Rritet numri i pacientëve të shtruar në spital
Mbeten thuajse në të njëjta nivele, shifrat e pandemisë në vendin tonë ashtu sikurse edhe të hënën. Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 1400 testime të kryera këtë të martë kanë rezultuar pozitivë 195 qytetarë.
Harta e përhapjes së virusit është kufizuar në vetëm 30 bashki, por kryeqyteti kryeson sërish listën me 109 raste të reja. Pas tij vijnë Gjirokastra me 9 raste, Durrësi me 8 dhe Fieri, Divjaka, Saranda dhe Berati me nga 6 raste.
Katër qytetarë nga Korça, Elbasani, Lezha dhe Fierit të moshave nga 65 në 85 vjeç nuk arritën ta fitojnë dot betejën me virusin, duke e çuar në 3096 numrin total të viktimave që prej nisjes së pandemisë.
Por ndërkohë kjo e martë ka shënuar një rritje të numrit të të shtruarve në spitale. Sipas autoriteteve shëndetësore aktualisht në spitalet Covid po marrin trajtim 169 pacientë, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar.
557 qytetarë raportohet se janë shëruar, ndërsa mbeten aktive edhe afro 7 mijë raste të tjera.
Burimi/Tv Klan


Leave a Reply