TemA
Nga Mero Baze
Sot mbushen pesë vjet nga dita kur një punishte artizanale në Gërdec, u hodh në erë nga mungesa e përgjegjësisë dhe arrogancës së pronarëve të lidhur me pushtetin, duke vrarë 26 vetë dhe duke dëmtuar jetën e qindra të tjerëve, përfshi dhe banesat e tyre.
Sot viktimat e asaj tragjedie do të kujtojnë të afërmit e tyre, jo vetëm duke vendosur lule në varreza, por dhe duke kujtuar momentet e fundit me ta. Do të kujtojnë ku ishin kur morën lajmin, kur e panë për herë të fundit të dashurin e tyre, çfarë u tha, etj.
Drejtuesit formal të biznesit, gjysmë të arrestuar, po ashtu do të reflektojnë. Dhe ata do të kujtojnë si shpërtheu flaka, ku ishin ata kur shpërtheu, kush i njoftoi i pari, etj.
Por në ketë histori është një Familje, e cila po i fsheh për pesë vite shoqërisë shqiptare të vërtetën mbi atë tragjedi. Është Familja e Sali Berishës.
Sot gruaja e Sali Berishës duhet të shkojë në shtëpinë e motrës së saj ta ngushëllojë për burrin e vdekur 5 vite më parë. Duhet të ulet përballë saj, ta shikojë në sy dhe t’i thotë më fal në emër të djalit të saj. Mund të jetë një ndjesë e heshtur mes dy motrave, një ndjesë që nuk do ta marrë vesh askush. Ajo mund të na gënjejë ne publikisht, siç ka bërë. Mund të thotë që ka gënjyer dhe Berishën, siç e ka pranuar vetë. Mund t’u thotë njerëzve të zakonshëm se im bir nuk kishte lidhje me Gërdecin. Por ajo duhet të zgjidhë problemin me motrën e saj. Asaj nuk mund t’i thotë asgjë nga këto gjëra. Djali i saj, Shkëlzen Berisha, e ka punësuar burrin e motrës në atë biznes, dhe ajo nuk mund t’ia thotë dot motrës ato gënjeshtra që na thotë ne publikisht. Ajo mund të zgjedhë thjesht të shkojë ose jo në atë shtëpi. Aty gënjeshtra është e ndaluar.
Sot Sali Berisha e ka të vështirë të rrijë disa minuta vetëm me djalin e tij. Lajmet nëpër ekrane do të gumëzhijnë për Gërdecin dhe ata duhet të shkëmbejnë dy fjalë. Tani ata janë të qetë formalisht. Gjyqin e kanë mbyllur, avokatët dhe gjyqtarët janë shpërblyer, ministrat si Mediu dhe Bumçi, që heshtën për të vërtetën, po mbahen me dhunë në politikë dhe po mbrohen me imunitet. Gjithë piramida e administratës, që i ra fati të merret me atë punë, është shpërblyer dhe është e kënaqur. Tani ata nuk kanë më asnjë problem. Ua kanë mbajtur fjalën dhe biznesmenëve që përdorën në këtë tragjedi. Bënë sikur i dënuan dhe i nxorën. Tani ata kanë vetëm një problem, problemin kur janë vetëm dhe shikojnë lajmet për Gërdecin në televizion. Çfarë i thonë njëri- tjetrit babë e bir? A psherëtijnë së paku për shpirtin e 26 vetëve që u vranë dhe dy të tjerëve që u vetëvranë nga marazi më pas? A kanë ndonjë brerje ndërgjegje për këtë krim? A mendojnë vërtet se tani që gjyqin e mbyllën, që aktorët e biznesit i shpërblyen, janë të qetë? A mendojnë vërtet se kanë shpëtuar nga një krim që tentuan ta fshehin?
Njësoj si nëna e Shkëlzenit, edhe babi i tij, ndoshta e shmang sot ndenjen përballë të birit. I bindur se dhe muret kanë veshë, ai nuk ka ende fuqinë të ballafaqohet dhe në fshehtësi të plotë me përfshirjen e tij në atë tragjedi.
Sot dhe vajza e vetme e familjes Berisha mund të ketë probleme psikologjike. Ka plot avokatë, prokurorë, gjyqtarë, që i shfaqen para syve të buzëqeshur dhe të kënaqur që ia mbaruan porosinë për të vëllain. Nuk e thirrën në prokurori, edhe pse kish lënë gjurmët e gjakut gjithandej. Nuk e thirrën në gjykatë, edhe pse letrat janë ende sheshit. Sot, kur të gjithë kujtojnë me dëshpërim se pushteti të vret dhe nuk të lë as të qash, ajo është në siklet nga dilema nëse duhet t’i falënderojë atë ushtri gjyqtarësh dhe avokatësh që ia bënë nderin duke ia shpëtuar vëllain, apo të bëjë sikur nuk e ka mendjen tek kjo ngjarje.
Si familje tradicionale që janë, ndoshta ua do zakoni të shkojnë të ngushëllojnë tezen e tyre për 5- vjetorin e burrit. Por babi ka thënë se nuk kish dëgjuar kurrë as për baxhanakun, as për Gërdecin. Nëna po ashtu ka thënë se nuk i kish treguar babait se kunati i saj punonte në Gërdec. Tezja ka thënë se burri i saj punonte aty në një punë dinjitoze, dhe jo mbajtës arkash, siç ka thënë nëna e saj. I vëllai, që ka bërë gjithçka, hesht.
Sot, në pesë vjetorin e këtij krimi të shëmtuar të pushtetit, kjo familje po fsheh një krim jo përballë shqiptarëve, por dhe përballë njëri- tjetrit. Sot ata kanë përfunduar gjithë proceset gjyqësore, kanë ndëshkuar dhe shpërblyer kë duhej për atë krim dhe kanë punë vetëm me njëri- tjetrin. Ata nuk e shikojnë dot sot njëri- tjetrin në sy. Ata janë një familje që kanë fshehur një krim dhe nuk kanë për të qenë më të qetë deri sa të shkojnë pranë atyre që përcollën pesë vjet më parë me lemeri.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply