Armand Mero
Në Shqipëri ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu këmbënguli sot se rihapja e procesit ndaj tij për rastin Gërdeci është në shkelje të ligjeve. Ish ministri akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Të njejtat akuza që u ngritën ndaj tij në vitin 2009 edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por për të cilat zoti Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi në verën e atij viti rifitoi mandatin e deputetit.
“Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut”, deklaroi zoti Mediu në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme. Duke ju drejtuar gjykatësve dhe prokurorëve të çështjes zoti Mediu tha se”dua të besoj se nxitja për ta rihapur këtë cështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces. Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin”.
Në shpjegimet e tij në seancë zoti Mediu vuri në dukje se nuk po respektohet afati i parashkrimit, duke qenë se kanë kaluar mbi 10 vjet nga ngjarja. “Çfarë e ka penguar prokurorinë të rihapi cështjen ndaj meje, të rihetoj, të ngrejë akuzë, nga vitit 2009 deri në vitin 2022? Unë këtu kam qënë, nuk jam fshehur, nuk i jam shmangur ndonjë hetimi të mundshëm. Për më shumë se 15 vjet unë nuk jam pyetur pothuaj asnjëherë. Çfarë provash, apo rrethanash të reja janë shfaqur edhe pasi ka kaluar afati 10 vjecar i parashkrimit, që e shtynë prokurorinë/SPAK të rihapë këtë proces? Asnjë prove, asnjë e dhënë e re”, deklaroi ai, duke i mëshuar kësaj pike dhe pas përfundimit të seancës kur u ndal të fliste më gazetarët.
Zoti Mediu nënvizoi faktin se jo vetëm në rastin Gërdeci, ishin strukturat ushtarake ato që thonin fjalën e fundit, dhe se ai nuk kishte ushtruar asnjëherë trysni ndaj tyre.
Prokuroria e posaçme rihapi çështjen, pas kërkesës së familjes Durda, e cila humbi një fëmijë nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë mbetën të plagosur. “Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, vecse t’iu shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për cfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit”, u shpreh ai gjatë seancës.
Në procesin ndaj zotit Mediu, mes dëshmitarëve është dhe Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha, i cili ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Nga hetimet e zhvilluara në atë kohë, menjëherë pas shpërthimit rezultoi se Shkëlzen Berisha, kishte patur komunikime me Mihal Delijorgjin, një prej biznesmenëve shqiptar të përfshirë në demontimin e municioneve të ushtrisë shqiptare, si dhe kishte hyrje dalje të shpeshta në ministrinë e Mbrojtjes. Një element që ka ngritur pikëpyetje të shumta është një faks i nisur atë kohë, nga ministria e Drejtësisë në ministrinë e Mbrojtjes, ku me shkrim dore shkruhej se ishte për djalin e ish kryeministrit.
Zoti Mediu deklaroi sot se këtë fakt ai e kishte mësuar vetëm pas ngjarjes, kur ishte bërë publik në media
Lidhur me procedurat e ndjekura nga ministria e Mbrojtjes për shitjen e municioneve, kompanive private Prokuroria e Posaçme ka regjistruar dhe një procedim të ri penal për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë apo të të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply