Sapo futesh në Gjirin e Tigullios apo Gjirin e Delfinëve, siç është quajtur, pamjet janë fantastike dhe ngado të hedhësh sytë natyra të ekspozon qindra kartolina madhështore. Përpara është Portofino, ky vend i vogël 30 kilometra larg nga qyteti i Gjenovës, me shtëpitë ngjyra-ngjyra si të fshehura nën një blerim të dendur, me kornizë blunë e detit dhe kaltërsinë e qiellit. Është një ditë e bukur shkurti, por temperarura këtu është 20 gradë dhe ndihesh si në pranverë.
Por duhet të ngjitesh në Kështjella Brown për të shijuar bukurinë e madhërishme të këtij gjiu të vogël dhe për të kuptuar përse përgjatë historisë ky vend ka qenë kaq i synuar dhe kaq i sulmuar për t’u bërë pronë e pushtuesve të ndryshëm. Deri edhe vetë Napoleoni, kur pat pushtuar Republikën e Gjenovës, e bëri pronë franceze këtë parajsë të vogël. Vendasit, për ta mbrojtur këtë gji nga sulmet e shumta ndërtuan këtë kështjellë, për të cilën flitet që nga shekulli i 15-të. Një kështjellë me vështrim dominues mbi gji, e pajisur mirë me armatime, që ka thyer shumë e shumë sulme.
Portofino ka një popullsi të vogël, pak më shumë se 350 banorë, por është një pikë turistike që tërheq turistë nga e gjithë bota. Veçanërisht vijnë pasanikë me jahtet e tyre, artistë të mëdhenj të kinemasë, këngëtarë të shquar etj. Që në vitet kur xhirohej filmi “Dolce vita” ky vend është bërë një pikë shumë e preferuar e artistëve nga e tërë bota. Këngëtari i madh, Andrea Bocelli këndon një këngë me titull “Dashuri në Portofino” kushtuar bukurive të këtij gjiu, të cilën e dëgjojmë në një nga sallat e kështjellës, të ilustruar me pamjet magjike të gjirit të delfinëve.
Kështjella mban emrin Brown, sepse qe blerë nga ish-konsulli britanik i asaj kohe, ndërsa tani është pronë e komunës dhe përdoret për të organizuar ekspozita e evente të ndryshme. Ne qëllojmë pikërisht në një moment aperitivi, me muzikë të bukur të luajtur nga artistët vendës, të cilët në taracë kanë vënë tavolinat dhe ftojnë vizitorët të dëgjojnë muzikë duke ngritur ndonjë gotë verë me prodhime ushqimore lokale. Njëri prej tyre, duke parë pasionin tim dhe të Mozës për të bërë foto, na fton me gotat në dorë në një ballkon të vogël të taracës dhe plot mirësjellje na bën disa foto. Pikërisht nga ai ballkon bukuria është mahnitëse dhe fotot janë spektakolare.
Pas Portofinos bëjmë një shetitje edhe në Santa Maria Ligure e në Rapallo. Edhe këto vende duke shkuar edhe më tej drejt Zoaglit, Chiavarit, Sestri Levante e Camogli, me bukuritë e tyre duket sikur përbëjnë një barrierë koralesh mbiujore në bregdetin e Ligureve. Rapallo është qytet ku janë nënshkruar dy traktate paqeje pas Luftës së Parë Botërore, ai midis mbretërisë së Italisë e asaj të Jugosllavisë më 1920 dhe ai midis Republikës së Weimarit dhe Bashkimit Sovjetik më 1922.
Edhe ky qytet i bukur bregdetar ka tërhequr personalitete të mëdha të politikës e të artit, që nga Presidenti Ruswelt e deri tek princat e princeshat e disa vendeve. Por më të tërhequr ishin shkrimtarët e artistët. Niçe ka shkruar këtu një pjesë të veprës “Kështu foli Zarathustra”, kompozitori i famshëm Franc List merrte frymëzim për veprat e tij, ashtu si edhe shkrimtarët Mopasan, Ezra Pound e Heminguei, apo piktori Kandinskij.
Janë të pamjaftueshme një apo dy ditë për të shijuar këto bukuri. Këtë e shpreh edhe Moza, e cila ka fituar një gjallëri të veçantë nga këto pamje mahnitëse dhe nuk di ku të ndalet më parë për të bërë foto, apo për të shijuar pejsazhin. Kënga e Andrea Bocellit i mbeti në mendje dhe e këndonte si motiv gjatë tërë shetitjeve në këto vende përrallore. Pranvera këtu është dehëse dhe ia vlen të vish për një periudhë pushimesh disa ditore, pasi verës nuk gjen një pëllëmbë vend të lirë nga vërshimi i pushuesve dhe turistëve. E pranvera këtu ka nisur të trokasë, çka duket jo vetëm në shpërthimin e mimozave, por edhe të luleve të tjera ngado që të hedhësh sytë.
Ndue Lazri




Burimi/Facebook


Leave a Reply