Gjykata e Parisit ka pranuar padinë e ish-Kryeministrit Sali Berisha kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Vetë ish-Kryeministri Berisha e ka dhënë lajmin gjatë Foltores së të martës me demokratët në Kavajë.
Me këtë rast, Sali Berisha i ka bërë thirrje Sekretarit amerikan të Shtetit që të dërgojë në Gjykatën e Parisit provat që ka kundër tij.
“Gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e Sali Berishës. E ftoj Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, të dërgojë në Gjykatën e Parisit çdo provë, fakt dhe dokument që ka kundër Sali Berishës. Por ju garantojë se ka zero, zero”, deklaroi Sali Berisha nga Kavaja.
Sali Berisha paditi për shpifje Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken në muajin Maj pasi SHBA e shpalli “non grata” ish-Kryeministrin dhe familjen e tij për korrupsion duke argumentuar se “veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”.
Këto pretendime Berisha i cilësoi si të “montuara politikisht nga Tirana” dhe ka kërkuar vazhdimisht prova.
Procesin gjyqësor për shpifje ndaj Sekretarit amerikan Blinken, ish-Kryeministri Sali Berisha zgjodhi ta zhvillojë në Francë si një vend neutral.
Burimi/tvklan.al


Leave a Reply