Nga Gëzim LLOJDIA
Si një ëndërr e pa ëndërruar. Janë zgjuar kështu banorët e komunës së Novoselës së Vlorës, kur ndër pragje dhe dyer, kopshte, banesa, mullarë, sera, bodrume, ofiçina, bagëti, stalla, ferma, ujët kishte nën pushtetin e tij gjithçka. Vërshimi i Vjosës kishte ngjarë të ishte hileqarë. Gjithmonë lubia me ujërat e turbullta dilte dhe përmbyste nga krahu tjetër. Kësaj here i hëngri në besë. Mësyu në të kundërtën e saj, andej nga banorët nuk e prisnin. Mirëpo atje shkoi një reporter i një televizioni lokal dhe i pyeti se si e kishin përjetuar këtë katastrofë të përvitshme. I laguri dhe mbyturi nga ujët e turbullta çfarë mund të thotë në kushtet kur pabesia e ujit dhe shtrirja e pushtetit të tij natën dhe neglizhenca e shtetit i mbyti? Pse ishte neglizhenca e shtetit? Banorët e kësaj komune janë përmbytur nga Vjosa dhe përmbytja më e madhe ishte në vitin 2005. Atëherë gjendja ishte alarmante, sepse dimri ishte në fazën e parë të tij, kur kërcëllinte dhëmbët i egërsuar, pra ishte janar dhe s’dihej se çfarë vinte prapa. Në këtë rast Vjosa, prurjet e saj të mëdha pas rrebesheve në Gjirokastër, Tepelenë, kishte rritur në maksimum ujërat dhe vërshimi i saj në det do të sillte pasoja për banorët e Novoselës. Arsyeja është e thjeshtë: aty lumi i turbullt ka pjesën fundore të zbrazjes në det. Mirëpo ajo që i përmbyti ishte një tombino. Nëse do të ishte bërë një tombino tek traseja e hekurudhës, uji do të kishte vërshuar, por përmbytje s’do të kishin pasoja. Dihet që lumi Vjosë me prurjet e tij të mëdha 2000 l/s është dhe mbetet një rrezik potencial kur del jashtë shtratit të saj. Vjosa ka bërë zarare madje në të shkuarën për këtë lumë ka pasur edhe një këngë hidhërimi që këndohej në jug. Po vjen lumi turbull o ,/turbull lumi, turbull o…” Kur Vjosa është e qetë është diçka më ndryshe. Arben Duka dhe Poni kanë një këngë të mrekullueshme, krejt ndryshe nga e para. Për lumin e Vjosës. Bukuria e këtij lumi shfaqet me tërë lakuriqin e saj në stinët e begata. Por në dimër Vjosa egërsohet shumë, dinake, kryeneçe dhe papërmbajtshme. Jo vetëm në Novoselë ka bërë zarare këtë dimër, por edhe te bishti i malit në Selenicë. Ku mundet, Vjosa bënë zarare.
Nëse banorët thonë ishte një tombino, atëherë përgjegjësia ishte te pushteti vendor për të marrë masa, që edhe një tombino të mos përmbyste fshatra dhe pasuri të tërë. Është një fakt i dhimbshëm, që përsëritet si nëpër filma. Përmbytjet janë katastrofa natyrore, por për të shmangur dhe minimizuar ato duhet të ndihet dora e njeriut atje ku mundet. P.sh., nëse do të ishte bërë kjo tombino, fshatrat dhe pasuri të tëra, që do të humbasin nga balta do të kishin shpëtuar këtij ndëshkimi këtu është dhe duhet të ndihet dora e njeriut. Dora e pushtetit. Shqiptarët po vuajnë prej vitesh qeverisjet qendrore dhe lokale, neglizhenca e të cilave shpie dëm sakrifica dhe hedh në lum miliona. Mirëpo, si i thonë shqip, doli pa u lagur”, se në këtë vend askush nuk merr përgjegjësi për gjithçka ndodh.
Nëse shqip i thonë “e gjetsh nga mos e pandehsh”, edhe me banorët e kësaj zone ka ngjarë kështu. Rranë për qejf të tyre në gjumin e perëndisë dhe u ngritën nën ujërat e lumit . Ishte ky mallkim apo një neglizhencë? Atje ku ka mundësi, duhen shmangur katastrofat; atje ku nuk ka mundësi, ka ndërhyrje emergjente shpëtimi. Në Shqipëri ndodh kështu. Sapo përfundoi përmbytja, ujërat tërhiqen dhe niveli i tyre bie, askush më nuk kujtohet për dëmet apo për masat që duhen marrë për të parandaluar përmbytjen e radhës. Të gjithë ne kujtohemi vetëm kur uji na vjen te koka krevatit. Atëherë brofin sirenat e alarmit, ngrihen pushtetarë, makina gulçojnë me uturi, në medie deklarata bombastike, intervista me të përmbyturit dhe vjen një ditë, që të gjitha këto harrohen, sepse ka dalë dielli dhe lumi është strukur në shtratin e vjetër. Ekranet HD mbyllen. Fakirfukarenjtë askush nuk ika më në vëmendje.
– Natën e mirë! Do të rikthehemi sërish me kronika, zhurmë e brohori, ditën kur të ngjajë përmbytja e radhës.
Metropol
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply