Në një intervistë për gazetën më të njohur gjermane, “Der Spiegel”, Aleksandër Vuçiç tha se kishte rënë dakord me Ramën dhe Zaevin që presidenti i Serbisë t’i përfaqësojë dy kryeministrat gjatë takimeve me Macronin.
Në intervistën e gjatë, kreu i shtetit serb pranoi se është ai nismëtari i idesë së “Mini-Shengenit” Ballkanik, ndërsa nuk e fshehu frikën që lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti mund të jetë udhëheqës i Shqipërisë së madhe.
“Unë isha me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Samitin e Ohrit dhe ne ramë dakord thuajse për çdo pikë, duke përfshirë që unë të flisja me Macron në emër të të gjithëve, sikundër bëra javën e kaluar”, tha Vuçiç.
I pyetur mbi “Mini-Shengenin” e tij në Ballkan, presidenti i Serbisë e justifikon nismën me përfitimet ekonomike për rajonin, madje optimizmi i tij shkon aq larg sa të besojë se: “Mund të bëhemi një motor zhvillimi për Evropën mbarë”.
“Ne në Ballkan nuk duam të mashtrohemi nga vendet e mëdha të BE-së apo të bëjmë lojëra kundër njëri-tjetrit. Ideja ime e ‘Mini Shengenit’ në Ballkan do të thotë, lëvizje e lirë e mallrave dhe e njerëzve”, tha ai.
Pyetjes nëse do të përfshihet Kosova në Mini-Shengenin Ballkanik, Vuçiç i përgjigjet: “Kosovarët nuk dinë çfarë duan. Albin Kurti, i cili ka të ngjarë të jetë udhëheqësi i tyre i radhës, tingëllon sikur dëshiron të bëhet udhëheqësi i Shqipërisë së Madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne nuk e shohim atë në atë mënyrë. Megjithatë ne mund të bënim biznes të shkëlqyeshëm së bashku”.
Mandej intervista e “Der Spiegel” vijon me një parashtrim gozhdues, që i kujton presidentit mbështetjen për Millosheviçin. “Dikur ju qëndronit së bashku me Peter Handken në varrin e kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviç. Tanimë ju keni njoftuar se do të festoni me Handken në Beograd lidhur me Çmimin Nobel për Letërsi. Çfarë ideje po mbështesni?
Presidenti serb nuk distancohet aspak nga nobelisti, madje e cilëson atë “një person fantastik”. “Ai mbrojti veten së bashku me ne, në një fazë tejet të vështirë për këtë vend. Ne i jemi mirënjohës nga thellësitë e zemrave tona. Ai ka bërë kaq shumë për Serbinë”, vijon Vuçiç.
Intervista e presidentit serb vjen në një kohë kur në Kosovë është drejt qeverisjes Albin Kurti, lideri i “Vetëvendosjes” që e kundërshton idenë e Mini-Shengenit Ballkanik. Në daljen e tij të fundit televizive Kurti theksoi: “Nëse mini Shengeni e mban reciprocitetin Kosovë-Serbi atëherë diskutojmë”.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama duket se ka preferuar gjuhën e heshtjes duke mos dhënë asnjë arsye përse i është bashkuar aq ethshëm “klubit” të ri me Vuçiç-in dhe Zaev-in, duke mos pritur të bashkërendohej me qeverinë e re të zgjedhur nga shumica e popullit të Kosovës. /E.Shkëmbi/

Burimi/shekulli.com.al/


Leave a Reply