Dy fjalë rreth romanit në qarkullim “Don Kishoti i Mançës”, i përkthyer mjeshtërisht prej spanjishtes nga shkrimtari Bajram Karabolli
Kulturës shqiptare, ende të pakorrigjuar nga koha e materializmit tragjik, i mungojnë konceptet bazë të Filozofisë Perëndimore. Të gjitha krijimtaritë artistike vlejnë për të drejtuar shoqërinë në kahen e duhur të gjërave, jo për ta mbajtur të mbyllur në shpellë. Konkretisht, edhe veprës së famshme “Don Kishoti i Mançës”, të shkrimtarit të madh spanjoll, Miguel Servantes, krahas vlerave të shumta, nuk mund ti mungojë edhe aspekti i çmuar në lidhje me vlerën në jetën e përditshme. Pasi kjo, pikërisht, është një nga gjërat më kryesore në një krijimtari me karakter të përjetshëm!…
Kur dëgjohet emri i Don Kishotit, përfytyrohet një tip i dështuar e qesharak. Me të drejtë, përderisa luftonte me mullinjtë e erës, që i dukeshin si përbindësha. Por, në anën tjetër, shkrimtarët e mëdhenj paraqesin në veprat e tyre një lojë në të cilën janë të përfshira të gjitha qeniet njerëzore. Personazhet e një trillimi letrar nuk vijnë nga asgjëja. Për më tepër, një vepër letrare mund të jetë shkruar para shumë shekujsh por nuk mungon lidhja e saj me ditët e sotshme. Kjo do të thotë letërsi gjeniale, me karakter universal, me vlerë për të gjitha kohët e njerëzimit. Koha fluturon, ndryshojnë marrëdhëniet sociale, politike, kulturore, idetë, fjalët, por veprat e mëdha mbeten të përjetshme.
Para disa ditësh, lexova nga një profesor italian universiteti një artikull që shkruan se Dostojevski në romanin “Idioti”, krijoi Princin Myshkin, nën aspektin e heroit të Servantesit. Është e vërtetë, por Don Kishoti nuk mund të kufizohet vetëm te një njeri. Shtrihet në miliona njerëz në botë, në luftë të përjetshme me mullinjtë e erës. Dostojevski, padashur, u bë parashikuesi më i shkëlqyer i ngjarjeve që vijuan në Rusinë e parilindur shpirtërisht, në Revolucionin e Tetorit. Prandaj ishte i ndaluar nën Diktaturë, edhe në Shqipëri. Vijuan miliona të vrarë në Luftë Civile. E njëjta sëmundje vëllavrasëse u shfaq edhe në Shqipëri duke kthyer kohën e shoqërisë shekuj pas. Plagët e hapura dallohen lehtë në ditët e sotshme.
Prandaj, nga Don Kishoti, sa herë kujtohet figura e tij komplekse, duhet mbajtur pikërisht, ajo hija e tij e pavdekshme në vetë shpirtin e njeriut, që zvarritet pa pushim në shekuj, në kërkim të ideve fikse, të ngurta, të çmendura, jashtë realitetit. Është diçka që ka vlerë për të dy ekstremet. Rryma kulturore që bëhet shkak, në mënyrë që logjika të ekuilibrojë instinktet kafshërore, nuk është veçse Rilindja Shpirtërore. Nuk ka rrugë tjetër të provuar në praktikë. Prandaj duhet të tregohet interes për të kuptuar sekretet e saj më të thella, çliruese në një Shqipëri ku, historikisht, këto pasuri me vlerë të paçmuar jetësore, nuk u trajtuan kurrë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply