Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gjermanen BILD në lidhje me pandeminë. Kreu i qeverisë ka sqaruar situatën aktuale nga koronavirusi në vend dhe ka hedhur poshtë pretendimet se Shqipëria apo vendet e tjera të Ballkanit po rrisin infektimet në Europë.
“Nuk mendoj se Ballkani paraqet rrezik për Gjermaninë apo vendet e tjera të Bashkimit Europian, sepse në fund të fundit numrat flasin vetë”, është shprehur Rama. Kreu i qeverisë ka argumentuar se për një vend si Shqipëria është e pamundur në aspektin e shifrave të influencojë vende të mëdha si Gjermania, Franca apo shtetet e tjera të Europës.
Kreu i ekzekutivit shtoi se Shqipëria është transparente me shifrat e publikuara në lidhje pandeminë. Rama ka hedhur poshtë pretendimet se Shqipëria duhet fajësuar për rritjen e numrave të infektimeve në Gjermani.
“Është më shumë politikë se realitet”, është shprehur ai.

Kryeministri Rama ka deklaruar përpara zëvendëspresidentit të gazetës BILD, Paul Ronzheime, me të cilin zhvilloi intervistën, se politikanëve në Europë u intereson ta përdorin për politikë idenë e një korone ballkanike, apo mafie ballkanike.
“Kjo është politikë, sepse nuk korona ballkanike, mafia ballkanike, apo sëmundje dhe tërmet ballkanik. Por politikës ndonjëherë, tashmë më shumë se kurrë, i nevojiten këto për të arritur tek njerëzit. Normalisht që ne mërzitemi nga këto, por jemi mësuar. Nuk është hera e parë. Na duhet që të përballemi me këto stereotipa dhe t’i zhdukim ato”, është shprehur Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ka vlerësuar Gjermaninë për luftën e saj ndaj pandemisë së koronavirusit. Ai i ktheu përgjigje edhe pyetjes nëse Kina, vendi i origjinës ku shpërtheu koronavirusi, duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara.
“Nëse dikush ka luajtur lojën e gabuar duhet të paguajë”, tha Rama, por shtoi se duhet sqaruar shumë mirë se çfarë ndodhi.
“Çështja kryesore është se pse bota nuk u informua në kohën e duhur”, tha Rama, i cili nënvizoi se përgjigjet nuk duhet të na çojnë drejt teorive konspirative, por drejt një hetimi të qartë, ku përgjegjësi duhet të paguajë.
Burimi /tvklan.al


Leave a Reply