Debatet/ “Deri kur do vazhdojmë kështu se po çmendemi nga arroganca e saj”. Voltana Ademi vijon bojkotin
Neritan Gjergo
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës dje, ka nisur me 1 minutë heshtje në nderim të viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit. Në rend të ditës më pas ishin dy pika që kishin të bënin me ndihmën ekonomike dhe u miratuan nga këshilltarët në vetëm pak minuta, ndërsa më tej u diskutuan problematika jashtë rendit të ditës. Këshilltari, Arbis Vjerdha kërkoi sqarim për mungesën e kryebashkiakes, Voltana Ademi, në rast të kundërt çdo projektvendim i saj që dërgohet në bashki të rrëzohet.
“Kryetarja e Bashkisë nuk vjen kurrë në mbledhje. Këto pyetjet që ia nisim me shkresa na i kthen me përgjigje të përgjysmuara. Deri kur do vazhdojmë kështu se po çmendemi nga arroganca e saj?”, ishte diskutimi që ngriti këshilltari Vjerdha, por që në fakt nuk mori një përgjigje të qartë nga kryetarja e këshillit, bashkiak Brisela Kadia.”Ne jemi Këshilli bashkiak funksional. Zonja Ademi është kryetare në detyrë e Bashkisë. Në mbledhjen e sotme, prania e saj nuk ishte e domosdoshme dhe me këtë nuk dua të justifikoj mungesën e znj. Ademi. Ajo ka detyrim ligjor të jetë prezent kur të diskutohet buxheti dhe paketa fiskale”, tha Kadia.
Për dhjetorin këshilli bashkiak pritet të zhvillojë edhe një mbledhje tjetër, por ende nuk është e qartë, nëse do të kalojë brenda këtij muaji apo do të shtyhet për janarin e vitit të ardhshëm Paketa Fiskale dhe Buxheti 2020.
Vendimet e miratuara dje
Projektvendim: “Për përdorimin e fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike (deri në 6%) për muajin Tetor 2019, për miratimin e kompensimit të çmimit të energjisë elektrike për familjet përfituese nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike (deri në 6%), për muajin Tetor 2019“.
Projektvendim: “Për përdorimin e fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike (deri në 6%) për muajin Nëntor 2019, për miratimin e kompensimit të çmimit të energjisë elektrike për familjet përfituese nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike (deri në 6%), për muajin Nëntor 2019“.
Burimi/shekulli.com.al/


Leave a Reply