Kumtesa:”Bashkëjetesa fetare dhe roli i fesë në identitetin shqiptar, unikale në Botë”, mbajtur në Samitit Nderkombetar te Paqes i Kontinentit Europian te Sigurise, Paqes e Drejtesise ne Hotel Tirana Internacional, nga Prof. Astrit Memia
Imazhi Shqiptar & Identiteti Kombëtar, Ju uron nji javë tëmbarë e nji ditë të bardha!
Bashkëjetesa fetare dhe roli i fesë në identitetin shqiptar
Që në lashtësi, toleranca, harmonia dhe bashkëjetesa fetare e etnike janë shfaqur si tipare të jetës shqiptare. Solidariteti, miqësia, mirëkuptimi, bashkëpunimi, bashkëveprimi, falja pas drejtësisë dhe martesat kanë ndihmuar në ruajtjen e etnicitetit shqiptar. Ceremonitë dhe ritualet fetare kolektive janë zhvilluar pa paragjykime, ku ortodoksë, myslimanë e katolikë kanë riafirmuar harmoninë mes shqiptarëve. Në Veri jetojnë pranë e pranë myslimanë e katolikë, në Jug myslimanë e ortodoksë, ndërsa në Shkodër, Berat, Tiranë, Prizren, Korçë e Deçan, tri besimet kanë bashkëjetuar në hapësira të përbashkëta. Kjo bashkëjetesë shkon përtej tolerancës dhe përbën një nga tiparet e veçanta të shoqërisë shqiptare.
Feja e vjetër e shqiptarëve ka qenë fe natyrale. Ilirët i faleshin yjeve, hënës, diellit e fuqive të tjera. Nga politeizmi kaluan në paganizëm e më vonë në monoteizëm. Në kohën e paganizmit, ndër ilirë pati Kulti i Diellit, i simbolizuar me formën e rrethit të kryqit të thyer, spiralet e gjarprit, flakën dhe zjarrin. Ilirët përfaqësuan, në të njëjtën kohë me viset greke dhe italike, 8 shekuj para bullgarëve dhe 10 shekuj para serbëve, krishtërimin. Sipas eruditit Fishta:
“Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisura të Karpateve, në ato shekuj të kaluar, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, me name e në zë të fiseve dhe të kombeve. Sot kjo familje është shuar. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindur të thuash prej vetë rrënjëve të vjetra, ai është sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta.”
Duke qenë autokton, ata përkrahën të parët krishtërimin. Njoftimet më të hershme për fillimet e krishtërimit në viset e sotme shqiptare i ndeshim kryesisht në letrat e Shën Palit: “Arrita tua shije të gjithëve lajmin e mirë (Ungjillin) për Krishtin nga Jerusalemi dhe përqark deri në ilirik (Ram XV, 19) dimrin e viteve 57-58 pas Krishtit.”
Nga provincat ilire në fronin e Shën Pjetrit ka pasë 4 Papë. Pas ndarjes në dy pjesë të Perandorisë Romake në vitin 395, në atë të Perëndimit, të Romës, dhe atë të Lindjes, me qendër Kostandinopojën (Bizantit), provincat e Ilirikut, Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër iu bashkëngjitën Perandorisë Bizantine, nën suazën e së cilës qëndruan për afro 10 shekuj. Vatrat e krishtërimit, që filluan në shekullin I të erës sonë, u bënë qendra të qytetërimit. Shqiptarët e respektonin ritin për sa kohë ai nuk cënonte individualitetin e tyre etnik. Ata shpesh kalonin nga një rit në tjetrin, nga kisha lindore në atë perëndimore ose anasjelltas. Në mënyrën e qeverisjes së vendit klerit nuk i jepej asnjë pozitë juridike. Shqiptarët kishin ndërgjegje fetare si popujt e tjerë perëndimorë të Evropës, por nuk qenë fanatikë ndaj ritit.
Kjo mënyrë e lidhjes së fesë me jetën shoqërore u shfaq edhe në normat juridike. Normat e së drejtës nuk ekzistojnë në vetvete; ato janë të lidhura me njerëzit. Vlerat etnografike juridike të Kanunit dhe kushtet historike, ekonomike, politike e shoqërore që pasqyrohen në të paraqesin autoktoninë e tij. “E drejta Ilire u ruajt nga shekulli 3 para erës së re për një periudhë tetëqindvjecare deri në shekullin e 12”, është shprehur Nopça. Krahas ndikimeve romake dhe kulturës bizantine, thelbi i tij i përket popullit shqiptar dhe ndryshon nga kodi i Car Dushanit të viteve 1349-54. Kanuni u përpunua nga vetë jeta, jashtë diskriminimit mbretëror, duke përfshirë një periudhë nga rendi patriarkal-fisnor, në atë feudal e deri tek epoka e hershme e së drejtës amtare.
Kanuni, si kod moral dhe civil, ka qenë për shqiptarët më shumë se Bibël e Kuran. Ai rregullonte jetën e tyre dhe qëndronte i ndarë nga përkatësia religjioze. Ligji është arsyeja e përbashkët; njohja e shpirtit të popullit, doket, zakonet dhe faktet ndihmojnë në përpilimin e ligjeve të zbatueshme. Kanuni ka një “ndarje të vërtetë të kishës nga shteti”, sepse shqiptarët, në favor të Kanunit, thjeshtë do të hedhin poshtë shndërrimin e kishës, xhamisë a tempullit. Institucioni i femrës shqiptare vlerësohej maksimalisht dhe nuk lejohej të vritej.
Kjo lidhje ndërmjet përkatësisë fetare dhe identitetit kombëtar shprehet qartë edhe te Mit’hat Frashëri, i cili shprehet se shqiptarët kanë ditur të ruajnë veshjen, gjuhën, ndërgjegjen si dhe solidaritetin e tyre etnik. Besimet fetare nuk kanë mundur t’i shkëpusin këto lidhje. Shqiptari para se të jetë mysliman, katolik apo ortodoks, është shqiptar. Shpirti i shqiptarit, në kompleksitetin e vet, mban vlerat tona kombëtare. Mbi principin natyror të vetëruajtjes, ai krijoi tezat e bashkëpunimit e mirëkuptimit me popujt fqinjë dhe kombet e tyre, duke qenë i hapur, fisnik, i lartësuar në vlerat e qytetërimit modern.
Në të njëjtën linjë, M. Shuflaj shkruan:
“Lufta ideologjike mijëra vjeçare midis Romës dhe Bizantit, shkruan M.Shuflaj, nuk mori kurrë trajtë të vrazhdë në tokën shqiptare. Ndërgjegjja tepër e thellë e vendasve, e cila ka peshuar më tepër se ndjenjat fetare dhe egoizmi i prijësve të tyre, nuk lejoi kurrë që zelli fetar dhe egoizmi i prijësve të ngrihej në shkallë të fanatizmit, të cilat gjatë mesjetës tek shqiptari mezi i gjendej gjurma.”
Dëshmi të kësaj bashkëjetese gjenden edhe në jetën e komuniteteve shqiptare jashtë vendit. Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, në Amerikë, në vitet 20 të këtij shekulli kishte për kryetar një mysliman, kur shumica e anëtarëve ishin ortodoksë. Më vonë, në krye erdhi një protestant, Kristo Dako, që s’kishte asnjë anëtar tjetër. Myslimanët pagan kontribuonin për kishën ortodokse në Amerikë.
Komisioni i Lidhjes së Kombeve, më 12.05.1922, arriti në përfundim se:
“Pjesëtarët e besimeve të ndryshme fetare, shpesh të lidhura me lidhje gjaku, tradite, i festojnë së bashku festat fetare. Në vazhdueshmëri, në kohë dhe hapësirë, klerikë të tërë besimeve fetare kanë vizituar së bashku xhamitë, kishat dhe teqet, tyrbet dhe vendet e shenjta, të quajtura ndryshe vatra, apo shtëpi të zotit.”
Në fshat e sidomos në Shqipërinë verilindore kishte me emra myslimanë që shkonin në xhami, ndërsa të tjerë në kishë, brenda një fisi apo familjeje. Shkencëtari anglez Arthur.J.Evans shprehet:
“Çështja e fesë për shqiptarët është e dorës së dytë. Fjala e urtë shqipe thotë: “Religjioni shkon pas shpatës”. Shqiptarët me gjakftohtësinë më të madhe ditën shkonin në xhami e natën në kishë, ka familje ku njëri vëlla i përket fesë katolike e tjetri i fesë myslimane.”
Kjo frymë bashkëjetese u shfaq edhe në rolin e institucioneve fetare në jetën kombëtare. Jo vetëm funksionarët e fesë, por edhe institucionet fetare, bektashinjtë e teqet, kanë shërbyer si vatra të propagandës së shqiptarëve dhe të ideve të lëvizjes kombëtare. Më 1924 kishte 260 teqe në Shqipëri. Me rëndësi historike dhe politike ishte teqja Hara Abati Babateqe Tetovë.
Pas shekullit XVI, në afrimin e feve në Shqipëri luajti rol edhe Bektashizmi. Ata predikonin një jetë të thjeshtë, vëllazërim universal, urtësi, durim, tolerancë, pastërti morale, dashuri për atdheun dhe kombin, për njeriun, diturinë, natyrë demokratike, tipare iluministe dhe karakter human. Bektashinjtë kanë organizuar e udhëhequr me shqiptarizëm lëvizje politike e shoqërore me karakter kombëtar, për mbrojtjen e identitetit etnik, gjuhësor e kulturor shqiptar.
Për këtë Roberto Moraca de la Roka nënvizon se edhe “ndërmjet bektashinjve mund të gjesh patriotët më të mëdhenj shqiptar në epokën e luftërave për pavarësi”.
Edhe në vjeshtën e vitit 1919, në Përmet, u formua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, me Kryetar Koço Tasi dhe Kryetar nderi bektashiu Baba Xheferri. Komiteti organizoi popullsinë për mbrojtjen e vendit dhe pati shtrirje në Krujë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër e Vlorë. Figura shpirtërore, fetare e atdhetare morën pjesë edhe në Luftën e Vlorës dhe vepruan për bashkim, vëllazërim, harmoni midis njerëzve e popujve, kundër përçarjes, për krijimin, njohjen e respektimin e shtetit ligjor dhe zhdukjen e gjakmarrjes.
Konica është shprehur:
“unë besoj se dihet gjithkund, që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera, dhe ky është i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka pasur luftëra fetare. Një nga virtytet dhe karakteristikat më të rralla në botën e vjetër e të re të cilën po ndërtojmë në epokën e globalizmit dhe lutet të përfillet edhe nga qytetrimet e tjera, qofshin ato perëndimore, apo lindore, pa dallime ngjyre, race dhe gjeopolitike.”
Kjo frymë lidhet edhe me mikpritjen shqiptare, si nevojë, kërkesë dhe domosdoshmëri e kohës që jetojmë “për të ndarë me të tjerët”, jo vetëm vlerat materiale, por edhe ato shpirtërore të paqes dhe dashurisë për njeriun, mjedisin, florën e faunën, biodiversitetin, ekologjinë, klimën dhe universin.
Shkëlzen Raca, në librin e tij “Marrëdhëniet Shqiptaro-Greke”, shprehet se gjatë mesjetës së mesme s’ka pasë luftëra fetare në Shqipëri. Feja nuk helmoi as neutralizoi ndërgjegjen etnike të kombit shqiptar. Një vëzhgues perëndimor anonim pohonte se në 1308 shqiptarët mesjetarë nuk kishin bindje fanatike për asnjë rit. Hani flet për aftësitë e jashtëzakonshme për të mos u asimiluar.
Në këtë kuptim, bashkëjetesa fetare nuk paraqitet vetëm si tolerancë ndërmjet besimeve, por edhe si një mënyrë e ruajtjes së identitetit shqiptar, e bashkëpunimit shoqëror dhe e lidhjes së fesë me jetën kombëtare. Përkatësitë e ndryshme fetare kanë bashkëjetuar me ndërgjegjen kombëtare, duke ruajtur lidhjet familjare, shoqërore, kulturore dhe gjuhësore.
Shqiptarët janë kontributorë të historisë së vjetër dhe të re të kontinentit tonë, (që nga pellazgët, iliro-dardanët-arbëreshët-shqiptarët e sotëm). Integrimi etno kulturor, artistic, arsimor, ekonomik, sportive, ideor, demokratik, shpirtëror, psikologjik, gjuhësor, politik, bashkëjetesa e tre besimeve, unikale dhe model tek shqiptarët, toleranca dhe durimi, do të rrëzojnë perden e hekurt të regjimeve diktatoriale, trarët e ndarjes, barrierat historike të çfarëdo lloji qofshin ato në Gadishullin Ilirik.
Si përfundim, çështja shqiptare dhe integrimi i shqiptarëve është një proces i afërt, por i pakthyeshëm, që do të realizohet me paqe dhe në paqe, kurrë me luftë. O zot, shpëtona nga ata që qeshin dhe argëtohen me Luftën dhe qajnë nga Paqja!
Për fund të mbram krejt në fund THIRRJE VLLAZNORE:
LAVDI E PËRJETËSI KLERIKËVE MARTIRË TË BESIMIT HYJNOR SHQIPTAR! 🇦🇱🕊️
Shqipëria nuk ka nevojë për ndarje të reja fetare, por për ma shumë bashkim kombëtar, drejtësi, mirëkuptim dhe paqe.
Nuk është koha për ndarje fetare, as për projekte që mund të cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën historike të shqiptarëve. Nuk është feja që na ndan; keqpërdorimi i saj mund të na përçajë.
Çdo kishë, xhami e teqe, si shpi të Zotit, duhet të jetë vatër e paqes, e dashurisë, e tolerancës dhe e respektit për njeriun e kombin.
Prandaj, në respekt të besimit dhe të vetë institucioneve fetare, duhet të ketë transparencë, përgjegjësi dhe( veting)verifikim të figurave drejtuese të të gjitha komuniteteve fetare, në mënyrë që askush të mos përdorë foltoren e Zotit për të predikuar urrejtje, përçarje apo shqiptarofobi.
Besimi është i shenjtë. Kombi është i përbashkët. Shqipëria është e të gjithëve.
Le ta mbrojmë harmoninë fetare shqiptare si nji prej vlerave ma të çmuara të identitetit tonë. Le të jemi shqiptarë që besojmë në Zot, por që mbi çdo dallim vendosim paqen, drejtësinë, vëllazërinë dhe dashurinë për Shqipërinë.
E siç na kujton Papa Gjon Pali II:
“S’ka paqe pa drejtësi dhe s’ka drejtësi pa falje.”
Paqe në fe, drejtësi në shoqëri, bashkim në komb! 🇦🇱🕊️
Shumë urime, mirënjohje e bekime për Presidentin, deputet, Amb. Av. Zef Shtjefni, për këtë organizim e realizim excelent të këtij Samiti Ndërkombëtar, që naltëson drejt plotnisë Neoshqiptarizmin!
Përkushtimisht me dashtuni vllaznore, Prof. Dr. Av. Astrit MEMIA!


https://www.facebook.com/100009515883722/videos/pcb.4705819763078507/1031104069915278?__cft__[0]=AZgZljENLT7PY-3fqpgPh6MJd-FbjzKchpTPutbRSUU6v3r7vxDFfa76LJB44lOhQkmBLIAIH-Pl-Fpk_bjIUN2ukJT8Me2cefJE9bLcNpMBwegawX4RUo-A330f9JzYYfyfWSQicjpQ2lvAQrhskKzwTq7j24FSu9XKSPZVIh1SqR5NzWtlOvoIKpkYXHAS&__tn__=*b0H-R
Burimi/Facebook


Leave a Reply