Virusi i koronës vazhdon të godasë pa mëshirë, duke na i pakësuar miqtë. Dje mori një ndër miqtë e mi më të mirë, Beqir Hoxhën, nga Bregu i Pacit, në moshën 70 vjeçare.
Me Beqirin jemi rritë. Me të, në lumin e Bytyçit, kam mësuar të notoj. Në fakt, lumi nuk ishte i përshtatshëm për notim, por ne ndërtonim “diga” me gurë e báza dheu, duke krijuar një pus, uji i të cilit na mbulonte edhe me duar lart. Nganjëherë, pa lejen e prindërve, guxonim të zbrisnim poshtë duke ndjekur rrjedhën e lumit, për të shkuar në Gji të Çorrit, rreth një orë larg Viliqit, për të cilin ishim të sigurtë se është tre mullarë i thellë dhe ku, më Beqirin në krye, bënim gara kush e nxjerr i pari gurin nga fundi i tij. Kur jam rritur kam shkuar tek ai Gji dhe e kam provuar se nuk ishte me shumë se tre metër i thellë, por për ne, si fëmijë të vegjël, një metër barazohej me një mullar.
Me Beqirin kam mësuar të kap peshq në guvat e gurëve poshtë ujit, të cilët i vargëzonim në thuprat e shelnjeve dhe i lumturonim macet tona, sepse, në atë kohë, prindërit tanë na thonin që peshku nuk hahet. Pasi ngopeshin, macet fillonin e luanin me ta, ndërkaq, tek i shikonte, nana më qortonte: pse hy në gjyna me ta, moj nanë? Pse nuk i le n`punë të vet, n`ujë t`lumit? Ç`ka të kanë ba ty ata?
Kur hyra në shkollë, kuptova që Beqiri (i cili ishte rreth katër vjet më i madh se unë) nuk ishte si ne të tjerët. Me të nuk luante, as nuk rrinte kush. Kur e pyeta babën tim, përse ndodhte kështu, ai më tha se Beqiri është kulak dhe, më këshilloi që, fshehurazi, mund të rrija me të, por jo në sytë e të tjerëve. Që atëherë, me Beqirin jemi takuar vetëm natën, në shtëpinë time, në Viliq.
Megjithëse ishte shumë i zgjuar dhe premtonte të ishte një nxënës i shkëlqyer, për shkak të biografisë, ai nuk e vazhdoi dot më tej shkollën.
Kishte shumë dhunti në zeje të ndryshme dhe nuk linte vegël pune pa prodhuar, të cilat të shumtën e herës, ua jepte bashkëfshatarëve falas. Çfarë i shihte syri, ia bënte dora. Në moshë fare të re arriti të prodhojë vetë një aparat radioje, ku dëgjonte emisionet e Radio Prishtinës.
Por ai kishte një “huq”: ishte i drejtpërdrejtë dhe fliste për gjëra që regjimit nuk i përqenin. Ndaj, nuk vonoi shumë dhe, në lulen e rinisë, Beqir Hoxha u arrestua dhe u dënua 7 vjet burg për axhitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Kur unë u bëra mësues dhe Beqiri, ndërkohë ishte liruar nga burgu, ai e shmangte rrugën për të mos u takuar me mua, në mënyrë që të më ruante nga akuzat e mundshme “për takim me të deklasuarin”. Natyrisht, takimet i vazhdonim natën, në Viliq.
Duke folur për këto vite të vështira, në vitin 1995, në një darkë në shtëpinë tonë, me humorin që e karakterizonte, Beqir Hoxha ngriti një dolli: “Për Cubelin (qenin tonë), i cili nuk lehte ndaj miqve por vetëm ndaj spiunëve, që i njihte mirë, në bazë të erës së qelbur dhe, sapo i afroheshin shtëpisë, na paralajmëronte për ardhjen e tyre”. Por ai ishte kritik edhe me pushtetarët e rinj demokratë, sidomos me vlerësimet e pamerituara, sipas tij, të disa figurave. Prandaj e mbylli shëndetin e tij për Cubelin tonë, me këto fjalë: “Për meritat e jashtëzakonshme, të shfaqura gjatë diktaturës, do t`i propozoj presidentit të Republikës që ta shpallë Cubelin “Pishtar të demokracisë”.
Vitet e fundit, na qëlloi të jetojmë larg njëri-tjetrit, unë në Prishtinë, ai në Durrës (Hamallaj), por lidhjet dhe miqësinë nuk i harruam për anjë çast.
Virusi i koronës po na ndëshkon dyfish: po na i merr miqtë tanë më të mirë dhe po na e ndalon t`i nderojmë siç e meritojnë, në rrugëtimin e tyre të fundit për në amëshim.
Në pamundësi për të marrë pjesë në varrimin e tij, sot në Bytyc, i dërgoj ngushëllimet e mia më të thella familjes, miqve e shokëve të tij.
Lamtumirë, miku im i mirë, Beqir Hoxha!
Shpirti yt pushoftë në paqe!
Burimi/Facebook


Leave a Reply