(shkëputur nga libri Pikëtakim me Jean Cocteau. L. Rama)
Kur Cocteau ishte në jug të Francës, në Villefranche, në një nga portet e Côte d’Azur ku gëlonin prostitutat, ai jetoi disa kohë në hotelin «Wellcome», ku dhe shkroi përmbledhjen Opera, të cilën ai vetë e konsideronte si «thelbin e veprës së tij poetike». Atje u ritakua dhe me balerinën e famshme Isadora Duncan dhe dhanë recitale sëbashku: dans dhe poezi…
Njohja me djaloshin 24 vjeçar Jean Marais, i cili atëherë konkuronte për rolet e tij të parë në skenë, ishte për të një piktakim frymëzues dhe nga më gjurmëlënësit në jetën e tij, njohje që do të ngjizej në vite me një dashuri të çuditëshme dhe përkushtimin e dy homoseksualëve. Ai e pikasi atë mes figurantëve të shfaqjes së tij Edipi mbret dhe më pas, meqë ai djalosh i pashëm i pëlqeu, i propozoi një rol në dramën tjetër që sapo kishte shkruar, Kalorësit e Tavolinës së rrumbullakët. Një nga ato ditë të para të miqësisë së tij me Jean Cocteau, Jean Marais e kujton në librin e tij Historitë e jetës time, ku ndër të tjera shkruante:
“…Papritur bie telefoni. Nga ana tjetër është Jean Cocteau.
– Ejani urgjent, këtu është katastrofë!
Nxitoj menjëherë drejt hotel Castille. Njëmijë pyetje më pushtojnë gjithë ankth. Vallë më kanë hequr rolin? Jam i dëshpëruar së tepërmi dhe gati të shpërthej në lot. Në hotel Castille i bie portës dhe hyj. Cocteau po pi opium. Ai më vështron. Duket më i dëshpëruar se sa unë. Mbyll portën dhe qëndroj palëvizur. Po pres më të keqen. Ai heq pipën dhe duke lëshuar duart thotë:
– Eshtë katastrofë!
Duket si një fëmijë që pret ta dënojnë.
– Katastrofë!… Unë kam rënë në dashuri me ty!
Ky njeri që admiroj, më jep gjënë më të çmuar që do të doja në këtë botë. Por ai nuk kërkon asgjë si shkëmbim. Unë nuk e dashuroj. Po si mund të bjerë ai në dashuri me mua… është e pamundur.
– Jean, e shikon se si jetoj dhe çfar më rrethon? Duhet të më shpëtosh. Vetëm ti mund të më shpëtosh.
– Edhe unë jam i dashuruar me ju, i them.
Gënjej. Po, gënjej. Sigurisht kam një admirim të madh për të. Por dhe jam i joshur…”
Që nga ajo ditë, djaloshi simpatik që ëndërronte të ngjitej në skenat e teatrit francez, shkonte vazhdimisht në hotel Castille, ku Cocteau qëndronte më të shumtën e rasteve me penjuar dhe shkruante. Shpesh e gjente të shtirë, të humbur në opium, duke u përpjekur ta zgjonte nga droga që e kishte zhytur në letargji. Por vetëm droga mund ta zgjonte. Dhe djaloshi Marais detyrohej t’i përgatiste drogën e tij që të mund ta zgjonte. Kur hapte sytë, ai i thoshte: “Doja të vdisja!” Marais mbytej në lotë dhe mes ngashërimeve i përgjigjej: “Jo, ti nuk do të vdesësh!”… – “Jo, jo tani. Në gjumin tim kisha harruar se isha i lumtur…”
Shumë poezi ai do t’ia kushtonte Jean Marais-së, të cilin do ta udhëhiqte dhe mbështeste në rrugën e tij teatrale dhe kinematografike si aktor. Madje Marais-ja do të ishte aktori më i preferuar i tij, duke i dhënë rolet kryesore në filmat e tij La Belle et la Bête, (E Bukura dhe Shtaza), një përrallë mjaft emocionante, Le testament d’Orphe, (Testamenti i Orfeut), apo rolet teatrale si Neronin në Makinë për të shkruar, (ëngjëlli me flokët bjondë), Shqiponja me dy krerë, Prindërit e tmerrshëm, etj.
Gazetarët do ta quanin Jean Marais-në “ëngjëlli blu” i Cocteau-së, një paralelizëm me Marlen Dietrich-in në filmin Engjëlli blu, të regjisorit gjermano-amerikan Josef Sternberg, ku profesori bie në dashuri me nxënësen e tij. Interesante janë padyshim letrat që shumë vite pas vdekjes së Cocteau-së, Jean Marais-ja, do t’i botonte nën titullin Letra të Jean Cocteau dërguar Jean Marais-ë. Janë letra përgjërimi, dashurie, të shkruara stinë pas stine, vit pas viti, në gjëndje krijimi, ekzaltimi apo dëshpërimi e ankthi, gjer në letrën e tij të fundit të shkruar në 3 shtator 1963, dita kur vdiq Cocteau-ja. Në letrat e para të dashurisë, dërguar nga 19, Place de la Madeleine, ai i shkruante: „Jeannot-i, (Zhanushi) im, të dua. Të gjitha veprimet e tua tregojnë fisnikëri shpirti e zemre. Të falenderoj për të gjithë lumurinë që më jep dhe për atë çka ti privohesh. Ti je ëngjëlli im. Pa ty do ta humbisja fillin mes gjithë këtyre punëve për teatrin dhe filmin. Do të jepja gjithçka që ti të jesh i dashuruar pas meje, por meqë qielli nuk deshi, më ruaj në një vënd të fshehtë të zemrës tënde. Duamë!…“
Kjo korrespondencë aq e veçantë dhe befasuese, ngjiz dashuritë dhe ethet krijuese të tyre, përkushtimin ndaj artit dhe njëri tjetrit. „Ti je kryevepra ime, – i shkruante Cocteau-ja në vitin 1938, – dhe unë do të punoj tashmë veç për ty, film apo teatër, që ti të mundësh ta jetosh dhe ta rrezatosh lavdinë tënde. Ndihmomë të jem një shenjt, të jem i denjë për ty dhe për mua. Nuk jetoj veç për ty…“
Në librin e tij Historitë e jetës time, Jean Marais kujton kohën kur jetonte me Cocteau-në. „Ne banonim bashkë në 19, Place de la Madeleine. Prej vitesh, jeta e tij vërtitej rreth atij sheshi, sikur të ishte caktuar nga një shkop magjistari në kërkim të nje vëndi të saktë e misterioz. Ishte apartamenti i enigmave i Fundi i Potomak-ut. Endërroja se ishte i lumtur. Dhe unë isha plotësisht. Dhomën time veç një portë e ndante nga e tija. Për netë të shumta, ai fuste poshtë derës letrat e poezitë që më shkruante. Në mëngjes pikasja një apo disa fletë të holla me ngjyrë, të palosura në forma të ndryshme dhe ndonjëherë në formë ylli. Në zgjim kisha refleksin të shikoja nëse gjeniu im i mirë kishte hedhur poshtë derës ndonjë nga ato mrekullitë e tij. I lexoja para se t’i thoja „mirëmëngjesi“. Dhe mëngjesi që fillonte me leximin e atyre letrave të vogla më çonte drejt lumturisë dhe fatit.“
Në vitin 1940, në kohë lufte, në një letër tjetër, Cocteau i shkruante: „A i imagjinon orët që kalojmë këtu?… Eshtë e tmerrshme, por mbahem vetëm nga letrat e tua, nga kurajo tënde, nga shpresa jonë në të ardhmen. Duhet fituar dhe besuar. Eshtë e tmerrshme që në këtë pranverë të mbjellësh dramën. Mos ki frikë nga bombat. Ylli ynë, ylli yt, më ruan…“ Në një tjetër letër, ai vazhdonte: „Ti je Franca ime. Je Atdheu im, kurajo ime, gjenia ime, e keqja ime, durimi im. Vetëm ti dhe askush tjetër. Dije dhe mos dysho kurrë, sido që të vijë…“
Vitet e Luftës së Dytë Botërore ishin vite të vështira për Cocteau-në, të cilit i duhet të përballojë ndarjen provizore me Jean Marais-në, i cili angazhohet në luftë. Në vitet 1942-1944, ai shkroi përmbledhjen poetike Leone me 120 strofa në stilin aleksandrin dhe më pas botoi vëllimet poetike Allegories, La Crucifixion, (Kryqëzimi), Neiges, (Borërat) dhe Rythme grec, (Ritmi grek). Por sigurisht, lufta do ta trondisë shumë botën shpirtërore të tij.
Më 27 gusht të vitit 1943, Cocteau-ja ishte në Paris. Kishte dalë i vetëm në shëtitoren e Champs Elysées, kur një grup me uniforma gjermane dhe flamuj po kalonin para tij. Shkonin për të luftuar në frontin e Lindjes. Njerëzit përreth, të detyruar, i hoqën kapelet, ndërkohë që Cocteau, edhe pse e dinte se atyre s’do t’i pëlqente, ai nuk e hoqi. Por shpejt drejt tij u sulën disa agjentë, të cilët filluan ta rrahin egërsisht, duke e gjakosur dhe e përplasur në asfalt. Dikush e kishte njohur se ishte poeti Cocteau dhe më së fundi e lanë duke sharë. Sigurisht do të kishte përfunduar në burg, nëse ai nuk do të ishte autori francez më i preferuar i gjermanëve.
Poeti hebre Max Jacob dhe një nga miqtë e tij më të mirë, u arrestua nga Gestapo në rrugët e Parisit dhe u çua në një kamp francez para se ta dërgonin në kampet e shfarosjes në Gjermani. Ai arriti të marrë nga Jacob veçse një letër, ku poeti i shkruante: «Po të shkruaj nga vagoni, mundohu të më ndihmosh…» Por kur Cocteau-ja shkoi tek autoritetet gjermane, gjithçka kishte marrë fund. Ai s’do ta shihte më mikun e tij të mirë Max Jacob. Po kështu, më 5 korrik 1944, u arrestua dhe i dashuri i tij i dikurshëm, Jean Desbordes. Ai u përpoq përsëri të ndërhyjë pranë gjermanëve. Madje shkroi dhe një peticion, të cilin e firmosën shumë shkrimtarë francezë, ku dora e Cocteau-së kishte shkruar: “Me Apollinaire, ai krijoi një gjuhë që dominon gjuhën tonë dhe shpreh thellësitë e saj…” Por nga torturat në një godinë të Gestapos, në Rue de la Pompe, ndërkohë që luhej Mozart (për të mos u dëgjuar në rrugë), Dosbordes kishte vdekur. Trupi i tij u gjet pa sy, gjithë plagë dhe i djegur…
————————————–
Letra Jean Marais-ë
13 gusht 1949
Jeannot-i im, ëngjëlli im i mirë,
Festivali është thjesht një festival, d.m.th. diçka e organizuar shumë keq dhe me shumë pompë. Më tepër po e kaloj kohën në Venecie që është një qytet i hatashëm. Mouchkine-t janë shumë të sjellshëm me të gjithë. Italianët këtu më thërresin «Nostro Cocteau». Kështu më priti edhe presidenti i festivalit kur zbrita nga avioni. Kam parë shumë pak filma. Të shtunën Magnani pati një triumf me dramën Zëri Njerëzor. Filmi i dytë, Le Miracle, u pëlqye pak. Idea është e admirueshmme, por ka shumë lojë aktori dhe më duket se Roberto nuk ka ditur ta shfrytëzojë atë histori deri në fund. Sot pasdite, Orson Wells-i do të më çojë të shohim Macbeth-in, i cili do të shfaqet pas nisjes sonë. Sot është rradha jonë dhe nesër në mëngjes, në Venecie, do të prezantoj Prindërit e tmerrshëm. Janë dy ditë të lodhshme.
Mendoj të marr avionin të premten në mëngjes dhe besoj të mbërrij në mesditë në aeroportin e Bourget.
Endërroj të jem pranë teje, sepse anija tënde vlen më shumë se të gjitha gondolat e Venecies… Më mungon çdo sekondë.
Jean
2 shtator 1950
Santo Sospir
Jeannot-i im,
Po punoj e ripunoj për librin tonë. Them i «yni», pasi në të flas për veten, po aq sa dhe për ty dhe për mënyrën tonë të përbashkët në konceptimin e gjërave.
Libri po mbaron dhe për më tepër me një paragraf mjaft të çuditshëm, një dialog midis Argémone dhe Persicaire, dy personazhe të Potomak. E kam shkruar në mënyrë që të mos lëndoj asnjeri dhe kam bërë komentet rreth shënimeve të tua, të cilave u kam ndryshuar veçse kohën e foljeve dhe paksa frazën (duke u munduar të ruaj stilin tënd). E gjithë kjo, do të jetë në një libër serioz dhe kureshtar, çka mund të ishte dhe një libër shkolle për aktorët e rinj që dinë të lexojnë…
Të përqafoj, Jean.
16 gusht 1951
Në avionin e Air France
Jeannot-i im,
Ah, gjithë këta miq të vdekur… Më kanë dërmuar së tepërmi. E di që është normale të vdesësh. Por do të ishte mirë të vdisnim të gjithë bashkë dhe të mos i shohim ata që duam që të bien ngado dhe të zhduken në këtë det…
Dua të ulem të punoj dramën time që të mund ta heq mëndjen nga ky kushmar. Do të doja ta lexoja sapo të kthehem, që të më japësh një mendim. Nëse ti nuk mund ta interpretosh, nuk shoh aktor tjetër që mund ta interpretoj atë, veç Gérard Philippe-it, dhe kjo po ta zgjedhësh ti vetë. Por kushedi, fati do t’i rregullojë gjërat që të bëhet e pamundura. Midis nesh gjërat janë bërë për të njëjtin shpirt…
Jam i trishtë dhe të dua.
Jean
1 maj 1952
Santo Sospir
Engjëlli im i bukur,
Ta dëgjova zërin dhe letrën tënde e mora. Gjithë këtë natë nuk arrija të flija, meqë mendoja për ty dhe ata budallenj që të pengojnë në rrugën tënde.
Parisi është një telash më vete – e rëndësishme është të ikësh – dhe veç të tjerash ti ke nevojë për para. Të këshilloj të ndjekësh shëmbullin e Sarah Bernard-it dhe të tjerëve si ajo. Ata iknin nëpër turne të fitonin lavdi dhe para. Ti duhet të organizosh p.sh. një turne botëror me tre vepra: Machine à écrire, Britannicus dhe Parents terribles, ose vetëm me dy, Machine à écrire dhe Britannicus. Kështu ti do t’i hidhje pas kurrizit telashet e Parisit dhe do të shkoje nga triumfi në triumf. Ja pse dhe duhet të lidhemi sa më shpejt. Pse të mos organizojmë diçka së bashku? Do të flas ngado nëpër botë. Ashtu siç dhe fola në Stamboll, pasditen e spektakleve të tua.
Të lutem mendo për këtë projekt që është i vetmi projekt i qënësishëm. Nëse George dëshiron të të ndjekë pas, i përgatisim një numër dansi që ta gërshetojmë me spektaklet tona. Udhëtimi në Gjermani më provoi sesa e dobishme është metoda e deçentralizimit. Moralisht dhe financiarisht një film të sjell më pak sesa ky turne, filmat e të cilave e kanë përgatitur tashmë suksesin.
Engjëlli im i mirë, përgjigju shpejt dhe mos kujto se gabohem. Të dua shumë dhe s’mund të gabohem për atë që të duhet.
Jean-i yt
Tetor, e enjte, 1954
Jeannot-i im,
Ndoshta tu duk e çuditëshme telefonata ime. Kisha vrapuar pak nga frika se mos nuk e kapja thirrjen tënde dhe shpejt m’u muar fryma. Kisha frikë se mos më bërtisje që kisha rendur. Në mbrëmje mbyll sytë dhe kërkoj të të gjej dhe të bashkohem me punën tënde. E prisja këtë telefonatë dhe pyesja veten nëse telefonata tënde e parë ishte një ëndërr apo kjo ëndërr merrte formën e një diçkaje reale.
Edhe pse ti e pëlqen shumë shtëpinë në Marnes, do të jesh i trishtë që po e lë barkën ku ti jetoje. Kështu ndodh kur të heqin birin nga shpirti dhe nuk guxoj ta mendoj bosh dhomën tënde në Milly. Harrova gjithashtu të të pyesja se si luante aktorja jonë dhe kush është Antigona, të cilën nuk e kishin shënuar në program. Unë e shkrova Antigonën në letrën që mbështjellim lulet. Asaj aktoreje kërkoi ndjesë nga ana ime.
Këtë javë do të takoj zonjën Guynet të muzeut Masséna, e cila ruan tablotë e mia që t’i dërgojë ato. Negri i vogël blu, do të jetë një pjesë e imja që do të futet në shtëpinë tënde në Marnes.
Të puth ëngjëlli im, ashtu si dhe George-in.
Jean-i yt.
14 gusht 1957
Santo Sospir
Saint-Jean-Cap-Ferrat
Jeannot-i im,
Ja ku gjëndem përsëri mbi shkallë dhe në kulmin e shqetësimit, duke pyetur veten nëse puna që bëj ia vlen ta vazhdoj apo jo. Imagjino që tashmë shpesh harroj dhe torturohem gjithë ditën që të gjej emrin e operatorit të filmit Kthim i përjetshëm, (të cilin ende nuk e kam gjetur). Dhe kjo gjë që më krijon dhimbje, shtohet me trishtimin dhe zhgënjimin që më krijon qëndrimi i peshkatarëve të Villefranche, të cilët pasurohen tani nga shapela, (25 mijë vizitorë), që unë u ofrova dhe që tani më shikojnë si armikun më të egër pa mundur të kuptoj se përse, aq sa ma mbyllin portën me zinxhirë në mënyrë që në mungesë të tyre unë të mos çoja atje ca miq të mij.
