Kryeministri Edi Rama tha këtë të martë se situata aktuale në PD është e vështirë dhe se uron që ky proces të shkojë drejt një zgjidhjeje paqësore. Kur u pyet nëse mazhoranca do të bashkëpunojë me opozitën për zgjatjen e afateve të vetingut apo për reforma të tjera që kërkojnë konsensusin e saj, Kryeministri u shpreh se veç e veç, Basha e Berisha nuk kanë legjitimitet.
“Është gjithçka për t’u parë sepse nuk dimë më kush është kush në këtë histori dhe kush përfaqëson kë. Sigurisht të dy këta përfaqësues të mbetur nga e shkuara në këmbë nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç. Sigurisht që deputetët e PD, pavarësisht të njërit apo tjetrit, janë legjitimë, sepse janë aty me votën e popullit dhe natyrisht për sa kohë ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim dhe bashkërendim të çfarëdolloj natyre ne jemi aty për ta bërë këtë. Por situata është jashtëzakonisht e vështirë për momentin dhe do të shikojmë si do zhvillohet… Uroj që të jetë një proces që shkon drejt një zgjidhje paqësore, uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet nga ana tjetër, që janë dy anë të së njëjtën medalje, të mbeten pas”.
Sa i përket reagimit të Policisë së Shtetit në protestën e së shtunës, Rama tha se ajo ishte sfida më e vështirë e saj në këto 30 vjet, sfidë të cilën e përballoi tha Kryeministri me një qetësi për t’u admiruar.
“Policia e Shtetit ishte në sfidën e vet më të vështirë në këtyre 30 viteve sepse kurrë ndonjëherë më parë nuk e ka pasur sfidën që të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë që kacafyten dhe që mund të shkojnë deri në gjakderdhje. E ka trajtuar çështjen me një profesionalizëm, qetësi dhe kalkulim risku për t’u admiruar. Por gjithçka mund të evitohej, nuk kishte nevojë për ta fortifikuar Partia Demokratike, mund të lajmërohej policia e shtetit dhe të thirrej për ta mbrojtur dhe nuk do kishte pasur asgjë të tillë. As dhunë dhe as kundërpërgjigje”.
Burimi/tvklan.al


Leave a Reply