Në Gusht të vitit 1902, para 124 vite, botohet për herë të parë, në Kajro, poezia e ANTON ZAKO ÇAJUPIT “Baba-Tomorri”. Ashtu si dhe SAMI FRASHËRI më 1899, Anton Zako Çajupi nuk nguron aspak ta paraqeste gjendjen e Shqipërisë ashtu siç ç’ishte, në mënyrë të fortë e realiste.
Për herë të dytë kjo poezi ribotohet më 1935 nga shtypshkronja “Gutenberg” Tiranë; në 1937 nga shtypshkronja “Dhori Koti” Korçë; ribotuar më 1950 në Tiranë nga Dh.Shuteriqi me rastin e jubileut të Rilindasve; ribotuar nga Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve më 1957 në Tiranë, si dhe në çdo përvjetor të plotë të saj për çdo 10 vjet.
Me rastin e 124 vjetorit të botimit të parë, po e hedhim në fejsbuk:
BABA – TOMORRI
BABA-Tomorri, Kish’ e Shqipërisë,
mal i lartë, fron i Perëndisë,
tek Ti vinin njerëzitë qëmoti
për të mësuar se ç’urdhëron Zoti…
Tek Të lutem dhe u’, duke qarë,
të mësoj ç’thotë dhe për Shqipëtarë.
Kanë qënë trima të lëvduar
dhe në luftë s’janë turpëruar;
qenë trima dhe mëmëdhetarë,
besa, fea s’i kishnë dhe ndarë;
shkonin jetën me puçkë në dorë,
donin shqipen, s’qenë tradhëtorë;
lulëzonte gjithë Shqipëria,
se e kish shkelur si sot Robëria;
gra e burra donin Shqipërinë,
djem e çupa këndonin Lirinë.
Sot qysh gjëndet Kombi i Shqipërisë!
I përmbysur nga zgjedh’ e Turqisë.
Shqiptarët, si dhe bagëtia,
zbathur, xhveshur, vdesën nga uria!
Shqiptarët? — Sot s’ka Shqiptarë!
Turku, Greku na kanë përndarë!
Prifti, hoxha, kisha dhe xhamia,
na gënjejnë. . . U prish Shqipëria!
Mal i lartë me krye në diell,
Fron’ i Zotit q’është mbret në qiell,
Baba – Tomorr, o mal i uruar,
ç’kanë ngjarë, gjithë ç’kanë shkuar,
i di vetë, s’duhet të T’i themi;
ç’do të ngjajnë, Të lutem, rrëfemi.
Sot e tutje, ç’thotë Perëndia,
do të heqë shumë Shqipëria?
Ç’faj ka bërë, ç’gjynahe paguan?
Nga Turqia të tërë shpëtuan:
Grekët, Sërbi, Vëlau, Bulgari, —
nënë zgjedhë mbeti Shqiptari!
Ç’thotë Zoti për kombin tënë,
do ta lërë nën Sulltan – qënë?
Na shkretoi, na preu, na griu,
na çnderoi dhe gjaknë na piu,
na mundoi, shpirtnë na nxorri!
Fshiu lotë dhe më tha Tomorri:
O Shqiptarët e gjorë,
ndëgjoni Baba-Tomorrë:
kombi juaj s’vete mbarë,
se besët u kanë ndarë.
Besa e bashkon njerinë,
ju pse ndani Perëndinë?
Si Ungjilli dhe Kurani:
nukë na dihet fundi;
me qiejtë mos u mbani,
se nukë mbahen gjëkundi.
Të krishter’ e myslimanë
gjithë një Perëndi kanë,
jini një gjak, mor të mjerë,
se ndë një vënd kini lerë.
Jini gjithë Shqipëtarë,
s’jini Grekër as Tartarë.
Hiqni dorë nga rreziku,
shihni seç’punon armiku,
i pabesi dhe i ligu.
Mblidhuni të bëni Benë,
të kujtoni Skëndërbenë,
të duani Mëmëdhenë,
të mos e lini të shkretë.
Ngrihi ta shpëtoni vetë,
se u ndin Zot’ i vërtetë.
Mos e peshoni Turqinë,
mos e besoni Morenë;
në duani Perëndinë,
të duani Mëmëdhenë.
Erdhi dita të luftojmë
për lirin’ e Shqipërisë;
ja të vdesëm, ja të rrojmë
si burrat e Trimërisë.
Burimi/Derguar nga kolonel Dilaver Goxhaj


Leave a Reply