 si Farlati-Kolleti, Shtjefën Gaspari, Marin Bici etj. Ai mblodhi të dhëna si kërkush më parë në terren për plot 60 vjet, duke sjellë pjesë të rëndësishme nga historia e Shqipërisë për veriun në përgjithësi, por me qendër krahinat e dioqezat e Shkodrës, Pultit, Mirditës, Lezhës e Zadrimës (Sapës). Në Dajç, Dom Gaspri kaloi 50 vjet në petkun e famullitarit, derisa sigurimi i shtetit e nxorri jashtë kishës dhe u strehua për disa vjet te familja e rrogtarit të tij Markut, në Dajç dhe më pas në Shkodër në familjen e Pina Shantojës ku vdiq më 1967.
Këto rrethana të travajave të tij e bëjnë më të pasur rrëfimin e tij sa shkencor aq edhe pasionant përtejfetar. Rrugën e tij shkencore në albanologji e vijoi Imz. Frano Ilia dishepull i tij i fundëm i plejadës së etënve katolikë. Botimi i këtij libri është shoqëruar me përkthimet e reja të pjesëve nga italishtja të Shtjefën Gasparit dhe nga latinishtja për epitafet e dokumentuara nga Dom Gaspër Gurakuqi në “Mishelaneat” e tij të gjithdijshme.
Burimi/Facebook


Leave a Reply