Sali Berisha ka zhvilluar këtë pasdite “Foltoren” e radhës në qytetin e Kukësit. Në këtë takim me demokratët Berisha ka kërkuar edhe njëherë nga delegatët që të firmosin për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, dhe tha se aty do të merren shumë vendime të rëndësishme.
Në fjalën e tij lideri historik i PD u shpreh se në Kuvend mund të ketë dhe një rithemelim të PD, por shtoi se nga “Foltorja” synohet një partia më demokratike dhe ku do të lejohen fraksionet. Ai u shpreh se zërat kundër në partia janë të mirëpritur dhe të gjithë mund të krijojnë fraksionet e tyre brenda rregullave të përcaktuara.
“Cilido që është i aftë për të krijuar fraksionin është i mirëpritur, ne nuk kemi frikë nga liria. Ne kemi nevojë për flukse. Ne do e bëjmë këtë parti shumë herë më demokratike seç ka qenë. Ne sot pas 30 viteve jemi më të aftë dhe më të zot për ta shndërruar PD-në në shtëpinë e lirisë”, tha Berisha.
Gjatë komunikimit me demokratët tha se është rikthyer për të forcuar partinë demokratike dhe për ta bërë forcë qeverisëse, duke premtuar se Edi Rama nuk do të mbyll mandatin e tretë.
Teksa u bëri thirrje për bashkim të gjithë demokratëve, Berisha sulmoi sërish Lulzim Bashën, duke thënë se ai ka përçarë partinë dhe ka tradhtuar anëtarësinë. Të njëjtin mendim shprehën dhe anëtarët e PD që ishin pjesë e “Foltores” duke hedhur akuza ndaj kreut të PD, Lulzim Basha.
Berisha prej ditësh po vijon turin e tij të takimeve nëpër Shqipëri, ku po shpalos vizionin e ri për PD-në dhe ka hedhur akuza kundër Lulzim Bashës, pas vendimit të këtij të fundit për ta përjashtuar nga Grupi Parlamentar. “Foltorja” e radhës pritet që të mbahet në Korçë ditën e premte më 16 Tetor.
Berisha mesazh Ramës nga Kukësi: Kjo është punë burrash dhe jo punë pengjesh
Nga Kukësi ku mban Foltoren e radhës me demokratët, ish-Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh Kryeministrit Edi Rama duke i thënë se këtë takim me mbështetësit e Partisë Demokratike duhet ta ndjekë.
“Kjo është punë burrash dhe jo punë pengjesh”, i është drejtuar Berisha, Edi Ramës.
“Edvin, ndiqe ketë foltore, kjo është punë burrash dhe jo punë pengjesh, burrash dhe grash të lira. Mblidhemi në këtë foltore t’i rikthejmë PD-së forcën e atdheut, t’i rikthejmë demokratëve dinjitetin për të cilën sakrifikuan aq shumë në betejën për përmbysjen e komunizmit. Ne mblidhemi në momente kritike për vendin në një kohë kur një njeri i cili ka kaluar në këto 8 vite nga skandali në skandal, duke e shndërruar Shqipëriunë në vendin e dytë më të korruptuar të botës, duke e shndërruar në vendin më të shpresë të planetit, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e braktisjes masive. Nuk meriton të qëndrosh në qeveri jo 8 vite, po as 8 ditë”, u shpreh Sali Berisha.
Berisha nga Kukësi: Do njohim të gjitha gjenocidet që ka bërë Serbia në Shqipëri dhe Kosovë
Ish-Kryeministri Sali Berisha, nga Kukësi ku zhvilloi “Foltoren” me demokratët i ka dërguar disa mesazhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Berisha tha se në Shqipëri do të njihen të gjitha gjenocidet e bëra nga Serbia, jo vetëm në Kosovë por dhe në Shqipëri.
Më tej ai tha se Rama një vit më parë refuzoi që të miratonte rezolutën që dënonte gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe tha se Kryeministri është vasal i Vuçiç.
“Jo tetë vite, por as tetë ditë nuk meriton Edi Rama të qeverisë. Që nga Enver Hoxha deri sot, shqiptarët nuk kanë patur kurrë një kryeministër antinjerëzor dhe antishqiptar si Edi Rama. Ky zotëri nis mandatin e tretë, pasi është shndërruar në një vasal të verbër të Beogradit. Një vit më parë me shumicën e tij ai refuzoi të votonte rezolutën që dënonte gjenocidin serb në Kosovë, sepse e urdhëronte padroni i tij Aleksandër Vuçiç.
Dua t’i çoj një mesazh Sllobodanit të ri, se do të njihen në Tiranë të gjitha gjenocidet e Serbisë. Ndaj përgatitu Sllobodan edhe njëherë, jo vetëm gjenocidet në Kosovë por dhe në Shqipëri do të dënohen gjenocidet e shëmtuara. E bëjmë këtë si kusht i të gjitha kushteve që Ballkani të ketë paqe dhe të mos rrethojnë me take Europës. Rama në këto tetë vite, në vend që të ndjek nismën e Berlinit që e udhëheq Gjermania, ndoqi nismën e Beogradit të Ballkanit të Hapur që e udhëheq padroni i tij Vuçiç. Nisma e Ballkanit të Hapur është vasalitet ndaj Serbisë dhe rrethim i Kosovës”, tha Berisha.