Shkurt, gjithnjë e më shumë konstatoj që veç teje, Francine dhe Doudou, si dhe disa miqve të rrallë, njerëzimi më pështiros dhe më shkakton veç vetmi. Aq më shumë që nevojat tona po na largojnë pareshtur nga njëri tjetri dhe do të më duhet të vdes, duke humbur kohën e çmuar që të jem pranë teje. Pas punës së bashkisë mbahem ende në këmbë; do të bëj një ndalesë dhe do mundohem ta çoj shpirtin tim drejt krijimit të një drame apo filmi, çka do na bashkojë sërrish në një bashkëpunim tonin, pasi duket se teatri nuk ka arritur t’i japë siç duhet, dhe shpesh me nxitim, tekstet e mia të forta (si nuk pata urtësinë që ta ruaja pjesën time Bacchus në një sirtar dhe të të jepja rolin e kardinalit, nëse do hezitoje për një rol tepër rinor!). Eh, ç’djall më mundon dhe më shtyn gjithnjë kundër valës.
Mendo për mua ëngjëlli im i mirë, atje ku je dhe m’i dërgo valët e tua të arta që shpërndan shpirti yt.
Të përqafoj,
Jean
Milly, 9 nëntor 1961
Jeannot i im,
Pas ikjes tënde kalova një krizë të tmerrshme trishtimi e vetmie ndaj së cilës edhe zemra aq e urtë e Dudu-së (në këtë kohë ai bashkëjeton me piktorin Eduard Dermit)‚ nuk mund të më ngushëllonte. Kishe të drejtë që më thoje se këto «vizita» janë të pa tolerueshme dhe se duhej jetuar veç e veç. Të të shihja duke ikur, ishte për mua sikur të bija në një humnerë boshllëku dhe ti në një tjetër, dhe unë pyesja veten nëse këto probleme të rënda mund të zgjidhen në një epokë rrëmuje dhe mizorie. Kishe harruar dorëzat e tua prej gëzofi. I mora në dhomën time dhe i putha me lotët në grykë. Veç të tjerave, ky grip i tmerrshëm më ka shkrehur dhe ulur moralin e më shtyn të përballoj gjithçka me një lloj dëshire për të braktisur çdo gjë dhe mos t’i përgjigjem askujt. Ruaje këtë letër për vete. Të puth me të gjitha forcat e mia të mjera.
Jean.
6 shtator 1963
Milly
Jeannot-i im,
Jam i lumtur që mora vesh se ti je në vëndet me diell dhe kishe të drejtë që u fole ashtu gazetarëve. Doktori ynë po më kuron siç të ka kuruar dhe ty, në mënyrë të ëmbël, dhe veç tij kam dhe dikë që më bën agupunkturë si dhe masazhet e zonjës Claoue. Ti e sheh se nuk e lë veten të bije në gropë pa luftuar.
Më pëlqejnë shumë planet e shtëpisë në Frejus. Ajo do të ndërtohet, ndërkohë që do banoj këtu. Mendoj të ndryshoj ambient dhe të shkoj në vënde me dëborë. E tërë kjo është një gjurulldi më shumë për ty dhe Doudou-në, sesa për botën pa shpirt. Sekretarja tënde më telefonoi. Do ta kërkoj sërrish sapo të ndjehem mirë dhe kur të mos kem marramendje. E njoh aq shumë qytetin e Cannes saqë unë po shëtis symbyllazi me ju. Më pëlqen të mbyll sytë dhe ta çoj veten atje ku do doja të jetoja.
Përqafoje djaloshin dhe kërkoi atij që të përqafojë për mua.
Jean-i yt.
Më fal Jeannot
Gjithçka më parë ishte zjarr
Dhe unë një somnambul i dehur
Nëna ime nuk më lindi të jetoj
Sepse jam një adhurues zjarri.
Zjarr që vjen vrullshëm nga ty
Zjarr që te ti bëhet prush
Zjarr i heshtjes tënde hyjnore
Zjarr kurorash mbretërore.
I imi Jeannot, unë jam një skandal
Skandal i një çmëndurie naive
Më fal, këmbën tënde puth
Në portën e qytezës time.


Burimi/Facebook


Leave a Reply