Raimond Kola
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha të enjten në mbrëmje se një kryekomisar policie në sektorin e kufirit në Korçë u ndalua nën dyshimet për trafik narkotikësh.
Sipas burimeve zyrtare policore “Kryekomisar Stilian Pasho, 53 vjeç, me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin e tij, në intervale të ndryshme kohore ka favorizuar një shtetas të kalojë kufirin në Pikën kufitare Kapshticë pa ju nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij”.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se kryekomisari që mbante detyrën e nëndrejtorit të kufirit Korçë ka urdhëruar edhe vartësit e tij për mos kryer kontroll në mjetin e këtij shtetasi.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se në lidhje me procedimin penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e policisë greke ku është realizuar kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin grek.
Gati një muaj më parë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të Rajonit Vlorë-Gjirokastër pezulloi nëntë oficerë të drejtorisë së kufirit dhe migracionit në Gjirokastër nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “shpërdorim i detyrës” dhe “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply