BIBLIOTEKA DHE SKEDA LETRARE
TIPOLOGJIA E GJËEGJËZAVE TË SHKRIMTARES ADELINA R. MAMAQI
-Shënime për librat me gjëegjëza “101 gjëegjëza” (EXTRA, Tiranë 2007), ‘101 gjëegjëza” (ribotim, EXTRA, Tiranë 2015), “Di të luaj dhe të qesh” (EXTRA, Tiranë 2019), “Unë e di, gjeje ti!” (170 gjëegjëza, EXTRA – R, Tiranë, pa vit botimi).-
Kontributi në fushën e letërsisë për fëmijë i shkrimtares Adelina R. Mamaqi përfshin një pamje të gjerë e shumështresore gjinish dhe zhanresh letrare. Kësaj radhe komunikimi im është për librat me gjëegjëza, botime në vite të kësaj autoreje.
Gjëegjëza, për natyrën e saj, është një nga zhanret më të papritura e të befasishme, të bukura e “fjalëpake”, ku rrinë “fsheshur” kujtesa e lexuesit të vogël, intuita, kërshëria, zgjuarsia, mençuria e tij… etj. Këto vitet e fundit, ky zhanër interesant, ka njohur zbehje vlerash. Një pjesë e botimeve janë të dobta, mediokre, të mbushura me rima foljore, ndërsa një pjesë tjetër merren si autoriale nga krijimtaria jonë popullore (folklori). Kemi të bëjmë me një plagjiaturë të theksuar.
Koncepti bazë i gjëegjëza të librave të Adelinës kanë një natyrë poetike. Kjo veçori është e lidhur me tiparin e saj të individualitet letrar, kryesisht si poete. Pra, është e pushtetshme poezia me gjithë spektrin e ngjyrave të, ku çuditërisht këto të fundit “rrinë fshehur” si gjëegjëza. Ti zbulon gjëzën, por njëkohësisht zbulon dhe poezinë. Poetja në një nga gjëegjëzat e saj thotë: “Natën, shpesh rri zgjuar, / Për të na dhuruar, / Një mik shumë të çmuar” (shkrimtari), për të vazhduar në f. 29: “Flet me ty, por nuk ka zë. / E do fort e rri me të” (libri).
Në pikëpamje të tematikës, autorja fton lexuesit e vegjël për të kërkuar dhe gjetur stinët e pranverës, orenditë shtëpiake, teknologjinë e re, objektet që fëmija i ka për zemër e që luan me to, … etj. Një vend të rëndësishëm zënë shpendët, kafshët e plot qenie të tjera me karakteristikat e historitë e tyre. Ata i kemi “njohur” dhe më parë, se janë personazhe të përrallave dhe të tregimeve të Adelinës, si: iriqi, luani, lepurushi, macja, harabeli, koala, breshka, dallëndyshja, elefanti, këndesi, gjirafa, struci, xixëllonja, zebra, kërpudha, kanguri, delfini, balena, laraska, qeni… etj. Gjithashtu zënë vend edhe raportet e fëmijës me mjedisin familjar dhe shoqëror. Këto marrëdhënie dritësojnë poetikisht problematikat e librit. Një pjesë e tyre kanë dhe “aromë” edukative dhe prirjeje të një rregullsie ditore të fëmijës që duhet ta kenë si edukatë të përditshme.
Mjeshtrinë e shkrimtares në paraqitjen e shumëllojshme të gjëegjëzave, tipologjitë e tyre të ofruara, mendojmë ta paraqesim përmes këtij klasifikimi: – paraqitja e mënyrës së veprimit, – koha e veprimit, – sasia e elementëve përbërës të objektit, të ngjashëm me njëri-tjetrin, – paraqitja e një elementi të ngjashëm, – funksioni i sendit që kërkohet të gjendet, – përparësia e tipareve të jashtme, – ngjyra në funksion të sendit dhe në ndihmë të tipareve të jashtme, – tiparet e brendshme, gërshetimi i tyre me ato të jashtme, – elementet krahasimtare në tiparet e jashtme të objekteve, – elementët më të qenësishme të objekteve, – paraqitja e elementeve figurativë krahasues, – paraqitja e tipareve të brendshme të objekteve nëpërmjet tipareve të sendeve të tjera, – funksioni parësor i sendit, që përmes fjalëve e vargjeve kërkohet të gjendet, – disa tipare të ngjashme në formë, – cilësia dhe ngjashmëria e objekteve, – tipari kryesor i objekteve, si: ngjyra, – koha dhe mënyra e veprimit e ndërlidhur me dy tipare të brendshme të objektit, – paraqitja e modalitetit popullor, – ngjashmëria e sendeve (kalimi nga njëri send në tjetrin), – paraqitja e dukurive krahasimtare, ku elementet janë të ngjashme.
Librat me gjëegjëza të shkrimtares Adelina R. Mamaqi me përmbajtjen dhe vlerat artistike që mbartin i kanë dhënë jetë këtij zhanri, janë një modelim artistik e pikë referimi se si duhet konceptuar dhe lëvruar ky zhanër në të gjitha fushëpamjet e tij herë të zbuluara e herë të fshehura.
Shkodër, më, 11.09.2023 ( Xhahid Bushati )
Burimi/Facebook


Leave a Reply