Berisha – Ramës: Nuk do ta gëzosh dot mandatin e tretë
Ish-Kryeministri Sali Berisha është shprehur sot se Edi Rama nuk do mund të gëzojë dot mandatin e tretë. Në fjalën e tij gjatë “Foltores” në Kukës, Berisha tha se Rama ka vjedhur 160 milionë Euro vetëm në zonat e tërmetit.
“Ndaj dhe kohërat janë kritike, kohërat janë vendimtare. Edvin ti mendon se do ta gëzosh atë mandat, dëgjoi pak ato daulle, por bien për t’u. Mandat nuk gëzon ti që ke vjedhur me qindra milionë. Mandatin se gëzon dot t’i pasi vetëm në zonat e tërmetit dhe vjedhur 160 milionë Euro.
Nuk e gëzon dot mandatin ti Edvin dhe dëgjoi prapë ato daulle, se ke përdorur patronazhistët njëlloj si në kohën e baballarëve të tu mizorë. Mandat nuk ke ti. Tek Kryeministria e kanë radhën ato daulle. Këto Evdin populli nuk t’i fal ty. Këto janë punë burrash nuk janë punë pengjesh”, tha ish-Kryeministri .
Berisha: Të bashkohemi për të rrëzuar regjimin më të keq që nga Enver Hoxha
Ish-Kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike që të bashkohen për të larguar nga pushteti Kryeministrin Edi Rama.
Nga Kukësi ku mbajti Foltoren e radhës me mbështetës të PD-së, Berisha e konsideroi qeverisjen e Edi Ramës si “regjimin më të keq që nga koha e ish-diktatorit Enver Hoxha”.
“Njerëz të mirë, atdhetarë dhe patriotrë që e doni këtë vend, që doni një Shqipëri sovrane dhe një forcë politike sovrane të bashkohemi për të përmbysur regjimin më të keq që ka pasur shiqpëria që nga Enver Hoxha deri më sot.
Qëllimi ynë është të bashkojmë vlera, të bashkojmë besimet, të bashkojmë guximin, të bashkojmë më të mirën për Shqipërinë që duam, për të rivendosur demokracinë në Shqipëri, për një Shqipëri që shikon drejt Europës dhe jo drejt Beogradit”, deklaroi Berisha.
Berisha: Do ta ringjallim PD-në, me “Foltoren” jemi më optimistë se kurrë më parë
Ish-Kryeministri Sali Berisha nga “Foltorja” e Kukësit tha se Partia Demokratike sot është në një situatë të vështirë, por premtoi se ta ringjallë këtë forcë.
Berisha u shpreh se të gjithë demokratët janë tradhtuar dhe mashtruar nga Lulzim Basha, të cilin e quan ish-kryetar të Partisë Demokratike.
“Ne si parti demokratike, jemi përsëri në një situatë të vështirë, por jemi në një situatë ringjalle të fuqishme. Me këtë nismë vijmë optimist më shumë se kurrë, vijmë të prerë në besë në një kohë kur ish-kryetari deklaroi masakrën elektorale por u morr me karrigen e tij dhe harroi çdo gjë për votën. Jemi të mashtruar dhe të tradhtuar nga pengu Lulzim Basha.
Miqtë e mi, kjo beteje është betejë për dinjitetin tonë, për sovranitetin e kësaj partie, kurrë një forcë politike nuk mund të fitojë besimin në rast se nuk sillet si një forcë sovrane, në rast se vullnetin nuk ja diktoni ju. Ndaj dhe ne mblidhemi”, tha Berisha.
Sali Berisha: “Foltorja” është thirrje për bashkim, do lejojmë fraksionet në PD
Ish-Kryeministri Sali Berisha nga “Foltorja” e Kukësit ka treguar një nga qëllimet e takimeve me demokratët. Në fjalën e tij Berisha tha se “Foltorja” synon bashkimin me demokratët që nga themeluesit deri tek anëtarët e rinj.
“Foltorja jonë është një thirrje për bashkimin e demokratët që nga themeluesit e saj deri tek anëtarët më të rinj. Disa rregulla do t’i vendosim në statutin e ri. Ju do të përcaktoni të zgjedhurit tuaj dhe do të vendosim primaret”, tha Berisha.
Më tej lideri historik i PD tha se do të lejohen dhe fraksionet brenda partisë, duke thënë se të gjithë do të jenë të lirë për të dhënë mendimin e tyre.
“E qytetëruar dhe e fortë është ajo forcë politike që të gjithë kanë një votë. Vota është njësoj si e kryetarit dhe anëtarit. A do lërë PD fraksione? Cilido që është i aftë për të krijuar fraksionin është i mirëpritur, ne nuk kemi frikë nga liria. Ne kemi nevojë për flukse. Ne do e bëjmë këtë parti shumë herë më demokratike seç ka qenë. Ne sot pas 30 viteve jemi më të aftë dhe më të zot për ta shndërruar PD-në në shtëpinë e lirisë”, tha Berisha./tvklan.al


Leave a Reply