Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet për 20 persona të akuzuar si “grup i strukturuar kriminal” dhe nisi për gjykim çështjen e tyre pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
SPAK bëri të ditur se falë bashkpunimit me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit gjeti prova mbi krimet e 20 të pandehurëve.
Personat e përfshirë akuzohen të paktën 27 episode kriminale: 10 vrasje, 1 plagosje, 7 vrasje të mbetura pa u përfunduar, 6 vjedhje me dhunë të banesave dhe pasuri të tjera, 2 shkatërrime pronash me lëndë shpërthyese si dhe një 1 rast korrupsion aktiv ndaj zyrtarit publik.
Aktiviteti kriminal është zhvilluar në qytetet: Elbasan, Peqin, Tiranë, Vorë, Durrës, Shijak, Kavajë, Berat, Fier nga viti 2011 deri në vitin 2022.
Të pandehurit që akuzohen në këtë seri krimesh janë: Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tasi, Enver Diva, Besian Xhixha, Erion Alibej, Florenc Çekrezi, Elvis Koçi (Çaushllari), Ilirian Feci, Asllan Plaku, Ardian Uzuni, Altin Ndoci, Gentian Sharra, Agron Qoli, Petrit Qoli, Fatos Gosa, Agron Qafa, Agim Gjini, Xhulian Hoxha dhe Albert Pashaj.
Kapja dhe ngritja e akuzave ndaj tyre mbylli një seri hetimesh për ngjarje kriminale në Shqipërinë e Mesme, ku prej një dekade kishte njoftime të pjesshme për vrasje me porosi, përplasje mes grupesh kriminale dhe larje llogarish midis tyre, po ashtu edhe vrasje dhe dhunim të qytetarëve të pambrojtur.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply