Në SHBA është regjistruar vdekja e parë e një shqiptari nga koronavirusi. Andre Ljuljovic, një i ri shqiptaro-amerikan, që jetonte në New York ka ndërruar jetë ditën e premte nga Covid-19.
Gazeta “Illyria” raporton se Andre në tetor të vitit të shkuar ishte martuar me partneren e tij, Janet Gazivoda. Jo vetëm të afërmit e tij, por edhe miqtë e gjimnazit në të cilin ai ka studiuar e kanë pritur hidhur lajmin e vdekjes së shqiptarit.
Komuniteti i shkollës së mesme, Archbishop Stepinac, në White Plains, e ka kujtuar Andre si një mik dhe futbollist shumë të mirë. Trajneri i asaj kohe dhe drejtuesi atletik i tanishëm, Mike O’Donnell, është shprehur i trishtuar për ndarjen nga jeta të të riut.
“Ne jemi shumë të prekur nga vdekja e Andre. Ai do të kujtohet gjithmonë si student dhe atlet që punonte fort. Këtë mëngjes fola me disa ish-lojtarë futbolli dhe shumë prej tyre e kujtuan Andre si një mik të mirë dhe shok skuadre të besueshëm. Ne u trishtuam të gjithë kur morëm vesh lajmin e vdekjes së tij të papritur nga koronavirusi”, është shprehur Mike O’Donnell.

Ljuljovic është një nga 728 njerëzit që kanë ndërruar jetë në New York dhe vdekja e tij tregon se koronavirusi po godet edhe moshat e reja.
Burimi/shekulli.com.al/


Leave a Reply