IRINA Gallery Tirana
Ndërkohë që artet janë në “përgjumje”, edhe jeta sikur ngushtohet. Ekspozitat e Artit Pamor, shfaqjet e teatrove, ekranizimi i filmave, si edhe funksionimi i kinemave të rralla, të krijojnë përshtypjen e një varfërie të tejskajshme. Sa vjen në Tiranë, gjallojnë vetëm kafenetë e dyqanet e shërbimeve. Vihet re një përkujdesje për modën që nga veshjet e gjer në qethjet, po edhe një “mërzim” i adoleshentëve rrëzave, rrugicave e bordurave të trotuareve.
Në njërën nga këto rrugica “tironase”, paksa më lartë udhëkryqit të Selvisë dhe “Shkollës Partizani”, nga ku niste kompleksi i banesave me një tunel lidhës, më zuri syri edhe disa tablo të arteve figurative, të ekspozuara në xhamarinë më përtej rrapit të vonshëm që kishte gjelbëruar sokakun dhe tabelën e galerisë së piktores, IRINA HYSI. Pragun e së cilës do ta kaloja me “Arrëzën” time e me Mevlanin, ish studentin tim të arteve, tashmë regjisor e aktor i njohur dhe Mjeshtër i Madh,- mbetur po aq miq si dikur, për “të shuar kërshërinë e së veçantës” që nuk e kemi humbur akoma: Një “Galeri Arti” në rrugicën e heshtur! Ku parkohen biçikletat e ndonjë makinë, ku pinë duhanfshehtasi vajzat e reja dhe te dera qëndron po kaq e heshtur krijuesja, e cila na mirëpret me kënaqësi që të shohim pikturat e saj dhe të kolegëve që i kërkojnë e i duan këto “skuta” në atë “përgjumje” të mjediseve të artit e të kulturës.
Dhe flasim për nismën e saj lavdëruese, kur ka mbetur e pa emëruar në ndonjë punë, teksa i përkiste studentëve të dikurshëm të ekselencës, bile me dy MASTERA në degën universitare të artit pamor e të psikologjisë, duke e “shtyrë jetën” e vet me “ece-jake” nëpër zyra, pa pranuar të mërgojë edhe ajo dhe duke e “punësur veten” brenda kësaj xhamarie me pikturat e saj e të kolegëve, ku ndofta të tjerët nuk e dinë se jeton, punon dhe krijon gjëra të bukura edhe kjo grua tashmë, që njihet edhe si poete dhe autore e dy librave me karakter shkencor, të cilën nuk e zë as gjumi i natës pa përkthyer edhe ndonjërën nga poezitë e nobelistit grek Kavafi. Ajo na shërben kafe e na ri në këmbë e lumturuar që i vajtëm për vizitë, po edhe e menduar për artin se nuk “ e shtyn dot jetën” vetëm me këtë “Galeri Arti” në rrugicë….Gjithsesi është diçka më mirë se sa të qëndrosh në limontinë e pritjeve pa ndonjë “fund”….
Sikundër kanë vepruar, me pasionin e tyre, regjisoria Elma Doresi me Teatrin “Roland Trebicka” dhe aktori Naum Shundi me Teatrin e tij “Zonja e Bujtinës” , po në ato rrugicat e tyre, gjatë shembjes së Teatrit Qëndror, gjersa të zbukurojë pjacën Teatri Modern…
Ja që publiku ynë ka nevojë edhe për artet e bukura!
Tiranë 10 maj 2024
Miho Gjini



Burimi/Facebook


Leave a Reply