(Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano)
Nuk kisha qenë ndonjëherë në selinë e re të Konsullatës së përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano. Në kujtesën time kishin mbetur imazhet e pakëndshme të shumë viteve më parë, kur selia e konsullatës ishte në Piazza Duomo. Ende më duket sikur më vijnë të dridhura kur kujtoj orët e gjata të pritjes dhe vargun e pafund të emigrantëve shqiptarë të ardhur nga i gjithë veriu i Italisë për praktika të ndryshme konsullore. Pritja e gjatë nën të ftohtin që të priste, orët që kalonin nën motin gri karakteristik të Milanos, të qarat e fëmijëve që kishin të ftohtë, afrimi i ndonjë sekseri që të tërhiqte mënjanë e të propozonte të ta kryente shërbimin pa radhë në shkëmbim të një shume parash, më kishin bërë të betohesha që të mos shkelja më në atë vend. Dhe në fakt, që atëherë nuk e kam bërë më pasaportën shqiptare, pasi për fat të mirë kam pasaportën italiane, që më mjafton.
Por kohët kanë ndryshuar. Sot pata kënaqësinë të isha i pritur në zyrën e Konsulles së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano, zonja Anila Pojani, në selinë e re të konsullatës. Që kur, bashkë me Mozën u afruam pranë hyrjes, mbi portën e së cilës lartësohen pranë e pranë flamuri ynë kombëtar kuq e zi dhe flamuri i Republikës së Kosovës, të cilët valëvitja e erës sikur kërkon t’i shkrijë në një të vetëm, më bëri përshtypje që nuk kishte njerëz në radhë. Herë pas here hynte apo dilte ndonjë qytetar shqiptar, refugjat në Itali, ndonjë familje bashkë me fëmijët. Në fytyrat e tyre buzëqeshje dhe kënaqësi që kishin mbaruar punë menjëherë. Në të njëjtën ndërtesë janë të dy konsullatat, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Edhe ky fakt sikur shpreh një aspiratë që ruhet në zemrat e shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës.
Sapo ngjitim pak shkallët, shohim një sportel ku tre të rinj, djem e vajza që punojnë në konsullatë, i presin qytetarët me shumë mirësjellje, i pyesin për shërbimin që kanë prenotuar online dhe i orientojnë në zyrat pëkatëse ku duhet të paraqiten për atë lloj shërbimi. Ndjek për disa çaste shërbimin në zyrën ku kryhen formalitetet për rinovimin e pasaportave dhe të kartave të identitetit. Të gjithë e dimë që prenotimi bëhet online, nëpërmjet shërbimit qeveritar e-Albania. Madje edhe të gjitha llojet e pagesave bëhen nëpërmjet rrjetit ose me karta krediti. Këtu qytetarët paraqiten me numurin rendor që u është dhënë online si dhe në orën që u është fiksuar takimi. Secili ka me vete dokumentet e duhura. 4-5 sportele në funksion të plotë vihen në shërbim. Kontroll i dokumenteve, fotografia e çastit për pasaportën biometrike, shenjat e gishtave, të gjitha të shoqëruara me buzëqeshje e mirësjellje, dhe fjala e ngrohtë “për dy javë pasaporta do të jetë gati” i bëjnë qytetarët emigrantë të ndihen tamam në një copë territor të shtetit mëmë dhe të shërbyer më së miri.
Konsullja e Përgjithshme, Anila Pojani, na fton në zyrën e saj dhe na pret me fjalë mirëseardhjeje. Aty bisedojmë për lehtësirat që u janë krijuar qytetarëve me shërbimin online, për shpejtësinë e ndjekjes dhe realizimit të praktikave e shërbimeve, për frymën e re që ndihet në të gjithë sektorët e shërbimeve dhe tek të gjithë, që nga konsujt, të cilët i pamë në efiçencë të plotë e deri tek punonjësit e tjerë të konsullatës. Pastaj ajo na njeh me aktivitetet që konsullata ka programuar të zhvillojë në çdo javë, duke ftuar në ambientet e saj emigrantë të fushave të ndryshme, si shkrimtarë e artistë, imprenditorë, mësues të shkollave shqipe, etj. Para dy javësh, përfaqësuesja e diasporës, Luljeta Çobanaj solli në Trentino librat e nevojshëm për të gjitha shkollat shqipe të zonës. Mësojmë që krahas aktivitetit me shkollat, që është i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit mësimor, këtë muaj në ambientet e konsullatës do të bëhen edhe dy promovime librash të ndryshëm.
I dhuroj dy kopje të librit tim “Ankesa e mjellmës” për t’i patur në bibliotekën e konsullatës. Ajo, duke buzëqeshur, merr një kopje të librit tim, që e ka prej kohësh në tavolinë, dhe më thotë: “Më datën 11 nëntor kemi një aktivitet kushtuar pikërisht poezisë. Dhe personalisht kam zgjedhur të recitoj një poezi nga libri juaj në atë takim”. Këto fjalë më befasuan dhe më bënë të ndihem dyfish i emocionuar dhe i nderuar. Konsullja e Përgjithshme reciton poezitë e mia…Çdo shprehje falënderimi do të ishte e pamjaftueshme, por mua më mbeti në mendje thjeshtësia dhe natyrshmëria me të cilat i tha ato fjalë e me të cilat e kishte bërë atë zgjedhje.
Pastaj na njohu me ambientet e konsullatës, me sallat ku shikojmë jo vetëm veshje popullore shqiptare e instrumente popullore por edhe një klimë që të bën të ndihesh në vendlindje. Dhe është gjë e bukur që emigrantët kur shkojnë në përfaqësinë diplomatike të shtetit, ndihen si në shtëpinë e tyre.
Pas kësaj vizite të këndshme në konsullatë, dolëm një shetitje në qendër të Milanos, në një ditë vjeshte me klimë pranverore.
Ndue Lazri










Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply