…Në një cak kohor të ngushtë, e kam parë aktoren e njohur Ema Andrea në dy role, që i çmoj si të një stili e loje në pjekurinë e saj: e para, në dramën e Jeton Neziraj “Negotiating peace”, me regjinë e Blerta Nezirajt, prodhim i Qendrës Multimedia Prishtinë dhe e dyta, shfaqja “Nëna” e Florian Zeller, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, regjisor Mehmet Xhelili. Paçka se karaktere të ndryshëm për nga historia e tyre, temparamenti, situatat psikike që përjetojnë, lloji i dramës, koncepti regjisorial etj., unë pash dy “Ema” në një, ose thënë më drejt dy personazhe të përthyera tek po ajo aktore, tek po ai shpirt, trup, gjest, ecje, përjetim, zë, intonacion dhe elemente të tjerë të aktrimit. Them “tek po ajo” pa menduar aspak riprodhimin prej aktores të të njëjtit model karakterial, si një shumëfishim i vetvetes. Përkundrazi, unë vlerësoj aftësinë e shndërrimit aktorial të saj, edhe pse modeli fizik, trupor, zanor nuk mund të ndryshojë (dhe s’ka se si!). Pra, Ema ka krijuar dy karaktere të një cilësie të lartë, që kanë vetjakësinë e tyre psikofizike. Padyshim se ndryshon laboratori i përpunimit ndjesor emocional i aktores nga njëri rol te tjetri, ndryshon intonacioni i fjalës, fjalisë, frazës, dialogut, monologut, këtu apo aty, kështu apo ashtu. Ama unë pash te këto dy role të fundmë të Ema Andreas një lartësim të saj, që ia vlen ta çmosh e ta përgëzosh. Është lartësim që vjen sa nga siguria që ajo ka krijuar tashmë nëpër vite falë përvojës së gjatë në skenë, nga njëra anë, aq dhe përpunimit të vazhdueshëm të psikës aktoriale, e cila prodhon emocionin e thellë njerëzor. Dhe ky emocion riderdhet me hove e vrulle pasionale nga aktorja drejt shikuesit, e rrëmben atë, nuk e lë të përgjumet. Afërmendsh se duhet të mbërrish në kuota të vërteta mjeshtërie që ta realizosh këtë gjë; jo duke e humbur toruan dhe sensin e komunikimit, pra dhe kontrollin e vetvetes, por duke i ndërmjetësuar bukur mirë këto emocione, të ardhura nga personazhi yt, nëpërmes artit të aktrimit dhe respektimit të ligjësive estetike të tij.
Këto ka bërë Ema.Tek roli i parë, edhe nga vetë mënyra e konceptimit të tekstit si një dialog i rreptë, lëvrinjës, ajo m’u duk shumë më e vrullshme, një qenie si në jerm, kapriçoze, hrrë-herë e vrazhdë, me një përpunim fizik të gjestit krejt-krejt origjinal, me një ndryshueshmëri skenë pas skene e dialog pas dialogu që, megjithatë, nuk e lëshonte asnjëherë unitetin e figurës, kohezionin e saj stilistik. Afërmendsh se stili i lojës është ndikuar dukshëm këtu nga koncepti i regjisores së talentuar Blerta Neziri, e cila ka një ideolekt të vetin dhe di të ndërtojë në një shumësi formash dhe qasjesh një përplasje personazhesh si në “kor” por dhe me qëndrime të ndryshme. Ajo pëlqen ritmin dhe dinamikën e lartë duke i “përflakur” kundërshtitë politike që palët kanë njëra me tjetrën, duke u tallur po njësoj edhe me paaftësinë e faktorit ndërkombëtar që nuk imponojnë dot paqen. Kjo shfaqje risolli përmes fshikullit satirik një paradigmë politike tashmë të njohur me dështimet dhe gati pamundësitë e ndërtimit të kësaj paqeje mes Serbisë dhe Kosovës. I gjithë ekipi i aktorëve i përgjigjej ritmit të shfaqjes dhe formës së ndërtimit të saj, por besoj se Ema Andrea ishte nga figurat më të gjalla, më mbresëlënëse dhe më të punuara, me gjetje nga më të mençurat dhe më të bukurat. Ajo e rrëmbente krejt veprimin fizik dhe atë të ritmit të lartë të fjalës sa herë që dilte në skenë, duke sjellë një imazh domethënës të “lojës politike”, të trysnisë dhe përplasjeve, të absurdit dhe tinëzive, çka krijonte konfigurime të habitshme midis të njëmendtës dhe virtuales në vetë mënyrën e lojës së saj.
Roli i dytë i Ema Andreas, Nëna te drama “Nëna” e Florian Zellerit, përveçse në atë ndryshueshmërinë e saj në çdo skenë, gjest, veprim kompleks, përdorim të fjalës, tani sheh edhe një ngulmim më të madh për zhbirilime edhe më të thella në traumën e personazhit: një traumë që vjen nga vetmia e saj, nga frika e braktisjes së fëmijëve dhe të burrit. Vitet ikin, bukuria vyshket, gjithnjë e më shumë ajo mbyllet në “bunkerin” e saj ekzistencial, vetëm sikur po frymon aty. Është një figurë që të vjen keq për gjendjen e mjerë ku është kredhur, të cilën sikur e stimulon vetë me asocialitetin e saj, por edhe shoqëria e këtij shekulli e tillë është, mbase indiferente, mbase cinike. Vallë vetë ajo është fajtore? Pse e fajësojnë atëherë që të gjithë? Graviteti i rëndë i moshës dhe ezaurimi nervor (demenca, nisja e shastisjes, humbja e sensit të kohës), janë si ato sinkopat muzikore me një vakum dëshpërues në mes. Ema e ka mbajtur gjithë figurën e kësaj nëne të vetë-vetmuar në një tension dhe ritëm të lartë, gati në deliriumet e një pezmi vetëvrasës, diku dhe hakmarrjes së hamendësuar, çka është një zgjidhje e gjetur gjegjësisht asaj çka bart e shpreh psika e personazhit. Ajo kërkon prani dhe vëmendje nga familjarët, por ata dhimbshëm e dëshpërimisht mungojnë. Eh… janë diku përtej… si një brengë që bren e të ha shpirtin. Nënat e pafajshme, nënat e malluara! Unë do doja që ta shihja diku-diku këtë nënë të Emës edhe në atë përhumbjen dhe shastisjen që njeriu i lodhur, i shterur psikikisht dhe në panik, ka dhe e vuan. Por, mesa duket, aktorja ka respektuar konceptin regjisorial të Mehmet Xhelilit, përfshi dhe mizanskenën, ku përsëritjet e fjalëve e gjer dialogëve nga skena në skenë, për të mos krijuar pellgje fjalësore e pauza lidhëse, merren në funksionet e një rituali. Besoj se brenda këtij koncepti Ema na dha një botë femërore që lëngon e lëngon, edhe pse e fsheh këtë lëngim, shtiret e tjetërsohet; na dha një nënë që rebelohet ndaj indiferencës dhe braktisjes së të birit, edhe pse fill më pas bie në tone lutëse e përgjëruese; një grua që ironizon, bëhet sarkastike ndaj të shoqit dhe “tradhtive” të tij, edhe pse diku-diku e arsyeton dhe përpiqet ta kapërcejë xhelozinë si grua e mbyllur në shtëpi, stres, vetmi dhe dëshpërim. Unë dua të vlerësoj posaçërisht vijimësinë e saj (veçse brenda ndryshueshmërisë në çdo skenë e marrëdhënie me të tjerët) gjestikulimin e saj, krejt i veçantë, si të thuash me një ngarkesë psikike për të dhënë ngërçet e brendshme të njeriut, sikundër dua të vlerësoj në përgjithësi modelimin plastik të rolit. Është nga aktoret tona më plastike në skenë. Them se shpirti i kësaj shfaqje qe Ema Andrea, dhe prandaj publiku diti të bëjë diferencimin e vetvetishëm me aktorët e tjerë si Helidon Fino, Xhuliano Brisku, Enisa Hysajn, të cilët u përshtatën me të. Kjo shfaqje ishte e SAJ…
Pak fjalë për regjinë e Mehmet Xhelilit. Them se nuk është nga më të spikaturat e tij. Ai e kishte vështruar tekstin si një mundësi për të dëshmuar pasojat e vetmisë së njeriut, teksa ai ngujohet në vetvete dhe shkëput lidhjet sociale. Sot njeriu i vetmuar, sidomos mosha e tretë, është ndër dukuritë kozmike të shoqërisë. Por te shqiptarët, me proceset e emigrimit masiv të tyre jashtë dhe brenda vendit dhe me flukset migratore nga fshati në qytet dhe urbanizimin agresiv që ka ndodhur këta 30 vjet, mbase kjo llagë ndjehet dhe përvuhet më shumë. Sa mijëra e mijëra prindër presin cingërimën e një telefoni prej vajzës a djalit që kanë ikur tej maleve, kufijve, deteve dhe oqeaneve. Por telefoni nuk bie që nuk bie… Drama është, si të thuash, me vështrim nga brenda, dramë introjektive, ku ngjarje thuajse nuk ka, prandaj dhe Xhelili rreket të bëjë një ecejake rreth këtij lezioni social të kohës e të shënjojë aty një shtjellë (pështjellim). Në fund të fundit, kjo dramë s’është veçse ikë-e-ardhja brenda mendjes së turbulluar e të shastisur të Nënës. Ndofta mund të luhej paksa më mirë me paraqitjen e një farë halucinimi, jermi e humbjeje të vetëdijes prej Nënës, duke i ndarë planet: ato realet dhe ato irealet, të përfytyruarat. Meqë drama nuk ka zhvillim klasik tradicional, por e gjitha është një shtjellë emocionale midis të sotmes, të shkuarës dhe të pritshmes, Xhelili ngulmon jo aq te harrimi i vetvetes, shastisja e saj, ndofta dhe te një dialog me keqkuptime dhe heshtje të mbushura me trishtim, të cilat sjellin edhe dëshpërimin e thellë dhe pamundësinë e Nënës për të qenë me “të tjerët” (sidomos me fëmijët). Më shumë ai ngulmon te ritmi përgjithësisht i lartë, ndryshueshmëria e gjendjeve të saj: nga grua tashmë e rrëgjuar në një femër të dikurshme që i kërkon të shoqit nga xhelozia gjer dhe përkëdhelje seksuale, që e sfidon nusen e të birit pikërisht si një femër, ose rreket të jetë rishtazi një nënë e dikurshme që i trajton fëmijët e rritur si ende të vegjël. Krijimi i ngjarjeve të përfytyruara, që mbivendosen në trurin e dëmtuar të Nënës, them se do ta bënte më dramatik e, pse jo, më tragjik si jetësimin skenik të dramës si tekst e narrativë, ashtu dhe vetë figurën bartëse, e ngujuar në paranojën dhe frikën e vetmisë. Doemos që vepra luan me dyzimin dhe shfaqja e ka këtë.
Pata përshtypjen se ato panelet në skenë m’u dukën disi të vetmuara, pasive. Mbase do duhej që të funksionalizoheshin me “dytësin”, shpirtin e thyer dysh të personazheve, ose me dikotomitë: e djeshmja-e sotmja, prindër-fëmijë, nënë-bir, nuse-vjehrrë, burrë-grua, djalë-vajzë etj. Ka një përcjellje sa poetike aq dhe shakatore fustani i kuq i Nënës dhe loja me të për t’u rinuar. Më tej një çarçaf që shndërrohet në këmishën e forcës për njerëzit me probleme mendore, konotohet po ashtu dhe si “këmisha” e forcës së një shoqërie të pamëshirshme që të mbyt, e ezaurimit fizik dhe nervor të njeriut nga stërmundi i jetës nën stres, më tutje e harresës, e vdekjes që përgjon dhe na tmerron, e indiferencës ndaj tjetrit, e humbjes së dashurisë etj. “Nëna” është një shfaqje me një klithmë brenda, për shoqërinë shqiptare veçanërisht; “Duajini njerëzit, prindërit, të afërmit tuaj, faluni atyre dashuri, mos i lini vetëm, mos i braktisni!”




Burimi/Facebook


Leave a Reply