Shpesh herë një mall i zhuritur, një ankth i brendshëm, një shtysë e pazakontë, t’a çon mendimin tek prindërit. Keni kohë që jeni ndarë; ata, në udhëtimin e tyre drejt qiejve, ndërsa ti në këtë botë, që çdo ditë e më shumë bëhet e pabesë, e huaj, tinzare.
Vitet ikin shpejt. Ikona e tyre të rri varur, dhimbja për largësinë që thellohet shtohet, e megjithëatë, për fat të keq, shpesh herë, në heshtje ti bëhesh ai që drejton gishtin drejt tyre duke i akuzuar.
Dhe ndërsa e kap veten në një veprim të çuditshëm, brenda teje, si një stop i madh ngrihet pyetja:
Pse?
Ata, kohë pas kohe, vit pas viti, ditë pas dite, injektuan mbi ty ndjenjën e së mirës, ndjenjën e butë të dhimbjes për tjetrin, të solidaritetit për të, por ti e ndjen se numri i njerëzve që i njohin ato zvogëlohet përditë, duke shtuar gamën e njerëzve që dinë të flasin apo të bëjnë keq, ose armatën e pafund të të tjerëve që janë krejt indiferent për fatin tënd apo të tjetrit.
Ata u përpoqët me të bindë se e vetmja urë, në të cilin duhet të kalojë njeriu në rrugën e jetës, është ajo që mban peshën e ndershmërisë. Por ti çdo ditë e më shumë, i sheh me dyshim këshillat e tyre, sepse më të shumtat e urave të sotme të jetës, janë të rreme dhe vështirë të mbajnë atë peshë që ata injektuan tek ti. Por edhe kur ti u përpoqe me thonj e me dhëmbë të ndërtoje një të tillë, ajo të çoi vetëm atje, nën shoqërinë e pak njerëzve, të pafuqishëm si ti edhe ata, gati gati në vetmi.
Në rastin më të mirë, kur ishe një mjek, profesor, agronom, ingjinier, e të tjera profesione si këto, ti e vuan akoma më shumë kujtimin e tyre. Shpesh nervozohesh me ta, teksa sheh që fqinji yt, që kushedi sa herë përsëriste klasën, mezi ngjitet në autotradën e lartë, që bleu pas dy vitesh ku “punoi fort” jashtë shtetit.
Dhe nervozohesh teksa ai të sheh si një të mjerë, si një njeri që “nuk di të bëjë prokopi”, që nuk e “nuk di ta nxjerrë lekun nga dheu”.
Aq më keq, kur ti, kërkon të realizosh një ëndërr të hershme tënden, p.sh. kërkon të botosh një libër.
Në këto çaste ai vjen afër teje, si një babaxhan i mirë, të rreh shpatullat me po atë mirësi dhe të thotë në koefidence:
-Miku im, nuk është më koha e librave…
Në këto çaste nuk ka se si mos të të çfaqen ata, prindërit e tu. Nervozizmi yt kërkon t’i përzërë si një ikonë, me të cilën ti je zëmeruar keq, bën gjeste të pahijshme me veten, deri në çastin kur ai, pasi ka futur të dyja duart në xhepa të thotë:
-Po ti mos u mërzit miku im, nëse nuk ke të paguash botimin, unë mund të të ndihmoj. Do flas me menaxherin tim dhe të shohim nëse çfarë do bëjmë.
Atëherë ty të hapet dheu dhe sërish të shfaqen ata, prindërit e tu të mirë e të urtë, udha e tyre e gjatë dhe e vështirë me bashkudhëtare ndershmërinë. Kërkon t’i shfajësosh në veprimet e tyre, por kur vjen mëngjesi, çasti yt bëhet edhe më i vështirë.
Të dy fëmijët e tu do të shkojnë në shkollë dhe këtu, asgjë nuk të ndal që të shkatërrosh ikonën e prindërit e tu, ta zhgrryesh atë nëpër mendjen tënde të lodhur, ta hedhësh andej këndej, e të mos marrësh të qenë asnjë prej këshillave të tyre të hershme.
Përkundrazi, ti përçmosh ato.
Dhe brenda qenies shpërndahet britma jote, si një llavë e nxehtë që të djeg shpirtin.
Jo deri këtu!
Sepse ti je mësuar, që me një çantë të vjetër, brenda së cilës është një copë bukë me pak djathë dhe ca kokrra ullinj, të shkosh në punë, por pamja e fëmijvë të tu, teksa sheh fëmijët e “bossit” që shkojnë në shkollë me makinë luksi dhe me një kartmonedhë të konsiderueshme që futet në grushtin e tyre, nuk ka se si të të mos të çojë tek ideja, se ata, prindërit e tu, kanë gabuar kur të kanë udhëzuar drejt atyre urave të rralla të ndërtuara prej copëza morali të shëndetshëm, me të cilin kërkuan të ndërtonin edhe të ardhmen tënde.
Ndodh që ti të jesh biri i prindërve, të cilit regjimi i djeshëm i thau shpirtin, kalbi njërin prej tyre përtej hekurave të trashë të kampeve dhe burgjeve, që ai sistem ndërtoi me shumicë. Atëherë, të duket sikur britma jote do të thyejë xhamat e korpusit të drejtësisë, kur në vesh të ushton lutja e tyre “…fali Zot se nuk dinë çka bajnë!”
Ti fal?
Ti fal, apo t’më falin? Po, po! Askush të mos çuditet! Në rastin më të mirë, ata, ishat e djeshëm, janë duke shëtitur rrugëve të botës, dhe mezi hedhin hapat e tyre prej një barku, i cili ju është rritur shumë kohët e fundit, apo prej portofoleve të fryrë, të cilët i siguruan shpejt e shpejt, në kohën kur kryetari i partisë së tyre dha udhëzimin si alarm: të kapim ekonominë dhe t’i detyrojmë ata, bijtë e klasave të përmbysura të jenë shërbëtorët tanë.
Dhe ndodhi e gjithë ajo çka qe parashikuar.
Saktësisht!
Ata, ishat e djeshëm të dhanë vetëm dy rrugë: o rri këtu, e të jesh, ashtu si edhe më parë, i nënshtruar, i përçmuar, ose ik! Lerë këtë tokë! Ne e kishim, e kemi dhe do ta kemi.
Në rastin më të keq, ata i ke nëpër Atdheun tënd, duke thithur edhe atë pikë gjaku që i ka mbetur prej të pangopurve. Kanë marrë pamje prej babaxhanësh dhe mund të të “falin” edhe çaste lumturie. Ti, i dehur ende prej lirisë, vazhdon të shkosh në punën e re, që demo(n)kracia ta riktheu. Buka me djathë dhe me ullinj është “modernizuar” dhe në vend të saj, në duar e tua ka zënë vend byreku me kos, të cilin e blen çdo mëngjes tek këndi i pallatit fqinjë.
Të ndodh që të shkosh në një zyrë bashkie apo ministrie dhe të kërkosh ndonjë dokument për pronat e gjyshërve të tu, kur mbas xhamit të sportelit të shfaqet ish shefi i kuadrit, i cili të pat cituar pjesë nga fjala e udhëheqësist, për riedukimin e njerëzve si ti. Ai të buzëqesh, duke i dhënë forma të ndryshme fytyrës së tij dinake dhe në sytë e tij, lexon refrenin e neveritshëm të të sotshmesh së tyre:
Ashtu ishte koha.
E atëherë ty, nuk ka se si të të mos shkojë ndërmend ikona e prindërve të tu, me shprehjen “…fali o Zot, se nuk dinë çka bajnë!”
Kështu, në të tilla situata, dhe në të tjera, të ngjashme me to, ti tund kryet me mosbesim, dhe psherëtin:
-Eh, prindërit e mi!
Ishte koha që çvlerësoi këshillat tuaja, apo ne, që ndoqëm ato, jemi jashtë kohës?
l. lekaj
korrik 2022
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply