Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur në konferencë për media pas takimit që ka pasur me kreun e LVV-së Albin Kurtin dhe u.d. e presidentes Vjosa Osmanin.
Haradinaj ka thënë se në takim Kurti e Osmani kanë kërkuar një konstruktivitet të partisë së tij për partneritet pozitë – opozitë, ndërsa tha se AAK-ja ka përvojë në rolin e opozitës, duke përmendur edhe kohën kur bashkë me LVV-në përdornin gaz lotsjellës në Kuvend, për çka tha se më nuk do ta bëjë të njëjtën, transmeton Zeri.info.
“AAK-ja është parti opozitare dhe ka përvojë në opozitarizëm, dikur e kemi bërë opozitarizmin së bashku me Kurtin dhe i tregova Kurtit se nuk do të kthehen ato metodat e vjetra që i kemi pasur së bashku, sepse edhe unë jam plakur dhe nuk mundem më me ato metoda”, ka thënë Haradianj.
Sipas Haradinajt, është në përgjegjësinë e partisë fituese që t’i formojë institucionet dhe të gjejë formulën për të siguruar 2/3 në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.
“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për të krijuar qeverinë dhe për të krijuar 2/3 për president, është në përgjegjësin e tyre, në këtë rast si AAK nuk e kemi këtë mundësi të krijojmë 2/3 në Parlament dhe ajo që na mbetet është një rol opozitar në funksion të vendit”, ka thënë ai.
Kreu i AAK-së, i cili kishte shpallur kandidaturën e tij për president në zgjedhjet e 14 shkurtit, tha se nuk është në detyrën e tij që të përkrahë koncentrime të caktuara politike, ndërsa shtoi se Kurtit qytetarët ia kanë dhënë shumicën, por jo edhe 2/3 për president, transmeton Zeri.info.
“Detyra jonë nuk është me përkrah koncetrimin e pushteteve në një dorë, në këtë rast Kurtin, populli ia ka dhënë votën, por nuk ia ka dhënë edhe 2/3 për presidentin, është përgjegjësi e tyre që të bëjnë kuorumin, si AAK ne do t’i marrim veprimet tona brenda partisë”, tha Haradinaj.
I pyetur nëse është AAK-ja e gatshme të shkojë në zgjedhje, Haradinaj u përgjigj: “Kosova deri tash ka mbajtur zgjedhje, fituesit e zgjedhjeve mbajnë përgjegjësi rezultatin, jo me dërgu vendin në zgjedhje, kërcënimi me zgjedhje nuk i shkon për shtati askujt, por si AAK jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje, jo vetëm tani, por çdoherë”. /Zëri
Burimi/zeri.info/


Leave a Reply