-K u j t i m e-
NJOHJA
Për herë të parë “u njoha” me Zef Luigj Mjedën, nëpërmjet një shkrimi që më solli për ta transmetuar në Radio Shkodra. Ishin ende ato vite, kur pushtetarët, nuk donin ta përmendnin këtë emër, pa le të flitej për të. Megjithatë unë e transmetova shkrimin, i cili më zgjoi interes dhe kureshtje për t’u njohur më tej Zefin. Një ditë u njoha me të. Ishte një burrë trupshkurtër, me flokë të bardha borë, me gjyslykë po të bardhë. Edhe pse 73 vjeç, jo vetëm që s’e përfillte bastunin, por nga lëvizjet e tij, dukej që gjallëria djaloshare nuk i ishte fikur. Më vonë Zefin, për një periudhë kohë e kisha një nga bashkëpunëtorët e rregullt të Radio Shkodrës në emisionet letrare, në rubrikën: “Ju flet gjuha Esperanto”. Përkthimet e tij nga gjuha Esperanto te dëgjuesi përherë zgjonin dije, interes dhe kurreshtje.
FRAGMENTE NGA BIOGRAFIA
Në moshën shtatëvjeçare Zefi hyn në klasën e parë të shkollës së jezuitëve. Më pas kalon në shkollën fillore “Dugajët e reja”, ku ka mësues, etnografin Rrok Zojzi. Vitet e shkollës së mesme i bën në Gjimnazin e Shtetit, me profesorët Geci, Anamali, Prela dhe i përfundon në Liceun Klasik “Illyricum (Ilirikum) të Françeskanëve, Këtu pajiset me një kulturë të gjerë klasike dhe njihet me kolosët e letërsisë botërore. Këtu ka si mësues, etërit: Gjon Shllaku, Marin Sirdari, Donat Kurti, Martin Gjoka, Daniel Gjeçaj, Athanas Gega dhe Angjelin Saraçi.
E caktojnë mësues në Malsinë e Lezhës, ku me 14 shkurt 1946 hap shkollën fillore në fshatin Rasfik (fshat në mes të Urës së Matit dhe Rubikut). Më vonë kalon edhe disa shkolla të ndryshme të po këtij rrethi. Në vitin 1959 transferohet në rrethin e Shkodrës. Nis punën në Obot, Vrak, Hot i Ri, deri në vitin 1968. Më pas e përjashtojnë nga mësuesia. Arsyeja: mbajtje e dorëshkrimeve të profesorit të tij të nderuar padër Marin Sirdani, i cili prej më se 30 vjetësh (në Kurbin e Krujë) mblodhi të dhëna mbi legjendat e krijimet popullore për Skënderbeun. Kështu nisi odisea e tij, duke mbetur për 9 vjet rresht një punëtor i thjeshtë, që mbërthente arka duhani. Doli në pension në vitin 1976. Më 7 Mars 1994 dekorohet me titullin: “Mësues i Popullit”.
NË RRUGËN E KRIJIMIT…
Në klasën e gjashtë të Liceut, fillon të shkruajë novela. Njërën prej tyre e boton në Revistën Letrare të Mitrush Kutelit. Në të njëjtën kohë nis e merret dhe me përkthime. Përkthen disa novela të Mopasanit, përpilon një fjalor italisht-shqip.
HYN NË NJË RRUGË TË RE, NË RRUGËN E GJUHËS ESPERANTO
Motivin e parë, shtytjen e parë që t’i hynte gjuhës Esperanto, ia dha ambasadori i Vietnamit në Moskë, Sofje dhe Tiranë, Ngujen Van Kinh. “Korrespondenca me të, literatura përkatëse që më dha, – më thoshte Zefi, – më bënë të hedh hapat e parë në këtë gjuhë të panjohur”. Por ai, që e shtyri që t’i kushtohej prej së vërteti kësaj gjuhe ishte prof. Kolë Koci,
Që nga ajo kohë, në të gjitha orët e lira, edhe natën, Zefi do t’i përkushtohej esperantos. Me ardhjen e demokracisë, studimet e tij në këtë gjuhë nisin e marrin hapësirë. Nis korrespondenca me botën e jashtme, që nuk është më një “tabu”. Gazetarja kroate Spomenka Stimec e nxit që të vijojë të përkthejë Rapsoditë e Veriut. Më vonë bëhen më të ngushta lidhjet me Qendrën Esperantiste në Rimini dhe Paris, dhe me miqtë hollandezë Vera dhe Zjak Tuinder, Himskerk dhe Nikola Rashiq në Roterdam. Dy të parët, anëtarë të një shoqate esperantiste hollandeze, e ndihmuan të shkojë në Hollandë. Gjatë kësaj rruge, ndalon në Rimini, ku takohet me disa esperantistë italianë. Më vonë i ndihmuar nga miku i tij Nikola Rashiq dhe nga dy esperantistët italianë Mikela Lipari dhe Karlo Sarandrca, përfaqëson Shqipërinë, korrik 1993, në Kongresin Ndërkombëtar të Esperantos në Valencia (Spanjë). Këtu pranohet anëtar i Tezhas, Shoqata Esperantiste Botërore e Gazetarëve. Është korespondent i revistave “Monato” (Antverpen – Belgjikë) dhe “Espero Katolika” (Romë – Itali). Në revistat në fjalë e në të tjera boton artikuj të ndryshëm. Ka korrespondencë me 31 esperantistë nga vendet e ndryshme të botës.
Duke u nisur nga dëshira që edhe të rinjtë shqiptarë të mësojnë Esperanton, përpiloi dy fjalorë të vegjël me rreth 10.000 fjalë. Fjalori i parë ka 3000 fjalë-rrënjë, ndërsa fjalori i dytë shqip-esperanto ka 7000 fjalë. Ky leksik është i mjaftueshëm për të lexuar revista, gazeta, për të dëgjuar radio dhe për të mbajtur korrespondencë. Për metodën që ka 12 mësime, ka punuar më shumë se 4 vjet duke pasur për bazë autorë francezë, italianë, polakë dhe kroatë. Fjalori Esperanto – Shqip dhe Shqip – Esperanto, dhe metoda e mësimit të gjuhës Esperanto, u botua nga Shtëpia Botuese “Kombi”, dhe u mor posaçërisht me botimin e këtij libri esperantisti Gafurr Muço, i cili në parathënie në mes të tjerave thotë: “Kur të shkruhet historiku i lëvizjes esperantiste në Shqipëri, sigurisht me objektivitet, do të shohim se aktiviteti i Zef Mjedës është i pandarë nga kjo lëvizje. Zef Mjeda radhitet krahas figurave të shquara esperantiste shqiptare, si: Dom Lazër Shantoja, Cuk Simoni, Janko Pali dhe Çefo Fico… Të punosh në favor të lëvizjes esperantite do të thotë të respektosh edhe Zef Mjedën, dhe ne do ta respektojmë atë”
Gjatë bisedës me Zef Mjedën, ai më tregon se ka përfunduar në dorëshkrim Fjalorin Esperanto – Shqip prej më se 40.000 fjalë. Paralel me këtë Fjalor rri edhe ai Shqip – Esperanto me rreth 35.000 fjalë. Ka përfunduar 32 balada e rapsodi nga Cikli i Mujit dhe Halilit, dhe 50 përralla të mbledhura nga padër Donat Kurti.
Kjo bisedë e zhvilluar afro 45 vjet më parë, kur e njoha për herë të parë Zefin, më thotë se shumë vite kanë kaluar nga ajo ditë dhe nuk e di se ç’është bërë me këtë pasuri të vyer. Di që dikush duhet t’i botojë… në qoftëse nuk janë botuar…
Zef Mjeda ka hartuar edhe dy fjalorë shkollorë. I pari titullohet “Fjalor shkollor i gjuhës shqipe për shkollën 8-vjeçare” (për klasën e tretë dhe të katërt) me rreth 3100 fjalë dhe 714 skica. Kurse i dyti ka një ndërtim më specifik, për nxënësit e klasave të pesta dhe të gjashta. Këtu lënda është e ndarë në 90 mësime.
NË MBYLLJE
At’ burrë fisnik që e njoha afro 46 vjet më parë, nuk më largohet mga mendja. Nuk më largohet komunikimi etik që pata shumë herë me të, kultura e tij shumë dimensionale. Nuk më largohen sytë e vëmendshëm që, ashtu si shpirti ishin të bardhë e të pastër. Tek ai burrë fisnik dhe i heshtur si natyrë, dritësonte çdo gjë. Andaj qesh fatlum që e njoha dhe e pata mik. Të tillë miq njeriu takon rrallë në jetë.
Edhe pse Zef Mjeda ka ndërruar jetë (1921-2000) më bëhet sikur punon e punon parreshtur, ndoshta për të zënë kohën e humbur, jo vetëm kaq, por nga që e ka për zemër gjuhën Esperanto.
Shkodër, 2022 ( Xhahid Bushati )
Burimi/Facebook


Leave a Reply