Nga Gabriel Garcia Marquez
Kur pyeta një herë në një universitet të Kolumbisë se çfarë provimesh aftësie apo të karakterit profesional iu nënshtrohen personat që dëshirojnë të studiojnë për gazetari, përgjigja që mora ishte e prerë: “Gazetarët nuk janë artistë.”
Në njëfarë mënyre, këto pikëpamje ushqehen nga bindja se gazetaria e shkruar është një zhanër letrar. Këtu e pesëdhjetë vjet të shkuara shkollat e gazetarisë nuk ishin në modë. Ky zanat mësohej në zyrat e redaksive, shtypshkronja, qoshkat e kafeneve më të humbura, si dhe festat e organizuara të premteve në darkë. Gazeta përgatitej në mjedise që u ngjanin pak a shumë punishteve, vendet më të përshtatshme për të mësuar e për t’u informuar dhe ku pikëpamjet lindnin e përpunoheshin në një atmosferë bashkëpunimi të ngushtë, ku ruhej e respektohej integriteti i çdonjërit. Gazetarët përbënin një grup të organizuar më së miri.
Gjithçka që kishim në këtë jetë e ndanim bashkërisht dhe qemë aq fanatikë lidhur me profesionin tonë sa nuk flisnim kurrë për ndonjë gjë tjetër. Puna na kishte lidhur aq fort me shoqi-shoqin, sa pak kohë mund të mbetej për jetën intime të çdonjërit prej nesh. Ndonëse asokohe nuk ekzistonte kolegjiumi i redaksisë në kuptimin formal të fjalës, në orën pesë të pasdites i gjithë stafi mblidhej spontanisht sa për t’u çlodhur nga ten-sioni i përjetuar gjatë ditës dhe për të pirë një kafe në ndonjë vend ku mund të zhvillohej veprimtari editoriale. Ishin mbledhje të hapura, ku diskutohej me zjarr rreth temave të çdonjërës prej rubrikave dhe ku viheshin pikat mbi “i” për numrin e mëngjesit të ditës së nesërme.
Personat që nuk mësonin gjë prej gjëje në debatet e ndezura 24-orëshe të asaj akademie shëtitëse ose të gjithë ata që mërziteshin për vdekje nga bisedat e pafundme që zhvilloheshin, qenë pikërisht ata që dëshironin ose që mendonin se tashmë ishin gazetarë, por në të vërtetë nuk qenë të tillë. Asokohe gazetaria ndahej në tri kategori të mëdha: lajmet, historitë me karaktere dhe editorialet. Rubrika që kërkonte vërtetë finesë dhe që mbartte në vetvete goxha prestigj ishte ajo e editorialeve.
Puna e reporterit ishte më e nënvleftësuara, pasi personi që e kryente atë ishte rëndom ndonjë riosh, të cilit i ngarkoheshin detyra që nuk shkonin përtej shërbimeve të një çiraku. Si koha ashtu edhe profesioni kanë dëshmuar se sistemi nervoz i gazetarisë vepron sipas një stili që lëviz në drejtim të përkundërt me akrepat e sahatit; domethënë, në moshën 19-vjeçare unë isha studenti më i keq që kishte fakulteti i Drejtësisë dhe e nisa karrierën e gazetarit si anëtar i redaksisë së editorialeve. Dalëngadalë, duke punuar rëndshëm, arrita të çaj përpara, duke punuar sa në një sektor në tjetrin, derisa u bëra një reporter i vjetër e i përkorë.
