Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që katër hidrocentrale të hapin portat e shkarkimit. Sipas informacioneve të fundit janë hapur portat e HEC-ve: Ulëz, Shkopet, Koman dhe Vau i Dejës, duke rrezikuar që të përmbyten zona e Nënshkodrës, Lezha, Miloti dhe rrethinat përreth.
Sipas informacioneve më të fundit nga Hidrocentrali i Shkopetit derdhen 350 m³/sec, nga i Ulzës dhe i Vaut të Dejës derdhen 300 m³/sec ndërsa nga HEC-i i Komanit derdhen 500 m³/sec. Aktualisht HEC-et po vijojnë të punojnë me kapacitet të plotë. Kështu në HEC-in e Ulzës, po punohet me katër turbine dhe në atë të Shkopetit me dy turbinate e tij. Stafet drejtuese të këtyre HEC-ve vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës për ta mbajtur atë nën kontroll. Ndërkohë KESH njofton se për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe në zbatim të rregullores, ka nisur shkarkimin në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Në hidrocentralin e Komanit po punohet me 4 turbina/kapacitet maksimal dhe shkarkimet arrijnë në këto shifra: 600 m3/s nga porta dhe 670m3/s nga turbinat.
Gjithashtu edhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës po punohet me kapacitet maksimal duke punuar me 5 turbina dhe shkarkimet janë në shifrat e 600 m3/s nga portat dhe 520 m3/s nga turbinat. Marrja e vendimit për nisjen e shkarkimet po bëhet në zbatim të rregullores dhe të miratuar nga Sekretariati Teknik të Shkarkimit të Plotave.
Shkodër, rrezikohet përmbytje në Komunën Ana e Malit
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit dhe hapja e portave katër hidrocentraleve kanë shkaktuar problemet e para në zonën e Nënshkodrës. Më e rrezikuar është komuna Ana e Malit, ku ka filluar përmbytja e tokave bujqësore ne fshatrat Goricë, Muriqan dhe Obot. Raportohet se rreth 600 ha tokë është e përmbytur. Në komunën Bërdicë ka rritje të nivelit të ujit te Harku i Bërdicës por pa e bllokuar atë. Në komunën Velipojë ka prezencë uji në Cas dhe në kënetën e dikurshme pranë urës së Gjon Lulit, ndërsa rruga Shkodër – Velipojë nuk ka prezencë uji.
Mësohet se 3 lumenjtë që kalojnë në Shkodër: Kiri, Buna dhe Drini janë në nivelet maksimale për shkak të prurjeve nga zonat malore. Në Bardhaj rrezikohen 80 shtëpi nga gërryerjet e lumit Kir situatë e pritshme që para një jave dhe tashmë shtabi i emergjencave ka vendosur evakuimin e banorëve.
Ndërkohë Shefi i Emergjencave Civile në Shkodër,Pëllumb Dani, bëri të ditur se portat e shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës janë hapur rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe menjëherë janë njoftuar kryetarët e komunave për situatën. Dani theksoi se janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës, duke siguruar banorët se momentalisht nuk ka asnjë rrezik për përmbytjen e banesave të tyre.
“Situata deri tani është normale pavarësisht shkarkimeve, rrezikohen toka bujqësore,por nuk ka asnjë rrezik për banesat”,- u shpreh Dani.
Era dhe shiu, vonesa të trageteve në Durrës dhe Vlorë
Moti i keq ka shkaktuar pezullimin e lëvizjeve të trageteve gjatë mbrëmjes së djeshme në portin e Vlorës. Ndërsa në Durrës moti i keq ka shkaktuar pezullim të plotë të lëvizjeve të anijeve me tonazh të vogël e të mesëm, por edhe vështirësi në lundrimin e anijeve me tonazh të madh. Njëri nga traget e linjës Bari-Durrës është ankoruar me rreth tre orë vonesë, ndërkohë që për tragetin “Bari” për shkak të fortunalit dhe nisjes në orën 04L:00 të mëngjesit të së mërkurës nga porti italian, kapitaneria parashikoi ankorimin në orët e vona të pasdites. Grafiku i trageteve që lidhin Durrësin me Barin ka pasur ndryshime për shkak të kushteve atmosferike dhe detit të dallgëzuar. Kapitaneria e portit detar bëri të ditur se deti në mesditë regjistroi forcën 7 ballë, ndërsa fortunali ka përfshirë të gjithë gjirin detar dhe më gjerë. Të dyja brigjet e Adriatikut janë të goditura nga moti i keq. Ndërkohë dhe në qytet janë përmbytur disa zona në periferi të qytetit, si dhe ka pasur dëmtime të fushave të mbjella me grurë në disa fshatra. Moti i keq ka krijuar probleme edhe në qytetin e Vlorës ku janë regjistruar përmbytje të rrugëve kryesore dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, sinjalit telefonik dhe transmetimeve televizive.
Rrëshqitje dheu, bllokohet aksin Këlcyrë-Përmet
Rrëshqitja e dheut ka shkaktuar bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor që lidh Këlcyrën me Përmetin. Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, bllokimi ka ndodhur gjatë orëve të natës në vendin e quajtur Kuqar, ku për momentin kalimi është i pamundur.
Autoritetet bëjnë me dije se dy fadroma po punojnë për hapjen e aksit që të çon në pikën doganore të Tre Urave.
Moti i keq, CEZ: Defekte në linjat e energjisë
Moti i keq me shira të fuqishëm dhe erëra të forta ka dëmtuar mëngjesin e sotëm rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në disa qytete të vendit. CEZ Shpërndarje bën me dije se si pasojë e një avarie në nënstacion kanë pa energji Skrapari dhe fshatrat përreth.
Gjithashtu, për shkak të përmbytjes së nënstacionit të Laçit, kanë mbetur pa energji qyteti dhe rrethinat e tij. Ndërkohë, parashikohet të stakohet energjia edhe në Lezhë, për shkak se niveli i ujit po arrin pikën kritike edhe në nënstacionin e Lezhës.
CEZ Shpërndarje njofton se grupet e emergjencës po punojnë për stabilizimin e situatës dhe kthimin e energjisë elektrike.
Fier, mblidhet Shtabi i Emergjencave, Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati, kërkohet evakuimi i banorëve
Reshjet e vazhdueshme të shiut, që kanë vijuar për gjatë gjithë ditës kanë krijuar një situatë shumë problematike në rrethin e Fierit. Në orët e mbrëmjes së sotme është mbledhur edhe Shtabi i Emergjencës pas reshjeve të shumta të shiut si pasojë e të cilave rrezikohet dalja nga shtrati i lumit Vjosa, niveli i ujit në të cilin është vetëm 40 cm nga pika kritike.
Mësohet se prefekti i qarkut u ka kërkuar kryetarëve të komunave që të marrin masa për evakuimin e banorëve si dhe për të vënë në funksion të plotë të gjithë hidrovorët. Ndërkohë shtabi i emergjencave në këtë zonë është në gatishmëri të plotë për çdo të papritur.
Vjosa del nga shtrati në Novoselë, evakuohen banorët
Lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati në zonën e Novoselës. Si pasojë, rreth 30 banesa janë përmbytur ndërkohë që janë marrë menjëherë masat për evakuimin e banorëve. Rreth 30 familje pritet të evakuohen nga kjo zonë, pasi rrezikohen seriozisht nga vërshimi i ujërave të fryra të Vjosës. Deri më tani janë evakuuar 10 familje dhe vijon puna për evakuimin e familjeve të tjera. Situata paraqitet e vështirë edhe për shkak të reshjeve që vijojnë të bien dhe errësirës.
Përmbyten qindra hektarë tokë në Shkodër, uji pushton Obotin dhe Harkun e Bërdicës
Hapja e portave në disa HEC-e dhe shirat me intensitet të lartë që kanë rënë gjatë gjithë ditës e kanë rënduar shumë gjendjen në zona të ndryshme të Shkodrës.
Fryrja e lumit Drin ka sjellë daljen nga shtrati të ujërave që kanë mbuluar tërësisht Harkun e Bërdicës, ku niveli i ujit i ka kaluar 60 cm. Kjo ka sjellë vështirësi në qarkullimin mjeteve në aksin nacional Shkodër-Tiranë, pasi shumë makina të vogla janë kthyer mbrapsht pa arritur të kalojnë në këtë zonë.
Ndërkohë fshati Obot është pushtuar nga uji dhe rrezikohet seriozisht përmbytja e banesave, pasi lartësia e ujit është e konsiderueshme dhe ka përfshirë katete e parë të banesave. Banorët e fshatit janë izoluar totalisht dhe e kanë të pamundur të lëvizin me këmbë apo automjete për shkak të bllokimit të rrugës.
Qindra hektarë tokë rezultojnë të përmbytura nga uji në zona të ndryshme të Shkodrës, çka të sjell në mendje situatën e vitit 2010 në këtë zonë, që rezultoi fatale për ekonominë e banorëve.
(vijon…)
14 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply