3. Promovim libri.
Kishim parashikur që në festë të promovonim librin me titull “Roli i diplomacisë së Shqipërisë në procesin e njohjes së Pavarësisë së Kosovës”. Autori i këtij libri është një djal i ri nga Tetova.
– Është një libër hulumtues i mirëfilltë shkencor, i shkruar me shumë zell e përkushtim nga autori Arflet Selmani, – nisi bashkëbisedimin moderatorja RajMonda Mara. Biseda kishte synim të dilnin disa nga ngjarjet kryesore, shkaqet dhe rrethanat në të cilat ndodhen në Kosovë.
Rëndësi të madhe autori u ka kushtuar ngjarjeve historike që synonin të zgjidhnin konfliktet në mënyrë paqësore. Kjo mënyrë nuk qe e mundur, ndaj populli iu përgjigj me luftë represionit e krimeve çnjerëzore.
Autori bën në librin e tij një vlerësim real të faktorit të brendshëm dhe faktorit të jashtëm, deri në çlirimin e Kosovës dhe, më vonë, në shpalljen e Pavaësisë, më 17 shkurt 2008. Pas kësaj ngjarjeje më rëndësi jetike për kombin tonë, nisi procesi i njohjes dhe këtë autori e shtjellon me shumë vëmendje. Një vend të konsiderueshëm në libër zë roli i diplomacisë shqiptare ër njohjen e Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.
Biseda ngjalli kureshtje të madhe tek të pranishmit. Profesoresha e talentuar e letërsisë Rajmonda i motivoi bukur pyetjet, sa depërtonin tek dëgjuesit e stimulonte autorin që ka studiuar për shkencat politike. Përgjigjet ishin të sintetizuara, të qarta dhe shpjeguara me zotësi. Pse jo, edhe me përjetim të thellë, sa provokuan edhe lotët, kur iu desh të përmendte që populli kosovar ishte i detyruar të rrëmbente armët.
Është vërtet kënaqësi, kënaqësi e madhe, kur mes nesh gjendet një person si zoti Arflet Selmani, me kapacitete intelektuale, që ka shfletuar literaturë të panumërt dhe ka bërë rrugëtime të gjata në disa vende, për të takuar persona kompetentë për çështjen që trajton në librin e tij.
Nga fundi i bisedës iu kërkua një opinion mbi zhvillimet. Autori u përgjigj:
– Kam përmendur shumë nëntorë (shënimi im – nëntori i Skënderbeut, nëntori i Ismail Qemalit, nëntori i Çlirimit të Shqipërisë, nëntori i UÇK-së). Tani duhet një nëntor tjetër, – me të cilin la të nëkuptohej një nëntor i bashkimit të gjithë trojeve shqiptare.
Autori kishte sjell me vete 56 kopje të librit. Këta ua dhuroi të pranishmëve dhe të gjithë e çmuam shumë këtë gjest fisnik.
Si të mos krenohemi, kur shohim një rini që hedh hapa të guximshëm, për të arritur lartësi të admirueshme!
* Shënim.
E para, nuk kam hyrë në detajet e brendisë së librit, që lexuesit të shijojnë e përjetojnë përmbajtjen.
E dyta, Nesër mbrëma, ora 21 15 deri 22 30, autori Arflet Selmani do të jetë i ftuar në Radioprojekti Kopenhagë, në shoqërinë e moderatorit Luigj Shkodrani e prof. Rajmonda Mara, ku do të flasë e shpjegojë gjithçka rreth librit të tij.
Burimi/Facebook


Leave a Reply