Gazetari i kronikës, Artan Hoxha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me kokainën e kapur në portin e Durrësit. Hoxha ka përgëzuar kontrollorët e skanerit në port, ku nuk i ka kursyer edhe ironitë për kontrollorët ajror të cilët bojkotuan punën duke pretenduar se po kalojnë periudhë stresuese.
Gazetari i kornikës shprehet se nëse do të shitej në treg, droga ka një vlerë prej 19 milionë eurosh. Më tej, ai thotë se kjo është një shifër e majme për të garantuar në zgjedhjet e 25 prillit, jo 74 mandate, por edhe 84 mandate parlamentare pa u lodhur fare.
Postimi i Artan Hoxhës:
Meqe po jetojme ne kohen e kontrolloreve….
Nje bravo e madhe sot, per kontrolloret e skanerit ne Portin e Durresit.
Nuk e di ne çfare niveli i kap “stresi”, edhe pse paguhen pese here me pak, se koleget e tyre te “stresuar”.
Madje, nese do ta benin nje sy “qorr” sot, mund te merrnin si dhurate nje shperblim aq te majme, sa nuk do t’u mbaronte lumturia per muaj me radhe ne Karaibe, apo ne Maldive…
Brenda 10 ditesh kane kapur dy ngarkesa me kokaine, te ardhura nga Ekuadori.
Ne daten 1 prill 2021, kapen 49 kg kokaine.
Me date 10 prill 2021, kapen 140 kg kokaine.
Kontenieri i kapur sot, vazhdon te jete ne perpunim e siper, gje qe do te thote, se mund te gjendet nje sasi edhe me e madhe.
Sasia e kokaines e kapur ne dy rastet prej 190 kg, ka nje vlere tregu prej 19 milione eurosh.
Nje shifer e majme per te garantuar ne zgjedhjet e 25 prillit, jo 74 mandate, por edhe 84 mandate parlamentare pa u lodhur fare…
Besoj se ata, qe kane humbur dy ngarkesat e fundit te kokaines, te mos jene stresuar aq shume, sa te urdherojne atentatin e radhes….
“El Mejor, (më e mira)”-Kokaina në Portin e Durrësit me imazh të Pablo Escobar

Mesditën e kësaj të shtune, policia zbuloi një ngarkesë me rreth 140 kg kokainë që ishte fshehur në një konteiner me banane që ishte nisur nga Amerika Latine për llogari të kompanisë “Masabi Fruits” me seli në Tiranë. Për dy administratorët e kësaj kompanie, Erion Peti dhe Klajdi Xibraku, SPAK ka prerë urdhërarrestet, ndërsa në ambientet e policisë ndodhet aktualisht vetëm Xibraku, pasi ishte ai që po priste ngarkesën në Portin e Durrësit
Siç shihet në pamjet e siguruara nga Gazeta Mapo, droga ishte fshehur në tavanin e konteinerit e ndarë në 200 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrime përcaktuese si dhe fotografinë e trafikantit famëkeq Pablo Escobar. Në pakot e kokainës ishte shkruar në spanjisht ‘El Mejor” (më e mira), ‘Viejon’ (i moshuar) dhe ‘Brater’ (vëlla).
Mësohet se konteineri ishte nisur dje nga porti Pireut në Greqi dhe kishte mbërritur paraditen e sotme në Durrës. Sipas burimeve nga policia e Durrësit, ka qenë skaneri i kontrollit që ka zbuluar ngarkesën e kokainës.
Ngarkesa iu nënshtrua skanerit, pasi u vlerësua si një konteiner me risk. Mësohet se konteineri ku u gjet droga është shkarkuar nga anija e konteinerëve “Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin grek të Pireut. Burime nga grupi hetimit thonë se rasti konkret është zbuluar falë bashkëpunimit nga partnerët e huaj.
Nëntë ditë më parë, më konkretisht më 1 prill, në Portin detar të Durrësit u zbulua dhe sekuestrua një tjetër sasi kokainë prej 49 kg, e cila gjithashtu u gjet e fshehur në një konteiner që transportonte banane nga Amerika Latine.
Në shkurt të 2018, policia sekuestroi plot 613 kg kokainë dhe arrestoi tre persona, mes tyre edhe administratorin e kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane Arbër Çekajn. Por dhjetë ditë më parë, me datë 1 prill u arrestua edhe babai i tij, Selim Cekaj, pasi në ngarkesën me banane të porositura nga ai u gjetën 49 kg kokainë.
Burimi/gazetamapo.al/


Leave a Reply