Në Kosovë sot u hap edhe zyrtarisht fushata njëmuajshe për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ndonëse fushata në terren ka filluar tashmë që një kohë. Gjithsej 48 subjekte politike, nga të cilat 18 parti politike, një koalicion, 17 nisma qytetare dhe 12 kandidatë të pavarur janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, në një kohë kur vendi po përballet me një situatë të rënduar shëndetësore si pasojë e pandemisë COVID-19.
Kosovë, fillon fushata për zgjedhjet e pushtetit lokal
Në Kosovë, të enjten u vendosën pjesëtarët e parë të Misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve për pushtetin komunal që pritet të mbahen me 17 tetor.
Zëvendës shefi i këtij misioni, Konrad Olszewski tha se sot po vendosen 22 vëzhgues afatgjatë që do të qëndrojnë në Kosovë gjatë tërë procesit zgjedhor.
“Ne gjithashtu do të kemi vëzhgues afatshkurtër që do të vendosen më afër ditës së zgjedhjeve, rreth ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurohet një mbulim i mirë i vendvotimeve dhe veprimtaritë gjatë ditës së zgjedhjeve, të tilla si mbikëqyrja e votimit, numërimi i votave dhe përcaktimi i rezultateve”, tha zoti Olszewski.
Vendosja e vëzhguesve evropianë filloi në ditën kur edhe zyrtarisht u hap fushata njëmuajshe për zgjedhjet e 17 tetorit, ndonëse fushata në terren ka filluar tashmë që një kohë.
Çështja e fushatës dhe shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të situatës së përkeqësuar me pandeminë COVID-19 u përcoll me debate javëve të fundit.
Lëvizja Vetëvendosje që udhëheq me qeverinë kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve pas një rekomandimi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shkak të rrezikut për përhapjen e infeksioneve me COVID-19. Por kjo u refuzua nga partitë politike në opozitë, të cilat thanë se janë të gatshme të shkurtojnë veprimtaritë e fushatës për shkak të situatës shëndetësore.
Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur që të kufizojnë fushatën në pesë ditë.
Vetëm nga 20 gushti i këtij viti e deri më sot 552 qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19, duke e bërë këtë periudhë nga më të rëndat që nga shfaqja e pandemisë në mesin e muajit mars të vitit të kaluar.
Gjithsej 48 subjekte politike, nga të cilat 18 parti politike, një koalicion, 17 nisma qytetare dhe 12 kandidatë të pavarur janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply