Përkujtim në përvjetor.
Anton Çetta (3 janar 1920 – 4 nëntor 1995)
Në këto kohët tona njerëzimi ka shumë pasuri, ka shume teknologji, gjithsesi edhe shumë armatim, ka edhe shumë konflikte, por jo edhe shumë paqe, por jo edhe shume dashuri.
Në vitet 90- kur regjimi serb po zbatonte egërsisht sistemin e urrejtës ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar, njerëzit e vendit tonë kishin shume nevojë për liri, drejtësi dhe humanizëm. Në kërkim të përkrahjes së këtyre vlerave dhe të mbështetjes së qenies sonë , na nevojitej përkrahja e fuqive mirëdashëse perëndimore. Pleksjen e fijeve që padrejtësisht ishin shkëputur mes popullit tonë dhe botës perëndimore po e ringjallte udhëheqësi Ibrahim Rugova përmes vizionit dhe projektit për liri dhe shtetësi të Kosovës.
Pos dashjes për ndihmë nga miqtë tanë perëndimor, ne, na nevojitej edhe vetëvlerësimi i vetvetes. Në këto rrethana parimi “ njih vetveten “ ishte më se i nevojshëm, për qenien shqiptare në Kosovë. Sepse pikën qendrore të mbështetjes duhet kërkuar tek vetvetja. E keqja mund të zhbëhet kur secili merr guximin që të keqen ta largoj, në radhë të parë nga vetja e tij. Kjo e keqe e brendshme që ekzistonte ndër shqiptar ishte gjakmarrja, e cila si fenomen ishte kushtëzuar dhe e shkaktuar edhe nga nxitjet e pushtuesve te ndryshëm.
Për ta çrrënjosur të keqën e shkaktuar nga fenomeni i gjakmarrjes ndër shqiptarë, në Kosovë në fillimin e viteve të 90-ta , ishte iniciuar ideja për pajtimin e gjaqeve. Kjo ide e rinisë së Kosovës u jetësua përmes Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, me në krye pijetarin Anton Çetta . Një Lëvizje e tillë për falje dhe pajtim mes njerëzve, aq sa ishte humane, po aq ishte një prej vlerave më domethënëse në përpjekjet gjithëpopullore për liri dhe shtetësi të Kosovës.
Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve ishte paradigmë për unitetin kombëtar dhe për luftën e drejtë të zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Toleranca dhe pajtimi ndërmjet njerëzve si qenie racionale , ka në thelb emancipimin e vetëdijes shoqërore. Ne shqiptaret për këtë nivel jetese kemi shembujt nga e kaluara, dhe kjo trashëgimi vlerash humane në vendin tonë gjithsesi duhet të na shërbej në të sotmen për shtrirjen e dorës se pajtimit, si kultivim i paqes. Zhvillimet i jetës shoqërore në harmoni e paqe janë parakusht për funksionimin e institucioneve shtetrore dhe për ndertimin e rendit demokratik në Kosovë
Shtrirja e dorës së pajtimit në shndërrim të paqes ndërmjet njerëzve dhe familjeve në konflikt që ishte moto e pijetarit te lëvizjes se pajtimit te Gjaqeve në Kosove në vitet 90-ta te shk XX , është vlerë sublime e humanizmit, vlerë e cila shqiptarët e Kosovës dhe kombin mbarë, na bënë të ndjehemi krenar me figurën e profesorit, studiuesit dhe humanistit, Anton Çetta.
Nga Pal Canaj/Facebook


Leave a Reply