Ushtrimi i këtij profesioni kërkonte një kulturë të gjerë, çka ta ofronte edhe vetë mjedisi i punës. Leximi ishte një nevojë e domosdoshme që nuk hynte te kërkesat e mirëfillta të punës. Njerëzit që janë autodidaktë zakonisht janë lakmiqarë për të nxënë sa më shumë dhe i përvetësojnë gjërat shpejt. Kjo gjë vlen sidomos për moshatarët e mi, ngaqë të gjithë digjeshim nga dëshira të çanim shtigjet për ta çuar sa më përpara atë që ne e quanim vetmevete profesioni më i mirë në botë. Alberto Lleras Camargo, një gazetar i moçëm, i cili në dy raste do të bëhej presidenti i Kolumbisë, nuk kishte marrë as diplomën e shkollës së lartë. Krijimi i mëvonshëm i shkollave të gazetarisë erdhi si rrjedhojë e reagimit të rretheve akademike kun-drejt faktit që profesionit i mungonte formimi shkollor.
Tash për tash, kjo gjë nuk vlen vetëm për median e shkruar, por për të gjitha fushat e medias që ekzisto-jnë ose që do të shpiken. Sidoqoftë, në një përpjekje të dëshpëruar për t’u shtrirë sa më shumë edhe emri i përulur që mori ky profesion qysh në fillim të shekullit të 15-të, tashmë është braktisur. Tash nuk e quan më kurrkush gazetari, por shkenca e komunikimit ose komunikimi masiv. Pa hyrë në hollësira, rezultatet e përftuara nuk janë dhe aq inkurajuese. Studentët që diplomohen nga institucionet akademike me pretendime tejet të mëdha dhe aspak realiste, ndonëse jetën e kanë përpara, duket që nuk kanë kurrfarë pika kontakti me realitetin dhe problemet kryesore të jetës në botën e njëmendtë, dhe më fort se profesionit e aftësive të lindura i kushtojnë rëndësi e vëmendje të pazakontë mënyrës se si të spikasin.
Kjo gjë është veçanërisht e vërtetë sidomos lidhur me dy atribute kyç: kreativiteti dhe përvoja. Shumica dërrmuese e studentëve i hynë profesionit me mangësi të dukshme: ata kanë probleme të rënda me gramatikën e shkronjëzimin dhe nuk janë në gjen-dje ta rrokin në mënyrë instinktive materialin që lexojnë. Një pjesë mbahen me të madh për faktin se mund të lexojnë përsëmbrapthti një dokument sekret mbi tryezën e një ministri, se janë në gjendje të regjistrojnë biseda rastësore pa e marrë vesh folësi, ose se mund të publikojnë një bisedë për të cilën kanë rënë paraprak-isht në ujdi ta trajtojnë si konfidenciale. Ajo çka të shqetëson më së shumti është fakti se të gjitha këto shkelje të rregullave të etikës bazohen në një koncept risque për profesionin, në atë që është përshtatur në mënyrë të vetëdijshme dhe është rrënjosur krenarisht në rëndësinë e shenjtë të të qenit i pari që merr vesh diçka dhe para gjithkujt tjetër. Nocioni se lajmi më i mirë nuk është medoemos lajmi që ti ia ke dalë ta marrësh i pari, por në të shumtën e rasteve është ai lajm që paraqitet më mirë nga të tjerët, nuk do të thotë asgjë për ta.
Disa prej këtyre të rinjve, të vetëdijshëm për mangësitë e veta, ndjehen të mashtruar nga shkolla që kanë kryer dhe nuk e kanë për gjë të fajësojnë profesorët se janë ata që kanë dështuar t’u ngulin në mendje virtytet që tash kërkohen prej tyre, në mënyrë të veçantë kureshtjen për të zhbiruar jetën. S ’do mend që kjo është një kritikë që mund t’u bëhet të gjitha niveleve të arsimimit në përgjithësi, i cili është i korruptuar nga pafundësia e shkollave që janë kapur pas praktikës së mbrapshtë që i kushton më fort vëmendje informacionit se mësimit. Gjithsesi, në rastin konkret të gazetarisë kjo gjë duket se ka të bëjë me paaftësinë e profesionit për të ecur me të njëjtin hap të mekanizmave të tregtisë, si dhe për faktin se gazetarët kanë humbur në labirin-thin e krijuar nga teknologjia teksa është lëshuar me vërtik përpara.
Burimi/faktiditor.ch/


Leave a Reply