Palosja e parë, Milano.- Kishim kaq kohë pa u takuar, kështu që ftesa më ngazëlleu, – ishte fraza e parë që citoi shkrimtarja e suksesshme Irma Kurti.
Konsullata e Republikës së Kosovës dhe Konsullata e Republikës së Shqipërisë në Milano, për të festuar Ditën e Flamurit, kishin vendosur të respektonin idenë e intelektualit me vlera, publicistit të njohur, artistit të fjalës dhe veprimtarit të zellshëm shoqëror, Ndue Lazri. Ishim njoftuar e kishim konfirmuar pjesëmarrjen disa veprimtarë të spikatur dhe, me të mbërritur në mjediset e Konsullatës Shqiptare, punonjësit u rreshtun siç rreshtoheshin dikur pjesëtarët e familjes për të pritur miqtë. Në koordinim organizatorët kishin preferuar që qëndronin larg fjalimeve akademike, duke lënë të nëkuptohej rëndësia e kësaj feste mbarëshqiptare përmes numrave të zgjedhur nga artistë shqiptarë në Itali. “Për ty, Atdhe”. Kjo ishte kënga hapëse e aktivitetit, që kumboi jehonshëm në mjediset e Konsullatës, e kënduar me ton e pasion nga artisti i njohur prej vitesh Bahri Rustja. (Më vonë këndoi edhe një këngë të muzikës së lehtë.) Përshëndetën të pranishmit dhe uruan festën zonja Anila Pojani, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë zoti Diamant Kastrati, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës.
– Dëshirojmë t’ua lëmë artit të fjalës dhe rimës, artit të tingullit dhe zërit, artit të formës dhe ngjyrës të thonë fjalën e tyre, – tha në fjalën e tij organizatori e moderatori Ndue Lazri. Ndaj menjëherë lexoi një recensë (ashtu siç di t’i qëndisë ai,) të vëllimit të fundit poetik të shkrimtares së re, por shumë të suksesshme, Rudina Muharremi Beja. Poetja shprehu falenderimet dhe lexoi për të pranishmit poezinë “Atje”, e cila gjashtë ditë më parë u shpall fituese e vendit të dytë nga mbi treqind poezi konkuruese.
Si arti më pranë njeriut, muzika është e preferuara. Veglat muzikore më të vjetra janë ato frymore, të cilat në shekuj janë perfeksionuar nga artistët. Patëm fatin të shijojmë tingujt e flautit të sjella live me elegancë e ndjesi të melodisë “Tuj shetit në mal e n’kodër” nga instrumentistja e talentuar Monika Bekolli. (Në një moment tjetër interpretoi një moderato relaksuese.)
Për fatin jo të mirë, shkrimtarja Lumturi Plaku është përfshirë në një zi familjare. Megjithatë, moderatori Ndue Lazri dhe aktivistja Nereida Xhakolli na e bënë të pranishme përmes njëzet e katër librave të shkruar, origjinës, lirisë që gjeti larg mëmëdheut, për fatin e Margaritës …
Përsëri vend për muzikën. Këtë herë përmes sopranos së njohur Daniela Sannicolò.
– Përmua e preferuar mbetet gjithmonë tema unversale ajo e dashurisë, – tha ajo në prezantimin e saj. Interpretimi me nota lirike përcolli zjarrin e padurueshëm të dy të rinjve që zbulojnë se ishin të dashuruar.
Kjo ia la vendin rapsodisë dhe epikës, të cilat në Ditën e Flamurit përcjellin histori, heroizëm. Grupi “Gjurmët” kishin ardhur nga Allessandria me instrumentat e tyre idiofone dhe sollën për të pranishmit gjithë madhështinë e këngës lapidare “Për liri s’të fal shqiptari” të Grupit mitik të Burrave të Ansamblit “Mirdita”. (Fill pas kësaj sollën edhe një këngë tjetër rapsodike.)
