Gjatë gjithë vitit 1990 regjimi enveristo – stalinist përgjaku kufijtë
Ndërsa u kishte premtuar të rinjve të vendit pasaporta për jashtë vendit, regjimi komunist skuqi kufijtë me dhjetëra vrasje, duke e mbyllur historinë ashtu siç e kishte nisur, me pabesi e vrasje pas shpine
Nuk ngjau në asnjë vend tjetër të Europës ajo që u pa në Shqipëri. Afërsisht 50 të rinj e të reja e vranë në kufijtë e vendit vetëm në vitin 1990. Kur demokracia kishte ardhur në mbarë lindjen stalinistët e Tiranës mendonin se mund të mbanin akoma diktaturën e tyre.
Kjo masakër frymëzohej dhe drejtohej nga kupola mafioze e Partisë së Punës.
Në rregulloren e shërbimit të kufirit, miratuar me urdhrin e ministrit nr.01-40, datë 13.10.1989 thuhej: “Në themel të punës edukative, ushtarako – profesionale e teknike të Forcave të Kufirit qëndrojnë: Teoria Marksiste – Leniniste e Partisë sonë, mësimet e shokut Enver Hoxha dhe të sekretarit të parë të KQ të PPSH-së shokut Ramiz Alia, arti ushtarak i luftës popullore dhe i ruajtjes së kufirit”
Ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani, më 19 mars 1990 u deklaronte para drejtuesve të kufirit:
“Ata që do të tentojnë të rrugë të fshehtë të kalojnë kufirin, të dënohen në bazë të ligjit dhe në rast se nuk do t’i binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të jetë dhe kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion. Për ata që duan të shkojnë si vizitorë jashtë shtetit, ka rregulla të cilat kohët e fundit i kemi përsosur në gjerësi e thellësi dhe u japim mundësi që kalimin ta bëjnë të bazë të ligjit. Edhe organet tona të propagandojnë këtë ligj të shtetit tonë si një të drejtë që u garantohet qytetarëve”.
Takimi i 17 gushtit 1990
Takimi i 17 gushtit 1990 u zhvillua në një nga sallat e ndërtesës se Ministrisë së Punëve të Brendshme në prani të drejtuesve të dikasterit, kuadrot kryesore të organeve te punëve të brendshme në rrethe etj. Ramiz Alia shoqërohej nga Hekuran Isai dhe Xhelil Gjoni.
Gazeta fillon sot të botojë në disa numra këtë fjalim për të kuptuar rolin e Ramiz Alisë pas takimin me intelektualët dhe forcimin e rolit të Sigurimit të Shtetit. Kjo edhe për faktin se Alia flet për ngjarje të tjera si demonstratat e Shkodrës, Kavajës, ngjarjet e 2 korrikut, zhvillimet në Evropën Lindore, etj.
Midis të tjerash Ramiz Alia pohonte:
“Ndjekja, kuptimi dhe analiza kohe pas kohe e situatave të brendshme e të jashtme është një nevojë pune për të gjithë njerëzit tanë, veçanërisht për punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Duke kuptuar drejt zhvillimin e situatave, do të shikoni, së pari, se si lidhen dhe ç’efekte kanë me vendin tonë (situata e jashtme), ose me njerëzit e kategorive të ndryshme të popullsisë (situata e brendshme), dite, së dyti, kuptimi i drejtë i zhvillimit të situatave do t’u japë mundësi te diktoni ku puna të synoje dhe ku mund të gjejë pika mbështetjeje armiku. Si duhet kundërvepruar? Pa studim, pa analiza nuk ka pune shkencore, ka vetëm diletantizëm. Koha e sotme kërkon punë të kualifikuar, sepse armiku e ka ndryshuar metodën e punës së vet dhe në kushtet e sotme ai vepron nga disa pozita më të favorshme. Në radhë të parë reaksioni ka marrë kuraja, është nxitur në agresivitetin e tij nga fitoret në Lindje, ku mori pushtetin, likuidoi partinë komuniste dhe vendosi elemente antikomunistë të tërbuar në krye të tyre. Kjo ndodhi në Poloni, Çekosllovaki, në Hungari, në Bullgari, në Republikën Demokratike Gjermane e gjetkë. Kjo ndodhi edhe në Bashkimin Sovjetik, ku jo vetëm ekonomia, por edhe politika janë vënë plotësisht në binarët e kapitalizmit. Së dyti, nga këto fitore armiku është bërë më prepotent dhe më arrogant, si asnjëherë tjetër. Prepotenca dhe arroganca e tij duket në faktin që ai u dikton vendeve të ndryshme edhe kushtet për marrëdhëniet ndërkombëtare, për lidhjet dhe kontaktet me vendet e ndryshme etj.
Çfarë kërkon sot reaksioni nga Shqipëria? Borgjezia dhe reaksioni kërkojnë që Shqipëria të bëjë ndryshime të thella, ato ndryshime që u bënë në vendet e Lindjes Europiane, pa, as më pak e as më shumë, likuidimin komplet të sistemit socialist, shkatërrimin e pushtetit popullor, të lirisë dhe pavarësisë së atdheut. Ky është thelbi ku synon veprimtaria armiqësore ndaj Shqipërisë sot. Po nuk u kuptua ky qëllim i armiqve, atëherë nuk është kuptuar, absolutisht, asgjë nga lufta që bën sot reaksioni. Për konsekuencë, po nuk u kuptua ky qëllim, nuk dimë të shpjegojmë fenomenet që kanë ndodhur, nuk dimë a të luftojmë kundër armikut”.
Në plenumin e 13-të e KQ të PPSH, më 11 dhjetor 1990, shefi i komunistëve deklaronte për vrasjet në kufi:
“Vetëm varrimi i atyre që do të masakrosh, do të shndërrohet në një manifestim tjetër të madh që në asnjë mënyrë nuk e përballon dot. Përveç kësaj është edhe tjetra: me kë do të bëhet kjo masakër? Me fëmijët tanë. Një vritet në kufi dhe krijon shqetësim në tërë Shqipërinë, jo më të bësh një veprim të tillë”.
Nuk i bënin përshtypje jetët, por ceremonitë e varrimit.
Gazeta 55
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply