Komedia “Zotëriu i parë” erdhi nën interpretimin e shkathët të aktorëve të Teatrit Shqiptar të Shkupit këtu në Dibrën e Madhe. Komedi që duket si e lehtë, si e shpejtë, me përdorimin edhe të nëndialektit a zhargonit gjuhësor krahinor për të rritur efektin humoristik, por që, nga ana tjetër, ajo prek me zgjuarsi një nga dukuritë lënduese të shqiptarëve: konceptimin e detyrës shtetërore si mundësi privilegjesh, zhvatjesh, hajnish, hatëresh, në një shoqëri klanore e nepotike. E ku nuk e has këtë dukuri në administratat tona shtetërore në të tri hapësirat shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Një sëmundje thuajse e pashërueshme, si egzema. Dhe krruhesh e krruhesh.
Duhet përsëritur mendimi se komeditë janë të mirëpritura te publiku, pëlqehen, krijojnë situata relaksuese, argëtuese, e çlirojnë njeriun nga ngarkesat e ditës, vetë jetës, streset dhe rëndesat shpirtërore, duke krijuar një katarsis ledhatues dhe përtëritës. Por ato janë të mirëpritura jo kur teprohen, as kur zhyten në çikërrima, situata pa kuptim e si qëllim në vete, në lodra dhe ekzagjerime, por kur kanë brenda edhe dukuri me të cilat njeriu dhe vetë shoqëria lufton t’i pastrojë, siç i pati dhe komedia «Zotëria i parë». Komedia vjen plot ëndje mes karaktereve të spikatura, ndërtuar me shije nga aktorët shkupianë, secili i mëvetshëm dhe në origjinalitetin e tipit të tij duke kaluar të gjithë në një mori situatash gazmore e pa të keq dhe duke dëshmuar kështu hedhjepritjet prej këtij karuseli të ëmbël (dhe qesharak) të «hajdutërive të vogla», kur shteti konceptohet si një lopë në sisën e të cilës ngulen dhëmbët e «soj e sorollopit».
Komedia humbte paksa ritmin e veprimit të saj skenik për shkak se në Shkup skenografia me tri ambiente funksionoi mirë me vendosjen e saj mbi skenën rrutulluese, çka në teatrin e Dibrës mungonte. Mëgjithatë duhet thënë se pak u vu re kjo gjë, pasi aktorët përcollën të spektatori energji, krijuan marrëdhënie të bukura dhe mbi të gjitha portretuan karaktere njëri më mirë se tjetri.
Më pëlqeu korniza e shfaqjes, inteligjente në vetvete. Hapet me dy çiklistë që do të shkojnë të gjuajnë peshk, si dy miq të vjetër, të painteres, dhe mbyllet po me ata, por tashmë me idenë e shpërfaqur se shoqëritë e vërteta dhe të sinqerta ngrihen mbi marrëdhënie të dëlira, të painteres…
Urime miq artistë!




Burimi/Facebook


Leave a Reply