– Ka botuar 27 libra në gjuhën shqipe, 22 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 80 çmime (shumica, çmime të para) në konkurse të ndryshme letrare. Ka përkthyer 17 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht, – tha moderatori në fjalën prezantuese të shkrimtares dhe poetes Irma Kurti. Shkrimtarja tregoi si nisi aktivitetin letrar, si u pozicionua pranë këngës dhe si erdhi rritja e saj eksponenciale si personalitet i letrave të shkruara. U recituan disa poezi të zgjedhura dhe interpretuara nga vetë autorja.
– Arti i pikturës lë pak hapësirë fjalës, – u shpreh piktorja e talentuar durrsake Elona Marika. Në muret e sallës ishin ekspozuar rreth njëzet punime të sajat.
Duke folur për artin e piktores, modratori përmendi që autorja shpreh modernizëm të kohës, por jo një modernizëm maniakal. Shpesh vihen re nota misticizmi në punimet e Elonës. Megjithatë, konkretja e maskuar zbulohet në temat për familjen, botën e përtejme, historinë e legjendat, natyrën me kapriçot e dialektikës.
Befasues ishte prezantimi i një vajze të re, Fatma Mema. Emër i dëgjuar në publikimet në rrjetet sociale. Kishte ardhur nga Reggio Emilia. Në përgjigje të pyetjeve tha që ishte e pasionuar për këngën. Ishte dhe autore tekstesh dhe këngëtare. Ajo është e dalluar edhe në një art tjetër që e ushtron prej 11 vitesh, sportin e karatesë. Këtë vit ajo fitoi “Cintura Nera”, çimim tepër i lartë për këtë sport. Më pas interpretoi për ne një këngë të sajën.
– Është shtëpia juaj. Tani u lëmë vend bisedve të lira, fotove dhe duke shijuar gastronominë …, – na thanë zotët shtëpisë.
Palosja e dytë, Novara.
Kësi ditësh janë të pashmangshme koincidencat. Veçse me një ndryshim. Në qytetin verior Novara aktiviteti me tre faza pati kohëzgjatje nga paraditja deri në orët e natës. Grupi “Gjurmët” nuk kishte lënë vetëm gjurmë, por i kishte tërhequr këmbët zvarrë. Kësisoj e patëm të lehtë t’i ndjekim pas dhe i gjetëm pikërisht tek lokali ku na kishin ftuar për Darkën Festive miqtë tanë të rrallë.
Në një publikim të mëparshëm kam folur për projektet tepër ambicioze dhe seriose të shoqatës “Ura”. Ndaj tradita vazhdon dhe cilësia e pjesëmarrja rriten e përmirësohen event pas eventi.
Në dy salla të tejmbushura që komunikonin, mori fjalën Presidenti Eno Dule.
– Është Faza e tretë e aktivitetit, – tha dhe flënderoi të pranishmit. Mes tyre ishte dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit dhe autoritete të tjera lokale. Për këtë fazë të aktivitetit, kishin ftuar dy këngëtarë nga vendlindja. Këtë e kishte mundësuar sponsori Ardian Dushaj dhe firma e tij Aishel Group. Kënga, vallja, bisedtat e gëzimi i të pranishmëve ishin shenja e kësaj mbrëmjeje. Ne që kishim shkuar nga Brescia, na rrethuan me respekt e përkujdesje, veç atyre që njihnim, të gjithë. Çifti Dyrmishi dhe Skopeci na qëndronin pranë, sa na konsideronin sikur të ishim në konakun e familjes së tyre. Në tavolinë patëm një personazh tepër të respektuar. Ish oficeri dhe ish Sekretari i Bashkisë për ca kohë në Lezhë, zoti Muhamet Lika, është babai i Etleva Lika, i këngëtarit bas Artan Lika dhe i një djali tjetër, këngëtar bas edhe ai, që jeton disa kilometra më larg. Bijtë e tij japin kontribut të çmuar për kulturën tonë, për shkollën dhe Artani ushtron artin e të kënduarit me mjeshtri e tonalitet të lartë. Përsësëri grupi “Gjurmët”, i udhëhequr nga Ndue Lala dhe Gjon Melyshi, të veshur me petka kombëtare, vazhduan rapsodinë e kënduan për publikun.
Mbresëlënës është fakti i arrdhjes së kaq shumë bashkatdhetarëve, për të festur bashkarisht Ditën e Flamurit. Kjo tergon se atje punohet me ide të qarta, me angazhime serioze dhe vullnet të pastër për t’i shërbyer komunitetit dhe kulturës sonë, gjuhës sonë, flamurit tonë.
3. Palosja tre, Brescia.
Më hyrjen triumfatore të flamurit në dorë të fëmijëve, të shoqëruar nga mësueset dhe muzika, nisi Dreka Festive. Të gjithë ishin veshur me kostume kombëtare, ku mbizotëronte e kuqja dhe flamuri ndihej i mbështjellë nga një zjarr rinor.
Dreka ishte organizuar, sikur është bërë traditë prej vitesh, nga Cumuntà Albanese in Italia. Njoftimi ishte hequr nga rrjetet sociale, pasi në kohë rekord prenotimet kishin ezauruar numrin e vendeve të disponueshme në sallë. Prindër, pjesëtarë të komunitetit, të ftuar e autoritete patën motiv për ta nisur aktivitetin që parapriu drekën, me duartrokijte. Gjallëria që përcjellin fytyrat gazmore të fëmijëve, ishte tepër provokuese. Mësuesja e gjuhës shqipe në shkollën “Mësonjëtorja”, Monda Mara përshëndeti të pranishmit dhe ftoi pranë fëmijëve e para të pranishmëve Zëvendëspresidentin Kostandin Llojii dhe Presidentin historik Ahmet Bendo të organizimit shoqëror. Urimet e tyre ishin për festën e Flamurit, për shkollën që funksionon më së miri, për angazhime të reja. Presidenti Bendo ftoi pranë tij gjithë mësuesit dhe u shprehu atyre mirënjohje të ndjeshme për punën tepër të vyer e krejt vullnetarisht. U përmend edhe pjesëmarrja në aktivitetin “Fjalët e Shpirtit” ku nxënësit e kësaj shkolle i dhanë tonin me recitimet e me vallet e përgatitura me shumë kujdes. Përshëndetën disa të ftuar, mes tyre edhe Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, poeti i talentur Skender Lazaj, dr. Plaka Suela, Këshilltare e Provincës Brescia.
Recitimet e poezive ishin tepër emocionuese për fëmijët që, për arsye objektive, mësojnë gjuhën shqipe si të jetë gjuhë e huaj. Duke ndjekur shkollën, ata fitojnë konfidenca e shprehi të përdorimit të gjuhës sonë. Dhe më mirë se në recitimet, ku mund të shprehen këto cilësi?
Shpesh recitimet u ndërprenë nga vallet e akoma më shpesh nga duartrokitjet.
Për të nderuar punën me përgjegjësi e autoritet që zhvillohet nga komuniteti, nga shkolla, nga drejtuesit e, veçanërisht nga Presidenti ambicioz Ahmet Bendo në Brescia, ishte i pranishëm Konsulli i Republikës së Kosovës, zoti Driton Blakçori i cili përshëndeti, duke theksuar rëndësinë mbarëkombëtare të kësaj feste. Tashmë, nuk është diçka e re, të përmendet që e pranishme ishte edhe zonja Luljeta Cobanaj. Në shumë raste krijohet ideja, qoftë për detyrat e rëndësishme që ka pasur, qoftë për rolin si metronom i lëvizjes shoqërore e kulturore në Veriun e Italisë, sikur e gjithë konsullata është ajo. Me gjithë impenjimet e përditëshme intensive, gjeti mënyrën të ishte prezente, përshëndetëse dhe falënderuese në Festën e Flamurit.
Kështu, pjesëmarrësit në këtë aktivitet jetojnë ca ditë të mira me mbresat që la ditëfesta, e cila mori formën e një spektakli me këngë, valle, biseda, njohje …
Burimi/Facebook


Leave a Reply