Drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, ata të institucioneve fetare, e përfaqësues politik të Shqipërisë , u mblodhën sot në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë për të falënderuar Shqipërinë për mikpritjen e ofruar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Por ajo që ra në sy ishte mos prezenca e kryeministrit Edi Rama. Ai gjithashtu nuk ka marr pjesë në ceremoninë e zhvilluar para tre ditësh nga shteti i Kosovës për përkujtimin e masakrës së Reçakut, madje nuk ka bërë asnjë reagim për këtë.
Akuza e zbuluar nga mediat kosovare para disa ditësh, ku Rama paditi në një gjykatë të Prishtinës kryeministrin në largim të Kosovës Ramush Haradinaj për shpifje, si dhe insistimi për ta çuar deri në fund projektin e minishengenit ballkanik, projekt të cilin Kosova e ka kundërshtuar, mesa duket e kanë bërë të padëshiruar kryeministrin shqiptar Rama në Kosovë.
I pranishëm në këtë ceremoni solemne nga qeveria shqiptare, ishte ministri për Diasporën Pandeli Majko që në atë kohë ishte kryeministër i Shqipërisë, i cili u shpreh se strehimin e kosovarëve e kishim për detyrë, siç bën vëllai për vëllain.
“Tani, a të mërzitë ndonjëherë vëllai? Po, edhe të mërzitë, prandaj vëllai, si thoni ju në Kosovë, kur ta sjell shpirtin në majë të hundës, ‘vëllau si shkau’, por ne për këtë arsye duhet ta durojmë njëri-tjetrin, të kujtojmë ato ditë të vështira kur përkufizuam, përcaktuam se kush jemi, nga vijmë dhe ku do të shkojmë. Së bashku me Ilirin dhe me shumë kolegë të tjerë, midis të cilëve edhe ai që sot është kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, a ishim ne kaq të bindur, kaq të fortë? Ju siguroj që ishim të frikësuar, ju siguroj që ishim edhe të shqetësuar, ju siguroj që na shkonte edhe mendja se do të na kujtohej emri brez pas brezi për të keq, por nuk mund të lë pa thënë atë që përsëriti presidenti Meta, se në ato momente aq të vështira dhe përkufizuese të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, të majtë e të djathtë, komunistë e ballistë, pas masakrës së Reçakut, u mblodhëm i thirrem të gjitha partitë e opozitës dhe pak a shumë fjalia që u tha nga të gjithë ishte, ‘kur serbët na vrasin, ne duhet të bashkohemi’”, tha Majko.
Kujtojmë se gjatë eksodit të popullit të Kosovës në vitin 1999 Shqipëria kishte hapur kufijtë duke u angazhuar populli dhe institucionet për të ndihmuar refugjatët nga Kosova që ishin dëbuar dhunshëm nga serbët.
Burimi/shekulli.com.al/
Leave a Reply