Kosova dhe Shqipëria do të bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsi për autorin austriak, Peter Handke, për shkak të qëndrimeve të tij ndaj luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe të të Kosovës.
Peter Handke ishte kundërshtar i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë për shkak të Kosovës dhe mbajti fjalim në vitin 2006 në funeralin e ish udhëheqësit serb, Sllobodan Milosheviç, i cili vdiq në Hagë atë vit derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.
Ministri në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli, udhëzoi ambasadoren në Suedi që të “bojkotojë ceremoninë”, duke theksuar se “shkrimtari që mbështeti Millosheviçin për gjenocidin e tij në Bosnjë e Kosovë, nuk e meriton çmimin Nobel”.
Duke u solidarizuar me Kosovën, ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se ambasadori në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e së martës.
Pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë megjithatë e mbështesin ndarjen e çmimit.
“Çfarëdo që ka shkruar për serbet e ka shkruar mirë dhe me të drejtë”, tha Dimitrie Dimitriç, nga fshati Hoçë e Madhe.
Por, Milazim Krasniqi, në Hoçën e Vogël, rreth 80 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, një fshat me 40 të vrarë gjatë luftës në Kosovë, tha se kishte mbetur pa fjalë nga lajmi për ndarjen e çmimit.
Më shumë se 10 mijë veta ishin vrarë nga forcat e policisë dhe uhstrsië serbe gjatë luftës në Kosovë. Analsti Shkelzen Maliqi i tha Agjencisë së lajmeve Associated Press se ndarja e një çmimi të tillë për autorin austriak është e papranueshme…
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 i dha fund sundimit serb në Kosovë dhe nëntë vjet më pas Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila kundërshtohet nga Serbia.
* Mbështetur edhe në agjencinë e lajmeve Associated Press
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply