
Nga Edona Llukaçaj
Botuar në DITA
Në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pranonte të shqyrtonte çështjen për shkarkimin e presidentit dhe pas tre seancave plenare deklarohej se “vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, presidenti thërriste: “Jam Ilir Meta, o superbudallenj”.
Që thirrja nuk ishte një përpjekje vetëprezantimi qoftë edhe për budallenj superiorë është e qartë. Shqiptar që nuk ia di emrin dhe pamjen presidentit të vendit nuk mendoj se ka.
Po ashtu, të paktë duhet të jenë ata që nuk ia dinë postet e mbajtura, ulje-ngritjet spektakolare, dhe rolet, shpesh kyçe, që z. Meta ka luajtur në sferën politike, përgjatë 30 viteve.
Prandaj fraza interesante la shijen se qëllimi i saj ishte tjetërsoj, diçka si rifreskim kujtese për ata që harronin se me kë kishin të bënin apo nuk ia dinin fuqinë emrit të përveçëm, përtej zyrës së Presidencës.
Por, siç edhe presidenti vetë sqaroi një ditë më pas, thirrja i drejtohej një grupi të caktuar: atyre që kanë ndryshuar Kushtetutën dhe kanë dobësuar demokracinë në Shqipëri e që janë pozicionuar kundër Presidentit, pasi janë jo vetëm dhunues të të drejtave të qytetarëve shqiptarë por dhe të sovranitetit të Shqipërisë.
Paçka se është në 6-mujorin e fundit të mandatit të tij si president – gjithmonë nëse Gjykata Kushtetuese nuk miraton shkarkimin e tij – unë do doja shumë që arsyeja pas vendimit të Parlamentit për largimin e Presidentit të ishte vërtet kjo: të ishte z. Meta i shigjetuar dhe i padëshiruar se luftoi -bile kërkoi armatosjen tonë me kosa – për interesat e popullit dhe të vendit.
Madje do isha e lumtur edhe nëse Presidenti shkarkohet pikërisht pse mbrojti i paepur demokracinë, vlerat e saj. Do më bëntë të mendoja se ka qëndrestarë të mirëfilltë kundër “superbudallenjve”, të cilën nuk na shesin për dy lekë në pazarin e pushtetit.
Si qytetare e këtij vendi, si dikush që me këmbëngulje do të besojë në potencialin e tij, paçka se nga kush e si udhëhiqet, si një pedagoge që dëshmon përditë se si studentët e vet shohin rrugët e botës si alternativën më të prekshme, do mendoja se dikush ‘atje lart’ na e do të mirën, është në krahun e popullit.
Nëse rritja e ndjeshmërisë së presidentit Meta për shqiptarët nuk do përkonte gjithësaherë me një etapë tjetër të procesit të shkarkimit, ashtu si lufta e ish-kryeministrit Berisha për rithemelim dhe demokraci përkoi me shpalljen e tij non-grata dhe përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së, do besoja se ky vend nuk qenka vetëm ‘parajsa’ e një grushti njerëzish mbi ligjin “që bëjnë ligjin” dhe që ulërasin për popull dhe për demokraci, vetëm kur u preken interesat vetjake.
Do besoja se idealizmi i studentave të Dhjetorit – që rishtazi fort po u trumpetoka nga keto dy figura të rëndesishme të pluralizmit në Shqipëri – nuk është një gjetje për të na kujtuar lavdinë e shkuar, që të mos përmenden lëvizjet e tyre domosdoshmërisht jo edhe aq idealiste e të lavdishme në tre dekadat pasuese.
Do besoja, minimalisht, se akuzuesit apo të akuzuarit me “superbudallallik” do merrnim përgjegjësi për veprimët apo mosveprimet e tyre nëse situata e nënë Lizës së “5 Majit” apo atyre që ajo përfaqëson nuk do i befasonte, a thua se nuk e dinin se nga mbiu.
Nëse historia e gruas së vjetër “që nuk do asgjë nga shteti dhe po mbron mundin e bijve emigrantë” nuk përdorej pamëshirshëm nga të gjithë burrashtetët me rradhë si kryq turpi për t’iu lënë në derë tjetrit.
Do besoja se politikanët e vjetër mund të ndjekin politika tjera, zhvilluese, nëse shpatullat e saj s’do rriheshin me dashamirësi e nëse gjendja e saj s’do mbllaçitej nga secili pushtetar që në 30 vjet nuk mori mundimin të adresojë asnjë prej problemeve që prodhuan fenomenin e “nëne Lizës”.
Do besonin shumë shqiptarë, në fakt, të mashtruar, të lodhur e pazgjidhje, por kreu i shtetit thirrjen e kishte për një tjetër kategori…
Burimi/gazetadita.al


Leave a Reply