(Nga libri “10300 ditë e netë në burgjet komuniste”)
Zotit Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Nalt, Tiranë.
Tiranë, 26 XI. 1964.
Sikurse kam deklaruar në gjyq, pjesa më e madhe e proçeseve të mia është falsifikuar hapur nga major Llambi Titani. Për më tepër firmat janë marrë duke përdorur dhunën fizike, psikologjike dhe kërcënimet.
Gjithashtu, mbas dënimit tim me vdekje, presioni i përgjithshëm ka vazhduar. Thuajse të gjithë personat, që më kanë shoqëruar gjatë izolimeve, më kanë thënë se janë të porositur që të më bëjnë presion dhe kërcënime që të gënjej. Më është thënë gjithashtu se do të hakmerreshin tek familja po të refuzoja një gjë të tillë.
Edhe mbas dënimit tim dhe ardhjes në burg, tortura më është shtuar, në vend që të pakësohej. Tortura me hekura, djegja me cigare, shpuarja me gjilpëra, ndalimi i takimeve, futja në birrucë, ndalimi i ushqimeve dhe i korespondencës për muaj me radhë, futja e të burgosurve që të më rrahin: ja disa nga metodat e përdorura kundër meje.
Për të gjitha këto jam ankuar, por në vend të përgjigjeve më ka ardhur intensifikimi i mundimeve.
Prandaj, duke i marrë parasysh këto të gjitha, si edhe ato që mund të vijnë mbrapa, deklaroj qartë dhe hapur se çdo dëshmi e marrë me dhunë dhe kërcënim prej meje nuk ka asnjë vlerë dhe është e gënjeshtërt; çdo akuzë në emrin tim, ndaj cilitdo personi, është fallso.
Unë nuk kam qëndruar kurrë në anën e gënjeshtrës, as e kam mbrojtur asnjëherë. Këtë e kanë provuar organet përkatëse, kur më nxorrën dëshmitar ndaj Frano Shirokës (i cili është dëshmitar shpifës) dhe ku unë refuzova të gënjej.
Këtë letër nuk jua shkruaj për të ankuar, as për të kërkuar gjë, por për t’iu vënë në dijeni se në çdo rrethanë nuk do ta mbroj kurrë gënjeshtrën e as do të jem më anën e saj.
I burgosuri,
Pjetër Arbnori.
——
1)Letra i është drejtuar edhe Kryeministrit, Mehmet Shehu.
– Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit. Nr. P-9/1 7/7/12/64.
Burimi/Facebook/Rexhep Shahu


Leave a Reply