Nga maji i vitit të kaluar, UCX ka hapur filialin në Kosovë, duke u besuar operacione kryesore të kompanisë profesionistëve të rinj të vendit tonë. UCX është kompani lidere në SaaS (Software as a service) që u ofron shërbime mbi 2500 bizneseve të ndryshme që të zgjerojnë kapacitetet e tyre të shitblerjes online (E-Commerce).Me përvojën e deritanishme dhe të drejtpërdrejtë me sektorin e Teknologjisë së Informacionit në Kosovë, UCX paraqet mundësi të mirë të promovojë potencialin e vendit tonë në industrinë e teknologjisë dhe inovacionit.
I falënderova themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të UCX, z. Adam Zyeck, dhe drejtoren e Shitjeve, Marketingut dhe Operacioneve, znj. Jeta Zagragja, për mikpritjen dhe investimet e tyre në Kosovë. Qeveria jonë mbështet zhvillimin dhe rritjen e potencialit dhe kapaciteteve të teknologjisë së informacionit dhe i ftova ata që gjithmonë ta kenë në konsideratë Kosovën në planet e tyre të zgjerimit.
Pas vizitës në kompaninë UCX, u takova me z. Steven Collens, drejtorin ekzekutiv të MATTER, dhe znj. Katie Kosko, menaxhere e partneritetit.
MATTER është inkubator global i startup-eve në fushën e kujdesit shëndetësor që përbëhet nga ndërmarrës, inovatorë dhe liderë të industrisë.
Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore dhe themelimi i Sistemit Informativ Shëndetësor janë dy prej objektivave kryesore nëpërmjet të cilave synojmë që të transformojmë sektorin e shëndetësisë në vend. Me drejtuesit e MATTER diskutuam mundësitë premtuese të bashkëpunimit.
Edhe në Chicago u prita ngrohtësisht nga bashkatdhetarët tanë, të cilëve ua shpreha mirënjohjen për kontributin e madh për çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e përparimin e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për të punuar bashkë për të mirën e përbashkët dhe në qeverisjen tonë, mërgata llogaritet si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Nëpërmjet nismës së Dialogut me Mërgatën synojmë zhvillimin e partneriteteve me mërgatën dhe thellimin e bashkëpunimit të tyre me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit, investimeve dhe inovacionit.
Me ftesë të Katedrës së Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu”, mbajta një ligjëratë publike në Universitetin DePaul, në Chicago, mbi temën: Kosova dhe rajoni pas invazionit rus në Ukrainë.
Para ligjëratës pata një bashkëbisedim me studentë të gazetës së Universitetit DePaul për sfidat e medieve në këtë kohë të vështirë të dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Theksova që gazetaria duhet të mirëmbahet në të gjitha nivelet. U tregova për përkrahjen që qeveria jonë u ka dhënë gazetarëve të Ukrainës, duke u ofruar strehim dhe akomodim, që edhe nga Kosova të mund të tregojnë të vërtetën për Ukrainën.
E falënderoj Universitetin DePaul që më ftoi të mbaj ligjeratën, ku përshkrova qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me pushtimin rus të Ukrainës.
Duke folur për arsyet se pse ne si shtet kemi treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit të paprovokuar të Rusisë iu riktheva historisë sonë të dhimbshme të luftës.
Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim, kufoma të djegura dhe varreza masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot. Prandaj, ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse.
Sa i përket përpjekjes së Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, theksova se nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër, sepse nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.
23 vjet pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, Kosova është histori e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa vonesë të mëtejshme. Zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do të dëshironte.
Pas ligjëratës diskutova me studentë, profesorë dhe publikun për përkrahjen që të gjithë duhet t’i japim Ukrainës, sepse kjo është detyra jonë humanitare. Njëkohësisht ne duhet të jemi pjesë e përpjekjes për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë e popullit ukrainas, duke i mbështetur publikisht dhe duke i strehuar refugjatët.
Gjatë diskutimeve theksova se bota demokratike duhet të qëndrojë bashkë kundër luftës ilegale të Rusisë, e cila rrezikon të përhapet në Ballkan përmes agresionit të dhunshëm të aleatit të saj autokratik në rajon, Serbisë.




Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply