Sot pa ka Shqipni. Mirëpo, kishte dashtë me ditë, a ka shqiptarë, që me e mbajtë Shqipninë në kambë si shtet? Qe se edhe në Shqipni, si gjithkund gjetiu, gjindja fejohen e martohen, merret vesh prej vetiu, se ka shqiptarë në Shqipni. Veç çka se mundet me qenë që këta shqiptarë janë shqiptarë vetëm kah fisi, si me thanë, se janë shqiptarë që përbajnë popullin shqiptar, e jo asi shqiptarësh që përbajnë shtetin, edhe e mbajnë shtetin në kambë, pse çdo popull nuk përban as nuk e mban shtetin në kambë.
Ciceroni thotë- Shteti asht gja e kombit. Por komb nuk asht çdo çetë njerëzish mbledhë sido, por çetë populli, shoqnue me tagre, detyra e interesa të përbashkëta.Prej këtyne fjalëve, merret vesh, se për me qenë Shqipnia shtet përnjimend i pamvarshëm edhe me u mbajtë në kambë si shtet e me përparue, nuk asht mjaft që shqiptari tē jetë shqiptar vetëm me fis, me trup, por duhet të jetë shqiptar me shpirt; asi shqiptari që të përbajë kombin e jo vetëm popullin.
Me u shoqnue mund të shoqnohen edhe hajnat, por nuk përbajnë as komb, as shtet. Po deshëm pra, që kjo Shqipni e jona të mbahet shtet në kambë e të përparojë, duhet domosdo, që të dihet këta shqiptarë të Shqipnisë a janë shqiptarë edhe me shpirt, apo vetëm me trup, me gjak e me gjuhë.
Çështja ka një randësi kryesore për ne, prandej duhet zhvillu deri në palcë e pa doreza. Asht kot që ta rrejmë veten, herë me fjalë të mëdha dykuptimshe, herë me gjysma fjale të pa farë kuptimi. Kirurgu para se t’ia vejë thikën trupit, do ta njohë mirë varrën ose varret që e mundojnë të ligun; edhe na, po deshëm përnjimend që shteti ynë të ketë gjallni, të forcohet e të përparojë, do t’i njohim patjetër varret që ia mundojnë shpirtin shqiptarit, në pikëpamje shoqnore e kombëtare. E si t’i shohim e t’i njohim do të mundohemi me i shërue, tue iu mbajtë rrethanave të kohës e të cilësisë së mjeteve e të njerëzve.
Fishta
Shkëputur nga- Tash, që asht ba Shqipnia, duhen përba shqiptarët.
Burimni/Facebook/Autorja


Leave a Reply